Dom Gjergji, një prift që “thyen” tabu

Rrëfimi i Dom Gjergj Metës, për momentin kur vendosi të merrte rrugën e Klerit Katolik dhe arsyet që e shtynë drejt një jete ndryshe. Temat e nxehta të shoqërisë, familjes, lidhjes burrë-grua dhe të martesave me të njëjtën gjini. Kisha, familja dhe sjellja e klerit, përballë evoluimit. Kush është prifti që mbetet aktiv në shoqëri dhe dy “jetët” mes religjiozes e komunikimit social dhe shoqëror.

Nga Sebi Alla

Të jesh Dom, Famullitar në Dioqezën e Durrësit, përkushtimi anon nga shpirtërorja, besimi në Zot dhe transmetimi i saj edhe te të tjerët, është përgjegjësi dhe sfidë. Dom Gjergj Meta, nuk i tutet asnjërës, ai di të jetë ndryshe nga të tjerët, ndonëse nuk i pëlqen ta quajnë të tillë. Nëse përreth qafës nuk do mbante koletin, (shenja karakteristike që identifikohet me priftin, e njohur edhe si koci i bardhë), shumëkush do e merrte për një të ri që mëton fort në shoqërinë civile. Njeri energjik, aktiv në shkrime, takime, komunikues i rregullt me publikun.

Në duar mban libra të shenjtë, por edhe telefon e kompjuter portativ, është i kudondodhur në rrjetet sociale, studio televizive, median e shkruar, por edhe një kërkues i mirë në bibliotekat vendëse e të huaja, teologjike a laike, duke shfletuar libra shekullorë. Në fund të fundit, për Dom Gjergjin, shoqëria është diverse dhe si e tillë nuk duhet ndarë, por pranuar dhe synuar që ato që nuk shkojnë mirë të përmirësohen. Shpirtërorja, materializmi, besimi, ateizmi, dhuna, mirësia, korrupsioni, ndershmëria, optimizmi e pesimizmi, gjenden mes nesh, e në fund, kur shumëkush ndodhet “ngushtë”, krejt edhe pa vetëdije të plotë, kërkon ndihmë në Zot.

Thelbi i ditëve të sotme është familja, besimi dhe shoqëria. Jo vetëm në konceptin e saj të ngushtë, por për ndërtimin e një bërthame të fortë, që t’u bëjë ballë edhe deviacioneve. Ka një mori temash për të rrokur, por ajo që Dom Gjergji kërkon ta shtrojë e diskutojë është familja, martesa, kisha e shoqëria.

“Në përgjithësi e mbaj veten për konservator në mendim, por jam liberal me njerëzit në komunikim”. Kështu tregon Dom Gjergji, ndërsa përballë ka të rinj studentë të UET-së.

Pavarësisht bindjeve të tij të forta te religjiozja, nuk është përjashtues për të tjerët që mendojnë ndryshe. Pikërisht këtu është edhe thelbi i Gjergj Metës, që nuk ka ndryshuar që në kohën kur ishte adoleshent. Teksa ndodhej në gjimnaz, dy gjëra erdhën vetishëm në jetën e tij për të marrë vendimin që të “sakrifikonte” dëshirat, pasionet dhe përkushtohej rrugës së klerit Katolik.

“Historia e martirizimit të klerit dhe shembulli i priftit që kisha në Durrës, e modeli social i saj, më bënë që të ndihesha i thirrur nga Zoti për të dhënë pjesë nga jeta ime, qoftë edhe duke mohuar diçka”-kujton Dom Gjergji.

Ky ishte momenti kur ai nisi rrugën e re të besimit, duke u bërë sot një klerik që po lë gjurmë. Prej tri vitesh, Dom Gjergj Meta ishte në detyrën e zëdhënësit të Kishës Ipeshknore të Shqipërisë, ndërsa aktualisht është Famullitar në Kishën “Shën Luçia” dhe lektor në Institutin Filozofik Teologjik “Nëna e Këshillit të Mirë”, në Shkodër.

