Doli në qarkullim libri “Ku po e çon Erdogani Turqinë” me autor Hajro Limaj
Nga Xhevat Mustafa
(Publicist, shkrimtar, diplomat)
Ka një kohë të gjatë, veçanërisht mbas viteve 1990, që ish diplomati dhe publicisti Hajro Limaj është afirmuar jo vetëm si një nga njohësit më të mirë të politikës, historisë, kulturës dhe arsimit të Turqisë, por edhe si nje mik i sinqertë dhe me vepra i popullit turk. Njohja shumë e mirë e gjuhës turke dhe kalifikimet pas universitare dy here ne Stamboll e kanë ndihmuar për të qenë i përditësuar dhe me një arkiv shumë të pasur për zhvillimet politike, ekonomike, shoqërore, kulturore-arsimore të këtij vendi, të cilat shprehen edhe në analizat, komentet, opinionet dhe librat e botuara për raportet e shumanshme në shekuj dhe në ditët tona midis dy vendeve dhe dy popujve tanë.
Pikërisht kjo lidhje e fortë kulturore me këtë vend si dhe personaliteti qe ai kishte krijuar per bashkepunimin dy palesh ishin arsyet kryesore të emërimit te tij si atasheun e parë ushtarak të Shqipërisë në Republikën e Turqisë, në periudhën dhjetor 1994-maj 2000. Jeta dhe puna në Turqi e ndihmuan Limajn të zgjerojë njohuritë mbi këtë vend dhe popull, kontaktet me personalitetet më të larta të shtetit dhe të qeverive turke, deri në nivelin e presidentëve dhe të kryeministrave si dhe të japë kontributin e tij për zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve shumëpalëshe shqiptaro-turke, me theks raportet politiko-ushtarake, arsimore dhe shendetsore. Libri i Z. Limaj “Midis Ankarasë dhe Tiranës 1990-2000”, botuar ne vitin 2004,në shqip dhe turqisht, është padyshim një nga librat më të vlerësuar dhe më të lexuar. Në të shprehen veçanërisht qëndrimet e shtetit turk në mbështetje të kapërcimit të krizës së vitit 1997 në Shqipëri dhe për çlirimin e Kosovës në vitin 1999.
Por vitet e fundit, me ndryshimin e thellë të kursit qeverisës nga Rexhep Taip Erdogan, si ish kryeministër dhe sot si president, Limaj ka përjetuar dhe shprehur keqardhje dhe shqetësim për shkatërrimin e hapësirave të demokracisë në Turqi, për shkeljen e të drejtave dhe të lirive të njeriut dhe për largimin nga trashëgimia e pasur e Mustafa Kemal Ataturkut. Plotpushtetizimi i Erdoganit, duke u rrëmbyer kompetencat dhe fuqitë institucioneve legjislative, ekzekutive, gjyqsore, është kuptuar dhe përcjellë prej Hajro Limajt si një praktikë dhe dukuri shumë e rrezikshme jo vetëm për popullin turk dhe për shqiptarët, si miq të sinqertë të Turqisë, por edhe për mbarë rajonin dhe më gjërë, për BE-në dhe NATO-n. Duke e shprehur në media qysh në fillim e në vazhdimësi këtë shqetësim të tij të sinqertë, Hajro Limaj është bashkuar me të gjithë ata gazetarë dhe politikanë turq, shqiptarë e nga mbarë bota, që, me përgjegjshmëri të lartë profesionale dhe me kurajo intelektuale dhe qytetare, kanë paralajmëruar dhe vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e opinionit public turk dhe botëror, për rreziqet që mund t’i vijnë, së pari popullit dhe shtetit turk, nga shndërrimi i Erdoganit në një sundimtar autoritarist dhe absolutarist. Këto vitet e fundit, sidomos pas të ashtuquajturës “tentativë për grusht shteti”, më 15 korrik 2016, ai ka kaluar në duart e tij
pushtete të shumta e të pakufizuara si dhe ka udhëhequr një kryqëzatë të egër hakmarrëse, me arrestime dhe burgosje masive, ndaj të gjithë atyre që i ka etiketuar si pjesëmarrës në këtë tentativë. Është tejet shprehës një fakt i ri, publikuar në mesin e marsit 2017. Sipas një studimi mbi gjendjen në burgjet në vendet e Evropës, të kryer nga Këshilli i Evropës, gjatë 10 viteve të fundit numri i të burgosurve në Turqi është rritur 191%. Tani në Turqinë e Erdoganit gjenden në burgje 200 vetë për 100.000 banorë . Mbi 242 diplomate turq,midis tyre edhe atashe ushtarake , kane kerkuar strehim politik ne Gjermani,pa llogaritur ne vendet e tjera. Me ato që ka bërë dhe po vazhdon të bëjë, Erdogani u kujton shumë miqve të popullit turk e të Turqisë imazhin dhe pushtetet e frikshme të sulltanëve të dikurshëm tëTurqisë si dhe të diktatorëve në vende të ndryshme të botës. Prandaj këto shqetësime të sinqerta për zhvillimet e reja në Turqi, studiuesi, publicisti dhe ish diplomati Hajro Limaj i ka shprehur në shumë shkrime të botuara në disa nga gazetat kryesore të përditshme në Shqipëri , Kosovë dhe Maqedoni si dhe në debate televizive me shikueshmëri masive në mbarë Shqipërinë. Disa prej këtyre shkrimeve i ka përmbledhur edhe në këtë libër.
