Dokumentet sekrete për traktet që u hodhën në Korçë në ’68-ën: “Shqipëria është Europë dhe s’duhet të jetojmë si kafshë”

Publikohen historitë e panjohura të trakteve me përmbajtje antikomuniste, që u hodhën në qytetin e Korçës në vitin 1968, dhe parullat kundër regjimit komunist, që u shkruan dhjetë vite më vonë, në fshatin Barbullush të Shkodrës dhe Gjurë-Reç të Dibrës. Memorie.al publikon korrespondenca e sekretarëve të parë të këtyre rretheve, Mihallaq Ziçishti, Jovan Bardhi dhe Foto Çami, me sekretarët e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku Hysni Kapo, tejet i alarmuar, në mes të tjerash i shkruante Foto Çamit: “Është në faqen e zezë së organizatës së partisë që nën hundën e saj shkruhen parulla, jo një, por plot 12, dhe në shumë vende”.

“Socializmi e ngop popullin me lugë bosh. Socializmi i Leninit thotë vetëm, nëm: vullnetarë, zbor, lekë, për Frontin, rininë, gruan, partinë, kryqin e kuq, sportin, sindikatën, tërmetin, huatë, Vietnamin, Pal Vatën, tokën, kafshët, shtëpitë, e të tjera sa nuk numërohen; vetëm nëm. Dhe për të dhënë punëtori dhe fshatari i shkretë i jep sa po mbahet në këmbë. Ja pra ky është socializmi që kishim merak dhe këtij socializmi popujt e tjerë i vunë një kryq të madh sa ia piu lëngun më keq se ne. Shqipëria është në Evropë dhe duhet të ecë mbas Evropës. Ne populli, duhet të jetojmë si gjithë popujt e tjerë, jo si kafshë, vetëm punë. Socializmi kënaq vetëm 5 për qind, të tjerët kënaqen nga frika. Mjaft me diktaturë dhe masa, mjaft me kapriço. Për një fjalë po hiqni njerëzit nga detyrat, popullin si në burg nuk e mbani dot. Sot jetojmë në shekullin e 20-të dhe jo në të 15-të. Vetëm punë, punë, punë nuk i duhet popullit”.

Kështu thuhet në mes të tjerash në një nga traktet e hedhura në qytetin e Korçës më datën 6 prill të vitit 1968, gjë për të cilën, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, Mihallaq Ziçishti, informon Komitetin Qëndror të PPSH-së me anë të një dokumenti që mban siglën “Tepër sekret”. Traktet në fjalë, (të cilat po i botojmë të plota në këtë shkrim me faksimilet përkatëse), që u hodhën në Korçë në vitin 1968, përkonin me një situatë tepër “të sikletëshme” për Tiranën zyrtare të Enver Hoxhës, pasi vetëm tre katër muaj më vonë, ndodhi “Pranverën e Pragës”, (ku tanket ruse shtypën revoltat antikomuniste të çekëve), gjë e cila shkatoi një alarm dhe frikë të paparë te Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PPSH-së së asaj kohe, që për t’i paraprirë ndonjë sulmi eventual nga Bashkimi Sovjetik, bëri “një pakt të heshtur” me Jugosllavinë e Marshallit Tito, të cilin që nga viti 1949, e kishte sulmuar dhe akuzuar si “armikun” e tij më të madh.

Viti 1968 do të çonte në mënyrë të pashmangshme daljen edhe “de facto” të Shqipërisë nga Traktati i Varshavës e nga i gjithë Blloku Lindor, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik, ngjarje të cilat alarmuan pa masë Tiranën zyrtare dhe e detyruan atë të ndërmerrte masa represive, me arrestime, burgosje dhe internime.

Ndryshe nga ngjarja e Korçës, do të ndodhte një dekadë më vonë, pikërisht në vitin 1978, në prag të prishjes së marrëdhënieve ekonomike dhe politike me Kinën e Mao Ce Dunit, në Shkodër dhe Peshkopi, ku përveç trakteve kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, do të shkruheshin edhe parulla në muret e ndërtesave të kooperativave bujqësore dhe shkollave në disa prej fshatrave të këtyre rretheve, si Barbullush dhe Gjurë-Reç.

Por edhe pse ato parrulla ishin shkruar vetëm me laps dhe jo në vënde të dukëshme, madje në trarë stallash të lopëve apo dyer shkollash fshati, ai “fenomen” shqetësoi pa masë udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë e cila veç të tjerash duket edhe nga korrespodenca secrete e sekretarëve të partisë për qytetet e Shkodrës, Korçës e Peshkopisë, lidhur me këto ngjarje, anëtarët e Byrosë Politike si Hekuran Isai dhe Hysni Kapos, sekretarin e Komitetit Qëndror që në rrugë partie mbulonte organet e “Diktaturës së Proletariatit”, ku ata mes të tjerash u kërkojnë që të merren masa të menjëhershme “drakoniane” lidhur me autorët e “papërgjegjshëm” të këtyre trakteve dhe parullave, – siç etiketohen në këto dokumente zyrtare.