Një frymëzim që e ka bërë sot ndër emrat e veçantë të klerit, që nuk qëndron vetëm në “shtëpinë e tij”, por ka miq e kontakte me individë ateistë dhe besimtarë të rrymave të tjera. Dom Gjergji la shenjë edhe për një shkrim që lidhej me pranimin e Shqipërisë në Europë dhe “dilemën” se nuk po na tërheqin drejt familjes së madhe të BE-së, se në Shqipëri ka më shumë qytetarë të besimit mysliman.

“Nëse dikush në Europë sot (apo në Shqipëri) do të shkojë kundër myslimanëve, nesër (por edhe sot) do të çohet peshë kundër katolikëve, e kështu me radhë. Megjithatë unë dëshiroj ta mbyll duke thënë se, nëse është e vërtetë që Europa nuk na pranon, sepse në Shqipëri ka myslimanë, atëherë unë nuk dua të shkoj në Europë, sepse preferoj të kaloj jetën me miqtë e mi të zemrës me të cilët jam rritur, kam ndarë të mirën e të keqen, më janë gjendur e u jam gjendur, por të cilët shpallin një kredo të ndryshme nga e imja, se sa të jetoj me një holandez, a gjerman, a francez me të cilin shpall të njëjtën kredo. Nëse në Europë nuk më pranojnë bashkë me fqinjin tim, i cili shkon në xhami, refuzoj ofertën e vazhdoj jetën”.

Këto ide e bëjnë më të veçantë Dom Gjergjin, të hapur, pa pasur frikë për çka mendon, a si mund të interpretohet, pasi shpirtëroren e ka në Kishë e jetë, ndërsa mendimin e jep edhe për të tjerët.

Ashtu si At Gjergj Fishta, Fan Noli, Ibrahim Dalliu, a Vehbi Dibra, që ishin të ndryshëm në besim, por të bashkuar në idenë e pranimit të tjetrit, sot kjo është më e nevojshme të ndodhë në vijimësi. Rrënjët janë të thella dhe sot liderët fetarë, të paktën në aparencë nuk e njohin ndarjen, apo ta shohin tjetrin si të ndryshëm, e aq më keq, kundërshtar.

Nëse në këtë pikë kemi ende kredite të forta, që na bëjnë një shtet të vogël që ka bashkëjetesë e harmoni fetare, për klerikët ka dilema të tjera, ku raporti i sotëm me bazat e njerëzimit, familja, martesa, ligj dhe shoqëria, shpesh nuk shkojnë në një udhë me njëra-tjetrën, e duket se e ndryshmja po vë në dilemë edhe sjelljen e klerit ndaj shoqërisë, që të qëndrojë strikt religjiozes, apo të jetë më e hapur?!

“Jemi në një krizë të përgjithshme, sa sociale aq edhe shpirtërore. Kisha i ka gjërat e qarta mbi konceptin për familjen, por edhe vetë klerikët shpesh janë në dilemë mbi disa ndryshime që kanë ardhur”, -thotë Meta. Gjithnjë duke iu referuar familjes dhe të mirat që ajo trashëgon me jetën në vijimësi.

“Në traditën e saj, Kisha e ka parë gjithmonë familjen si një realitet që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me shëndetin e shoqërisë. Konçili II i Vatikanit, i ka kushtuar familjes dhe martesës një vend të rëndësishëm në Kushtetutën Konçiliare Gaudium e spes, rreth Kishës në botën bashkëkohore. Në krye të listës së këtyre problemeve, apo çështjeve sikurse i quan Konçili, është pikërisht martesa dhe familja. E do të thosha që martesa dhe familja jo vetëm janë në krye, por përbëjnë edhe themelin e çështjeve të tjera që vijnë më pas”, -argumenton Dom Gjergji, që ngre edhe pyetje që më pas që kërkon përgjigje, po sot, pas 50 vjetësh nga kremtimi i Konçilit, a është familja ende themeli i shoqërisë, ose më mirë të themi a ka pësuar tronditje ky themele, a ka të çara strukturore dhe çfarë mund të bëjmë nëse ka?

