“Dosjet Sekrete”/ Dëshmitë e rralla! Zbulohen ‘vizitat’ e UFO-ve në Shqipëri
Gëzim Dapi 45 vjeç, lindur në Tiranë, me profesion është inxhinier mjedisi. Në fillim pati droje që rrëfimi e tij të publikohej: “Të marrin për të çméndur, madje dhe kur ua tregoj këtë histori nuk më besojnë”.
Ajo që i ndodhi një natë vere gushti më shumë se dy dekada më parë, në atë kohë u botua edhe te gazeta “Zëri i Rinisë”, por kaloi pa shumë bujë. Zhvillimet dhe ndodhitë e ’90-s e sfumuan si ngjarje…
“Në verën e vitit 1990, kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak në fshatin Bardhaj në Shkodër. Reparti im ushtarak ishte i mbrojtjes kundërajrore. Ne të gjithë ishim mjaft të instruktuar të njihnim llojet e avionëve ditën dhe natën, po kështu reparti dispononte mjete të teknikës luftarake që dallojnë avionët në distanca të afërta dhe të largëta. Natën e datës 1 gusht isha në vendroje.
Diku rreth orës 02.30 të mëngjesit, një mori dritash (100-150) të vendosura me një rregullsi të çuditshme, le të themi si forma e diamantit dhe me një madhësi diku te 20 metra u shfaqën në qiell me një shpejtësi të madhe dhe me një zhurmë shumë të vogël , aq sa mund të bëjë një tufë me zogj. Nuk ishte as avion as ndonjë mjet tjetër fluturues që ne njihnim, për më tepër kishte shpejtësi shumë të madhe dhe pak zhurmë”
Gëzimi e raportoi ngjarjen e çuditshme te operatori qendror i batalionit të asaj kohe. Aty mësoi se nuk ishte i vetmi. “Si mua e kishin raportuar dhe 5 ushtarë të tjerë në reparte të ndryshme kundërajrore që kishin qenë në shërbim në atë moment. Ditës tjetër eprorët na pyetën gjatë, por në asnjë qytet apo asnjë radar i Shqipërisë nuk e kishte identifikuar veç nesh ushtarëve që e pamë me sy të lirë. Nuk iu dha shumë rëndësi atëherë sepse ishte fill pas hapjes së ambasadave dhe tema të ditës ishin gjëra të tjera. 2 muaj më vonë, këtë ngjarje e botoi dhe gazeta “Zëri i Rinisë” i asaj kohe, por jo me detaje.”
Prej asaj kohe këndvështrimi i inxhinier Gëzimit për objektet fluturuese të paidentifikueshme ka ndryshuar. “Në atë kohë nuk kishte shumë informacione për UFO, thjesht kisha parë disa dokumentarë te RAI. Por tani besoj 100 % dhe shpesh natën vështroj se ndoshta shoh përsëri diçka të ngjashme. Ajo që më ndodhi fillimisht më hapi mendjen ndaj ekzistencës së tyre. Tani ndjek çdo lloj dokumentari apo film ku trajtohen tema mbi UFO-t”.
Jashtëtokësorë në malin e Tomorit? UFO është shkurtim për Unidentified Flying Object, që në shqip do të thotë Objekt Fluturues i Paidentifikuar. Termi përfshin çdo objekt fluturues të cilin shkencëtarët nuk kanë arritur ta identifikojnë.
Gëzimi nuk është i vetmi. Përparim Zaimi, dikur kapiten i lundrimit detar, ka krijuar bindje të thellë për ekzistencën e tyre. Ai ka filluar një kërkim shkencor që prej vitit 1999, ku ka sistemuar dëshmi të ndryshme.
Zaimi ka kryer studimet e larta në degën e Navigacionit dhe është diplomuar në Vlorë si Navigator për Flotën Detare Tregtare. Ka ndjekur studimet për degën Inxhinieri Mekanike dhe më pas për Filozofi. Ka kryer detyra të larta në administratën shtetërore për një kohë të gjatë si drejtor institucionesh administrative, projektues dhe këshilltar ministrash.