Mihallaq Ziçishti: Plani i Degës së Brendshme për zbulimin e trakt-shkruesve.

PARTIA E PUNES E SHQIPERISE                            Tepër sekret

KOMITETI I PARTISE I RRETHIT Ekz.

KORÇE
Nr. 1

                                                                                                                           Korçë, më 6.4.1968
              KOMITETIT QENDROR TE PPSH TIRANE

 

Në mëngjesin e datës 4 prill, në rrugët e qytetit të Korçës, me përjashtim të lagjeve 9 dhe 10, u gjetën 70 copë fletushka me përmbajtje armiqësore. Gjetja e tyre u bë nga persona të ndryshëm, të cilët i dorëzuan pjesërisht në Komitetin e Partisë dhe pjesërisht në Degën e Brendshme.

Nga studimi i deritanishëm i këtij veprimi dhe nga përmbajtja e fletushkave, rezulton se ato janë shkruar nga disa duar dhe të shpërndara po kështu. Nga shikimi i parë i letrës dhe shkrimi, autorët duhet të jenë 4-5 vetë; përgatitja e tyre duhet të jetë bërë jo menjëherë, por gjatë një kohe të caktuar, pasi gjendja e tyre tregon se janë mbajtur nëpër xhepa.

Përmbajtja është pothuaj e njëllojtë dhe autorët duhet të kenë njëfarë kulture (minimumi të mesme), nga dialekti i përdorur, nga disa fjalë të huaja (frëngjisht) që janë përdorur dhe nga mënyra e shpërndarjes; autorët duhet të jenë korçarë, njerëz të pakënaqur dhe me pikëpamje revizioniste, të nxitur siç duket nga situata e krijuar në disa vende revizioniste të Europës për të bërë thirrje “Shqipëria është vend evropian dhe duhet të ecë sipas tempit të saj”.

Duke u nisur nga gjithë sa thuhet më lart, nga gjendja në vendet revizioniste si dhe nga puna që po bëhet sot për revolucionarizmin e shkollës, arrijmë në përfundimin se autorët duhet të jenë intelektualë.

Faktet e tjera:

  1. Gjatë këtyre ditëve kanë ardhur në qytetin e Korçës për të kaluar pushimet shumë arsimtarë korçarë që shërbejnë në rrethe të tjera.
  2. Në qytetin e Korçës kemi mjaft të rinj të cilët kanë mbaruar shkollat e mesme dhe qëndrojnë të papunë se pretendojnë punë pas qejfit.

 

Masat që kemi marrë për zbulimin e autorëve:

 

  1. Është vënë në lëvizje Dega e Brendshme sipas një plani të caktuar, duke u mbështetur, përveç forcave të veta, edhe në grupe punëtorësh të rinj për të studiuar rrethet shoqërore të dyshimta nëpër lagje.
  2. Çështjen po e bëjmë çështje të partisë, sigurisht me takt, duke u kapur në dobësi të cilat i kemi konstatuar në drejtim të rënies së vigjilencës. Nga kontrollet që kemi bërë në ndërmarrjet ekonomike e në fshat, kemi konstatuar mjaft të meta dhe pakujdesi për sa i përket gatishmërisë që tregojnë, në rënie të theksuar të gjendjes së treguar gjatë kohës së stërvitjes. Pra dhe këtë çështje po e radhisim midis problemeve të mësipërme, për të tërhequr vëmendjen e partisë.
  3. Gjithashtu kemi filluar të marrim edhe disa masa për forcimin e regjimit të kufirit.

 

Është karakteristikë se të gjitha fletushkat u mblodhën dhe u dorëzuan menjëherë.

Bashkëngjitur janë katër fletushka origjinale
SEKRETARI I PARE I KOMITETIT TE PARTISE
           (Mihallaq Ziçishti)

                                                 Trakti (i parë)
Në socializëm të Leninit ka vetëm: punë, mbledhje, “vullnetarë”, zbor. Ky socializëm kënaq vetëm 5 për qind të popullit, të tjerët i kënaq frika. Ne populli, duhet të rrojmë siç rrojnë të gjithë popujt e tjerë, dhe jo si kafshë, vetëm në punë. Sot po jetojmë në shekullin e 20-të dhe jo në atë të 15-të. Shqipëria është në Evropë dhe ne duhet të ecim mbas Evropës.

