Dom Gjergj Simoni ”zbulon” dosjen 30 vite pas lirimit nga burgu
Kleriku Dom Gjergj Simoni (Hardhia) mori në dorë në moshën 86-vjeçare dosjen e sigurimit të shtetit që e çoi në burg në Qafë Bari, Ballsh e Spaç.
Që në krye të herës, ashtu siç ka bërë gjithmonë, u kujdes ta përsërisë sërish, se i ka falur ata që e arrestuan dhe dënuan.
Dom Gjergj Simoni, meshtar: ”Unë i kam falur të gjithë.”
Ka kaluar shumë, por kujtesën e ka të fortë ndërsa i kthehet viteve të vuajtjes në burgjet e komunizmit dhe hetuesi.
Dom Gjergj Simoni, meshtar: ”Kundra së keqes përherë fitoj.”
Hapja e dosjeve dhe pastërtia e figurës së krerëve të politikes apo drejtuesve të lartë të institucioneve është shoqëruar përherë më pikëpyetje të mëdha dhe debate. Verifikimi i pastërtisë nuk po bëhet në mënyrë të mjaftueshme për të gjithë, e këtë e pranon edhe vetë drejtorja e Autoritetit të Dosjeve Genta Sula.
Genta Sula, drejtore e Autoritetit të Dosjeve: ”Pyetja a po ndodh mjaftueshëm apo po ndodh 100%? Është jo. Unë them se ka parandalim sepse njerëzit duke e ditur që do verifikohen, nuk synojnë pozicione të larta nëse kanë çështje me sigurimin e shtetit.”
Autoriteti i Dosjeve tashmë ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës dhe qytetarët mund të drejtohen edhe tek muzeu për informacion apo edhe të aplikuar lidhur me dosjet e sigurimit pa patur nevojë të shkojnë drejt Tiranës.
/Ora News