Studimi i kryer prej tij, në fushën e ufologjisë, ka kapur një distancë kohore prej të paktën 15 vitesh, ndër të cilat janë ndërmarrë disa ekspedita. Zaimi thotë se punimi i tij nuk bazohet në ndonjë sistem besimi:
“Ka dëshmi të përsëritura sidomos për zonën e malit të Tomorit ku bëhet prej kohësh pelegrinazh. Ajo zonë mendoj se nuk qëndron më në kufijtë e legjendave dhe hipotezave”– thotë ai për DITA.
Ditari i Mihal Gramenos, 1907/ Jo të gjithë e dinë, por i pari dokumentim për UFO në Shqipëri mbetet ditari i Mihal Gramenos. Ai ishte publicist i shquar, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike, Hero i Popullit. Gjatë viteve 1907-1908 luftoi përkrah me çetën e Çerçiz Topullit.
Në librin e tij Kryengritja shqiptare, kujtime luftarake rreth çetës së Çerçiz Topullit, Grameno sjell kujtimet e tij mbi udhëtimet e gjata dhe të vështira të bashkëluftétarëve të Çerçizit mal më mal.
“Një natë teksa luftëtarët e Çerçizit kishin ngritur një limer majë një bjeshke të lartë, na fluturoi përpara një objekt shkëlqyes që qëndroi disa minuta pezull në ajër dhe pastaj u zhdùk” – shkruan Grameno.
Aeroplanët në atë kohë ishin në fazat e para, pra nuk ka mundësi të ketë qenë i tillë. Gjithashtu nuk mund të ketë qenë as meteor dhe as kometë, pasi dihet se ato nuk qëndrojnë pezull në ajër por bien menjëherë. Kështu që mbetet një UFO (objekt fluturues i paidentifikuar).
Shqipëria përmendet edhe në një raport të hershëm amerikan. Raporti i datës 18 Korrik 1947 i Agjencisë Federale të Hetimeve shkruan se:“Disqe janë vërejtur në Mexico City, Neë Orleans, Halifax, Newfoundland, Paris, Milan, Bolonjë, Jugosllavi dhe gjithashtu edhe në Shqipëri”.
Më poshtë janë disa nga raportimet për objekte të paidentifikueshëm në territor shqiptar:
Kallamishtëz, Tepelenë, Janar 1963 –Në janar të vitit 1963, banorët e fshatit Kallamishtëz në zonën e Kurveleshit rrëfyen se panë një objekt të shndritshëm në qiell. Autoritetet qetësuan popullsinë duke iu thënë se ajo që kishin parë ishte një model i ri avioni reaktiv në përdorim nga Forcat Ajrore Shqiptare.
Cërrik, Elbasan, 12 Korrik 1993 –Ishte ora 20:00 kur në qiellin e Cërrikut u shfaq një objekt fluturues i ndriçuar. Objekti bënte lëvizje të shpeshta e të befasishme. Lajmi u përhap me shpejtësi në qytet dhe pati shumë dëshmitarë okularë, përfshirë policinë lokale. Objekti u zhduk nga qielli rreth orës 22:00 (gjithmonë sipas dëshmive okulare).
Roskovec, 4 Maj 2006 –Tre dëshmitarë okularë një grua e rritur dhe dy fëmijë, besojnë se kanë parë një objekt të paidentifikuar që preku tokë. Tre rrathë të zinj të fotografuar një ditë pas “zbritjes” ishin dëshmia e tyre. Gruaja e quajtur Sherife Kola tha se objekti zhyti në errësirë zonën ku ndali dhe përkoi me një rrymë ajrore shumë të ftohtë. Fëmijët tregojnë se petalet e disa trëndafilave ishin djegur kur i kishin vënë mbi gjurmën e lënë nga objekti.