Për të qenë si gjithnjë, objektiv dhe i paanshëm,atdhetar i perkushtuar dhe i pa mposhtur ndaj asnje influence apo presioni, për të dëshmuar se kundërvënia ndaj politikës së brendshme dhe të jashtme të Erdoganit është me shtrirje të gjërë ndërkombëtare, sidomos në vendet e BE-së , në këtë libër janë përfshirë edhe disa analiza dhe komente nga publicistë të njohur nga vende të tjera. Ashtu si Limaj, edhe këta kanë shprehur shqetësime publike mbi rreziqet që paraqet kursi politik dhe qeverisës i Erdoganit jo vetëm për Turqinë dhe për popullin turk, por edhe për të gjithë Azinë, Lindjen e Mesme, Ballkanin, Evropën…
Ky libër i ri i studjuesit, publicistit dhe ish diplomatit Hajro Limaj, falë shkrimeve që janë përfshirë në të, shquhet jo vetëm për prognozë të hershme dhe vizionare, për parashikime përgjithësisht të vertetuara nga zhvilimet konkrete në Turqi, por edhe për bollëk shifrash, faktesh, argumentesh dhe mesazhesh.
Duke i përmbledhur, tre janë mesazhet kryesore që nxirren dhe përcillen nga ky libër. I pari: ka ikur koha e diktaturave dhe e diktatorëve dhe se shekulli 21 është epoka e demokracisë së vërtetë, funksionale, të përjetueshme, e zbatimit dhe respektimit korrekt të të gjitha të drejtave dhe lirive të njeriut.
I dyti: plotpushtetizimi, sulltanizimi apo putinizimi i Erdoganit, radikalizimi islamik në Turqinë e sotme, nuk është thjeshtë dhe vetëm çeshtje e brendshme, eskluzive e këtij vendi dhe e popullit turk. Në të kundërtën, ato reflektohen dhe kanë ndikim, ku më shumë e ku më pak, në të gjitha vendet e rajonit, si dhe në Ballkan, sidomos në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinë , e tj. Natyrisht, edhe në NATO dhe BE.
I treti: është në interesin ekonomik,shoqëror, strategjik, politik, ushtarak, turistik, e tj, të Turqisë, mbetja në NATO dhe zgjerimi i marrëdhënive dhe i angazhimeve me BE dhe jo aleancat me Rusinë, që janë koniunkturale, të pasinqerta dhe të rrezikshme edhe për vetë popullin turk.
Turqia sot është në udhëkryq.
Ajo është vendosur përballë Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i sfiduar dhe kërcënuar me afrimin politik, ekonomik dhe ushtarak me Rusinë. Viti 2017 e ka gjetur Turqinë plot konflikte të brendshme dhe të jashtme, me mungesë të theksuar sigurie brenda vendit, e shoqëruar me një veprimtari terroriste të pashembullt më parë. Këtyre mund t’u shtohen edhe rënia e përshpejtuar, në pikiadë e zhvillimit ekonomik dhe rreziku i një embargoje ndërkombëtare. Si konkluzion, ky libër i ri i publicistit dhe ish diplomatit të mirënjohur Hajro Limaj, ndihmon për të kuptuar më mirë se ku po e çon Turqinë politika islamike dhe qeverisja me ambicje dhe tendenca të pambulueshme absolutiste e Erdoganit.