“Unë do të ndalem në dy pika. Në atë çka Shkrimi i Shenjtë, e në mënyrë të veçantë Jezusi në Besëlidhjen e re, na thonë për familjen, për të kaluar në një pikë të dytë, atë të përgatitjes për martesë, që përbën themelin e një familjeje të mirë. Familja në Shkrimin e Shenjtë, është një realitet i rëndësishëm, por që me kalimin e kohës dhe të shekujve ka pësuar mjaft shndërrime e, po ashtu, ka kaluar nëpërmjet shumë problemesh”, -shprehet Dom Gjergj Meta.

Në këtë pikë, përveç mendimit të tij, ai u referohet librave të shenjtë.

“Bibla është vërtet një minierë e pasur me historinë e familjes e do të thosha është një histori e familjes. Shembujt e mësipërm dhe të tjerë shembuj, na tregojnë se si mëkati dhe e keqja gjithmonë e ka sulmuar familjen dhe është munduar të zhbëjë pikërisht këtë shenjë të dashurisë së Hyjit. Por, në të gjitha këto raste, ne mund të shikojmë që Zoti pavarësisht nga e keqja e njeriut, arrin gjithmonë të vendosë vulën e fundit. Edhe nga këto konflikte familjare ka dalë diçka e bukur për Hyjin dhe për njeriun”.

Kjo mund të ishte idealja për një njeri fetar, i rritur e jetuar me normat e saj, por evoluimi njerëzor, liria e të menduarit dhe e vepruarit, ka sjellë të tjera realitete. Familja e martesa nuk njihen më vetëm me tradicionalen, dhe tipike, atë që quhet e natyrshme njerëzore, por janë ndodhur edhe në devijime të martesave mes gjinive të njëjta. Këtu përveç religjiozes, futen në linjë legjislacionet, mbrojtja e të drejtave të njeriut, pranimi i tjetrit edhe nëse shfaq shenja të ndryshme nga sjellja jonë.

“Sot po arrijmë në modele të tjera. Martesa të personave nga i njëjti seks. Ligji duhet mbështetur, pasi nuk mund të diskriminohet njeri nga orientimi seksual”-shprehet Dom Gjergji, i vetëdijshëm që edhe nëse kjo temë e ndezur merr shumë debat, përsëri nuk duhet anashkaluar.

“Kisha Katolike mbetet në themel që familja është martesa mes një burri dhe gruaje. Por nëse shteti vendos të ketë njohje të çifteve me gjini të njëjtë, pikëpyetje shumë të forta janë se a do të marrim bekimin në Kishë”, -argumenton Dom Gjergji.

Ai ka mendimin e tij në këtë pikë, që i qëndron fort bazës familjare mes një burri e gruaje, e më pas edhe rritja e fëmijës me frymën prindërore. Por për Dom Gjergjin, nuk duhet të ketë diskriminim, përjashtim, apo anatemim, ndaj me mendje të hapur i rikthehet shpesh shprehjes se ligji duhet mbështetur, pasi nuk mund të diskriminohet njeri nga orientimi seksual.

Dom Gjergji tregon edhe një histori familjare të tijën, ku gjyshërit i janë martuar që në bark, ende pa lindur. Stërgjyshet e tij ishin shoqe dhe patën vendosur që nëse secila do lindte djalë e vajzë, ata do të martoheshin, nëse do lindnin të dy djem, do bëheshin byrazerë, e nëse vajza, do ishin shoqe të mira. Por fati e desh të ishin djalë e vajzë, e sot Dom Gjergji është një nga pinjollët e familjes. Sigurisht që nuk mbetet me këtë traditë ca të hershme shqiptare, por i vë theksin dukshëm bazës së fortë të edukimit për martesë.