Fier, 6 Mars 2007 –Mbrëmjen e së martës, 6 mars 2007, roja bregdetare Admir Jemishaj në shërbim bashkë me komandantin e tij dëshmuan se rreth orës 19:15 kishin parë një objekt mbi hapësirën e bregdetit të Semanit në Fier. Sipas dëshmisë për 20 minuta objekti ka qëndruar pa lëvizur në hapësirë. Rojat thanë se ai kishte shkëlqim vezullues, ndryshonte ngjyrat dhe formën e diskut, ndërsa ata e kanë parë me sy të lirë dhe me dylbi. “Qëndronte në horizont me detin në një milje lartësi. Ngjyrat i ndryshonin herë pas here, nga jeshile në blu dhe në të kuqe. Për disa minuta kishte vetëm ngjyrë të kuqe ose blu. Ishte e frikshme, por shumë e bukur”, – tregoi për mediat Jemishaj.
Elbasan, 24 Dhjetor 2008 –Katër gjahtarë nga Elbasani treguan se u përballën me një disk mbrëmjen e së enjtes para krishtlindjeve më 2008 rreth orës 20.30, rreth 30 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Katër gjahtarët janë nisur drejt fshatit Vidhas të Komunës së Paprit, në kufi me rrethin e Peqinit. Në të dalë të qendrës së komunës, rreth 7 kilometra larg saj, ata kanë marrë një rrugë pylli. Pasi kanë ecur rreth 15 kilometra, ata janë befasuar në momentin që kabina e makinës së tyre tip fuoristradë është trónditur nga lart dhe motori është fikur. “Na verboi një dritë e fortë ngjyrë blu e çelët dhe një dritë vertikale e kuqe. Për një moment m‘u duk sikur na ndiqnin makinat e pólicisë nga pas”, tregon Muharrem Kaçuli, njëri prej katër gjahtarëve. Sipas tij, djali 25- vjeçar që ishte me ta, kishte dashur të gjuante me çifte në drejtim të objektit të shëndritshëm, por i ati nuk e kishte lejuar.
Vlorë, 21 Korrik 2009 –Një objekt i paidentifikueshëm është parë në orët e para të mëngjesit, në Vlorë më 21 korrik 2009, në zonën mbas Karaburunit, në vendin e quajtur Gjiri i Dafinës, një zonë e qetë dhe e papopulluar. Ky objekt është parë nga disa peshkatarë që dëshmuan se kishte trajtën e një sateliti, me diametër rreth 3 metra. “Ishim duke tërhequr rrjetat e peshkimit, një moment mbi kokat tona kaloi një objekt i madh, qëndroi vetëm 5 sekonda dhe menjëherë u zhduk me shpejtësi. Ngjyra ishte gri në të bardhë… ”, – shpjegoi Shpëtim Alushaj, njëri nga peshkatarët.
Tiranë, Gusht 2010 –Në mesnatën e 6-7 gushtit, në Parkun Rinia në kryeqytet kalimtarët filmuan me kamera amatore tre drita që lëviznin në qiell. Loja me drita u dëshmua në YouTube shumë shpejt. “Në atë moment nuk mendova gjatë dhe ato dy minuta i shijova. Të tre objektet ishin portokalli me formë sferike dhe ishin të shkëputura. Fillimisht na u dukën afër dhe sa vinte e ngriheshin më lart. Njëri qëndroi pak më gjatë, dy të tjerët u zhdukën shpejt” – dëshmoi Rezmie Lulo, kalimtare e rastit.
A ekzistojnë vërtet këto objekte? Pyetja a jemi vetëm në univers gjithmonë e më tepër merr përgjigje mohuese. Sipas profesorit të Fizikës Bërthamore, Stanton Friedman, që ka punuar për disa dekada me misionet më të famshme në hapësirë “jashtëtokësorët ekzistojnë dhe na vizitojnë shpesh.
Friedman beson se “e vërteta rreth UFO-ve, do të shpallet shumë shpejt”.