Populli s’është qorr, shurdh, as budalla. Ai shef, dëgjon, kupton, por s’ka folur, do flasë. Në këtë socializëm që thotë ‘nemni sa kam nevojë dhe t’ju jap sa të mbajnë këmbët’, nuk kënaqen as kafshët. Mjaft na ngopi socializmi me lugë bosh, mjaft me diktaturë dhe mashtrime, mjaft flakët nga detyrat njerëzit pse guxojnë të flasin, mjaft me kapriço. Çdo gjë ka një kufi! Mjaft me frikë dhe spiunllëqe, se i bëjnë varrin vetes. Spiunët të heqin dorë sa s’është vonë!
Q.S.

                                                  Trakti (i dytë)
Socializmi e ngop popullin me lugë bosh. Socializmi i Leninit thotë vetëm, nëm: vullnetarë, zbor, lekë, për Frontin, rininë, gruan, partinë, kryqin e kuq, sportin, sindikatën, tërmetin, huatë, Vietnamin, Pal Vatën, tokën, kafshët, shtëpitë, e të tjera sa nuk numërohen; vetëm nëm. Dhe për të dhënë punëtori dhe fshatari i shkretë i jep sa po mbahet në këmbë. Ja pra ky është socializmi që kishim merak dhe këtij socializmi popujt e tjerë i vunë një kryq të madh sa ia piu lëngun më keq se ne.

Shqipëria është në Evropë dhe duhet të ecë mbas Evropës. Ne populli, duhet të jetojmë si gjithë popujt e tjerë, jo si kafshë, vetëm punë. Socializmi kënaq vetëm 5 për qind, të tjerët kënaqen nga frika. Mjaft me diktaturë dhe masa, mjaft me kapriço. Për një fjalë po hiqni njerëzit nga detyrat, popullin si në burg nuk e mbani dot. Sot jetojmë në shekullin e 20-të dhe jo në të 15-të. Vetëm punë, punë, punë nuk i duhet popullit.

Parrulla me përmbajtje antikomuniste të shkruara në Gjurë-Reç të Dibrës
PARTIA E PUNES E SHQIPERISE
KOMITETI I PARTISE SE RRETHIT
DIBER                                                                                                                      Peshkopi, më 20.7.1978
Nr.567                            

                                   SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PPSH
 (Shokut Hekuran Isai)

  Tiranë

Në fshatin Gjurë-Reç të kooperativës bujqësore të Reçit u gjet e shkruar në murin e furrës dhe derën e shkollës një parullë me përmbajtje thellësisht armiqësore. Ajo ishte shkruar me laps plumbi dhe germa të vogla.

U informuam menjëherë dhe vepruam për të gjetur autorin. Nga të dhënat e deritanishme, del se ajo mund të jetë shkruar nga një djalë rreth 16 vjeç.

Në shkollën 8-vjeçare të fshatit, 5 djem, me nxitjen e njërit prej tyre që ishte më i madh në moshë, kanë nisur që vitin e shkuar sjellje rrugaçërie. Fillimisht janë bashkuar me njëri-tjetrin, për të nxitur për të bërë dreka, duke vjedhur para në shtëpitë e tyre, me të cilat kishin blerë alkool dhe ushqime. Pastaj kishin vjedhur një mushkë dhe nisen për ta shitur në një zonë tjetër. Më vonë, në vazhdën e kësaj veprimtarie, duke shkruar fjalë të ndyra për shoqet e klasës në shkollë, në mure, me copa letrash, duke i lëshuar në rrugë.

Për sjelljet e tyre të keqi janë këshilluar, janë kritikuar dhe njërit i është ulur nota në sjellje. Por duket se, si arsimtarët, ashtu dhe organizatat shoqërore, nuk janë futur thellë për t’i larguar nga rruga e tyre e gabuar.

Eksperimenti i shkrimit dhe krahasimi me shkrimet e tyre, na çon në mendimin se autor është njëri prej tyre.

Veç punës që po bën organizata e partisë, ngarkuam organet e Punëve të Brendshme, të cilët ndërtuan punën për të zbuluar autorin e mundshëm dhe dorën që i nxit.
Problemin po e ndjekim me intensitet dhe do t’ju njoftojmë
SEKRETARI I KOMITETIT TE PARTISE SE RRETHIT
(Jovan Bardhi)
Parrullat me përmbajtje antikomuniste të shkruara në Barbullush të Shkodrës
PARTIA E PUNES E SHQIPERISE Sekret
KOMITETI I PARTISE I RRETHIT
Nr. 320 Prot.