“Në familje, edukimi për martesën nuk duhet të nisë kur vajza apo djali të zbulohen se kanë filluar të dashurohen. Vetëm atëherë shumë prindërve iu bie ndërmend se duhet të flasin me fëmijët. Përgatitja në familje është qysh në hapat e parë, në mënyrë të veçantë me shembullin që bashkëshortët, gjyshërit, të gjithë familjarët duhet të japin, të një modeli jetese shembullor. Fëmijët ndoshta nuk dëgjojnë se çfarë u thua, por shohin se çfarë bën ti. Sa prindër sot janë të papërgjegjshëm përballë fëmijëve të tyre? Nuk mendojnë se një ditë ata fëmijë do të rriten e do të shohin se si ti e ke trajtuar burrin apo gruan, apo nënën, apo babën dhe do të bëjnë të njëjtën gjë kur të rriten”, -argumenton Dom Gjergji.

Vetë përjetimi i martesës, i shkueshmërisë bashkëshortore, është mësimi i parë që u jepet fëmijëve dhe të rinjve në rritjen e tyre. Po çfarë ndryshimesh kanë ndodhur në fakt në shoqëritë tona, e pikërisht në shoqërinë shqiptare?

“Mund të them se sot ka ndryshuar shumë mënyra se si të rinjtë e shohin jetën familjare. Nuk mund të them se janë gabim apo janë mirë. Nuk dua të jap një gjykim moral, por mund të them se shumë të rinj nuk e duan më modelin tradicional të familjes. Megjithatë, ata i rikthehen atij modeli sa herë që nuk ndihen të sigurt të ndërtojnë jetën e tyre. Modeli tradicional jep një lloj sigurie, por nuk mjafton. Të rinjtë duan të jetojnë një jetë familjare më të hapur dhe më në përshtatje me kohën, duke qenë se tashmë kanë parë edhe modele të tjera. Ajo që ka ndryshuar shumë, është edhe hierarkia e vlerave. Nëse më parë në familjen e madhe kishte pak rëndësi se kush ishte burri apo gruaja jote, pasi në fakt komandonte një për të gjithë e, rrogat fjala vjen, duhet të dorëzoheshin të gjitha te një person dhe vendimet merreshin prej tij. Sot të rinjtë që martohen kërkojnë më shumë autonomi në administrimin e gjërave, e sidomos të edukimit të fëmijëve” -shprehet Dom Gjergji, i cili në këtë rast nuk është i “ngushtuar” vetëm mbi mendimin teologjik, por edhe atë psiko-social.

Për Famullitarin Meta, e rëndësishme në shoqërinë e sotme është diskutimi, arsyetimi dhe të dëgjosh tjetrin deri në mirëkuptim.

“Në shumë familje ka probleme, sepse pakkush është i gatshëm të dëgjojë arsyet e tjetrit, por dëgjon vetëm arsyet e veta. Vetëm në diktaturë nuk dëgjohen arsyet e tjetrit, nevojat dhe mënyrën se si tjetri e sheh realitetin dhe jetën. Jeta o ndërtohet bashkë, ose ajo gjithmonë do të jetë mbi themele të brishta dhe do të shkaktojë palumturinë e anëtarëve të familjes. Sipas asaj çka na thotë Fjala e Zotit është “I lumë është ai që dëgjon fjalën e Zotit dhe e zbaton atë”. I lumë pra është ai që dëgjon”. Të dëgjosh do të thotë t’i japësh rëndësi tjetrit dhe ai të zërë vend në jetën tënde. Nuk do të thotë vetëm të lash duart se e dëgjove, por edhe të kuptosh arsyet e vërteta se pse po flet e çfarë po thotë. Jam i bindur se sot shumë familje apo bashkësi do të zgjidhnin shumë probleme, nëse do të kishin aftësinë për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe jo vetëm zërin e vet”.

Kështu përfundon idenë e tij, të mbushur me dilema, shumë pyetje e diskutime, por baza e familjes mbetet “djepi” që rrit një shoqëri.

Dom Gjergj Meta e ka të qartë se është aq i ri, sa me kalimin e kohës shoqëria do evoluojë dhe gjithnjë e më shpesh kleri jo vetëm Katolik, por të gjithë liderët e rinj fetarë, do përballen jo vetëm me ateizmin, por edhe me disa devijime nga koncepti i familjes, martesës dhe sjelljes në shoqëri.

Ky shkrim botohet në kuadër të projektit “Udha e Shkronjave” MAPO

SHKARKO APP