                                                                                                                   Shkodër, më 15.3.1978

 

KOMITETIT QENDROR TE PARTISE SE PUNES SE SHQIPERISE
 TIRANE

Lënda: Mbi shkrimin e disa parullave me përmbajtje armiqësore
Më datë 2.3.1978, në kooperativën bujqësore të Barbullushit janë shkruar 12 parulla me përmbajtje armiqësore. Autori i parullave kishte shkruar në faqen e murit të mullirit të blojës, që është ngjitur me zyrat e kooperativës bujqësore, në trarët e stallës së qeve dhe deleve, si dhe në faqen e jashtme të murit të shtëpisë në të cilën më parë ka banuar Teki Alia, banor i kësaj kooperative.

Me t’u sinjalizuar për ngjarjen, nga ana e Degës u dërgua në vend grupi operativ, i cili, mbasi shikoi vendet ku ishin shkruar parullat me përmbajtje armiqësore, vërejti se shtatë prej tyre ishin prishur nga qytetarët, që i kishin konstatuar të parët, ndërsa pesë të tjera, një në derën e mullirit dhe pesë te stalla e bagëtive, që nuk ishin vënë re nga banorët e fshatit por i gjeti vetë grupi operativ, ishin të pashuara. Parullat ishin shkruar me laps karboni dhe nga një dorë e vetme. Përmbajtja e tyre ishte:

“Poshtë udhëheqësi kryesor”, duke përmendur emrin dhe mbiemrin e tij. “Poshtë Partia”. “Poshtë komunizmi”, “Liri fashizmit dhe lavdi fashizmit”. Nga hetimet u vërtetua se autori i krimit është Ramadan Daut Smajli, i cili punonte roje nate në stallën e qeve e të deleve, ku u gjetën të shkruara parullat.

Ramadani ka lindur në fshatin Barbullush në vitin 1941, nga një familje e varfër fshatare, është i martuar me dy fëmijë, me arsim 7-vjeçar, i paorganizuar, i padënuar, ka kryer shërbimin ushtarak, me kombësi dhe shtetësi shqiptare. Prindërit e tij para Çlirimit ishin me qëndrim indiferent.

Gjithashtu mbas Çlirimit, deri në kohën që i ati i tij është dënuar me dy muaj heqje lirie për shpifje, ndonjë aktivitet tjetër nuk iu dihet. Vëllai i Ramadan Smajlit, ka për grua vajzën e një kulaku nga Berati, ndërsa vetë Ramadani karakterizohet si njeri i shthurur, ngatërrestar e pijanec dhe me sjellje jo të mira në fshat.

Në hetuesi i pandehuri ka pranuar se është vetë autori i shkrimit të parullave armiqësore dhe tregon se ky mendim armiqësor i ka lindur tri-katër ditë më parë. Deri tani nuk pranon të ketë dijeni njeri tjetër apo të jetë nxitur nga të tjerë. Hetimi vazhdon.
PER KOMITETIN E PARTISE SE RRETHIT
               Sekretari i Parë
Foto Çami
Porosia e Hysni Kapos: T’i thuhet Foto Çamit, se fshihen të tjerë pas atij që shkroi parrullat
 (Sherif Taraj)

Mbi informacionin “Mbi disa parulla me përmbajtje armiqësore”, dërguar nga Komiteti i Partisë së rrethit Shkodër, shoku Hysni vuri këtë shënim:
“T’i thuhet shokut Foto Çami se Ramadan Ismaili, autori i këtyre parullave, u zbulua, siç thotë informacioni, por nuk duhet fjetur mendja se këto parulla i ka bërë vetëm ky, pa shtytjen dhe pa biseduar me të tjerë. Kush janë këta të tjerë, duhet Partia në rreth e në bazë t’i zbulojë.
Është në faqen e zezë të organizatës së partisë që nën hundën e saj shkruhen parulla, jo një, por plot 12 dhe në shumë vende. Partia dhe levat e saj në këtë kooperativë nuk janë për të fshirë parullat e armiqve, por duhet të qëndrojnë në ballë të luftës klasore dhe me punën e tyre të bëjnë që të dridhen armiqtë e klasës, keqbërësit dhe vagabondët.

Ku është vigjilenca, që lënë roje në stallat e kooperativës një njeri pijanec, të shthurur, ngatërrestar, me sjellje të këqija dhe që ka krushqi me kulakët e Beratit?! Komiteti i Partisë duhet të nxjerrë mësime nga kjo ngjarje e shëmtuar!

Të thellohet se kush janë bashkëpunëtorët dhe nxitësit e këtij akti!
Të forcojmë vigjilencën e Partisë, por dhe të masave kudo, por sidomos në fshat. Organet e Brendshme të kryejnë si duhet detyrën.”
20.3.1978                                    Hysni Kapo

(E njoftova shokun Foto si më sipër. Ilo Kodra)

 Memorie.al

SHKARKO APP