Dr. Koço Deda, modeli i mjekut patriot

 

Nga Nikolla  Sudar*

Në kujtesën e një populli mbetën të paharruar ata që i qëndruan pranë në të mirë e në të keq, ata, që në momentet më të vështira nuk kursyen asgjë për të. I tillë ishte mjeku patriot, humanisti i rrallë dhe profesionisti virtuoz Dr. Koço Deda. Lindi ai në fshatin Bual të Përmetit më 1898, në një familje të varfër fshatare, por arsimdashëse. Me vështirësi, duke udhëtuar me orë të tëra, ai ndoqi shkollën fillore në Përmet dhe më pas gjimnazin e famshëm të Zosimeas në Janinë. Atë e kreu me medalje ari, prandaj fitoi të drejtën për të ndjekur studimet e larta në Athinë. Por autoritetet e kohës preferuan që bursën t’ia jepnin djalit të një beu dhe jo birit të një fshatari. Në këto kushte djaloshit të dalë nga vegjëlia iu desh që paradite të ndiqte leksionet, ndërsa tërë kohën tjetër të lirë të bënte punë nga më të vështirat, që të siguronte jetesën. Në vitin 1927 ai i mbaron shkëlqyeshëm studimet e larta në Athinë. Për arritjet e tij të mrekullishme fakulteti i ofron katedrën e Patologjisë, por idealisti nga natyra do të largohej që t’i shërbente vetëm popullit të tij me shumë halle. Dr. Koçon në atdhe do ta priste një zhgënjim i madh. Mbas shumë sorollatjeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat e rënduan shumë ekonomikisht, ai fillon punën e nderuar të mjekut, në fillim në Përmet, pastaj në Tiranë dhe përfundimisht në vitin 1936, në Shijak. Në atë kohë kjo nënprefekturë përfshinte një territor shumë të gjerë dhe për afro 65 katunde të saj bashkë edhe me qytetin, kishte vetëm një mjek një infermier dhe një mami. Nga natyra njeri shumë i thjeshtë, i palodhur, me shpirt të rrallë humanisti, Dr. Koço si rrallëkush do të vendoste atë lidhje shpirtërore të mrekullueshme me vegjëlinë e krahinës, e cila e deshi dhe e respektoi, ashtu siç dinë vetëm shijakasit. Me iniciativën e tij ai hapi ambulancën e parë në qytet, por në kushte shumë të vështira. “As vetë nuk e dija sesi do të punoja në këto kushte, – do të tregonte ai më vonë, – Unë u detyrova që të gjitha mjetet e mia të punës t’i sillja në ambulancë. Në shumicën e rasteve udhëtoja me këmbë dhe e quaja veten me fat, kur më ofronin ndonjë kalë apo mushkë”.  Doktori do të fitonte shumë shpejt dashurinë dhe mirënjohjen e të gjithë popullit të Shijakut. Ai u tregua jo vetëm një mjek i aftë e i papërtuar, por edhe njeri me ndjenja të larta atdhedashurie. Me gjithë kundërshtimin e eprorëve, merr në punë në vitin 1940 infermierin gjirokastrit, djaloshin trim antifashistin e flaktë, Koço Kaftani, i cili konsiderohej “rebel” nga autoritetet pushtuese. Në bisedat e tij infermieri do të përsëriste shpesh: “Doktorit unë i mësova të fshehtat e luftës ilegale, kurse ai më mësoi të fshehtat e profesionit”. Fillimi i rezistencës antifashiste shtronte detyra të reja dhe shumë më të vështira për doktorin dhe infermierin gjirokastrit. Të dy ata lëviznin nga njëra bazë në tjetrën, midis partizanësh dhe nacionalistësh për të mjekuar të plagosurit dhe ilegalët. Ky zell i madh ra në sy të autoriteteve pushtuese të cilët edhe e kërcënuan, por doktori gjakftohtë përgjigjej: “Unë kam bërë betimin për t’u shërbyer njerëzve pa dallim!” Në shtator të vitit 1943 plagoset partizani Dum Alla (dëshmor i atdheut), i batalionit të Shijakut. Atë e sjellin në shtëpinë e doktorit (tashmë ajo ishte shndërruar në një spital të vogël ilegal), ku i jepet ndihma e rastit, por plaga ishte e rëndë. Ashtu midis rrezikut (sepse kishte plagë plumbi), doktori e shoqëron për në spitalin e Tiranës, duke kaluar midis postblloqeve naziste. Kështu i ndodhi atij edhe me plagosjen rëndë të kolegut të vet, infermierit Koço Kaftan (dëshmor i atdheut)i, në nëntor të vitit 1943. Të plagosurin e dërgon në Tiranë, kur në vend kishte filluar operacioni i famëkeq nazist i Dimrit 43 – 44. Në tërë aktivitetin e tij asnjëherë Dr. Koço nuk do të arrinte atë kontribut të madh pa mbështetjen e gjithanshme të së shoqes, aktivistes së palodhur, veteranes së organizatës ilegale të grave të Shijakut, z. Anthi Deda (kjo grua kurajoze refuzoi hapur të vishte këmishën “La donna fascista”, megjithatë diktatura më vonë shpesh herë do t’ia pëmendte origjinën nga shtresa e lartë) si edhe të vajzave më të rritura, aktivisteve të rinisë antifashiste, Leonora dhe Violeta Deda.

Shijaku kishte një pozicion shumë të lakmueshëm strategjik, sepse ndodhej midis Durrësit dhe Tiranës, prandaj vlerësohej lart nga pushtuesit. Në vitin 1940 vjen në Shijak me detyrë një oficer i ri, i cili nuk kishte pranuar të bënte betimin fashist në Akademinë ushtarake të Modenas, në Itali. Ai ishte patrioti antifashist Ilia Naska. Shumë shpejt ky oficer trim do të mbështeste ilegalët në Shijak, po ashtu do të lidhej ngushtë me doktor Koçon. Ata do të krijonin atë binom të mrekullueshëm, që do t’i vlente aq shumë luftës për liri. Oficeri patriot Ilia Naska, ndonëse efektiv i karabinierisë, e vazhdoi aktivitetin e vet antifashist në Shijak deri në mesin e vitit 1943, duke rrezikuar seriozisht jetën e vet. Më pas ai kaloi në Jug të vendit, për të luftuar deri në çirimin e plotë nga pushtuesit e huaj. Pas çlirimit miqësia me doktorin do të forcohej dhe Ilia do të bëhej dhëndër i nderuar i tij, duke u martuar me vajzën e madhe, Leonorën. (Dekada me rradhë familja e veteranit të LNÇl Ilia Naska do të persekutohej nga diktatura).  Çlirimi i vendit nga pushtuesit e huaj sikur i dha krah dhe e rinoi doktorin e palodhur. Situata shëndetësore në vend, duke i shtuar dhe pasojat e luftës, ishte katastrofale: fanatizmi dhe paragjykimet bënin ligjin, kurse medikamentet dhe personeli mjekësor mungonin plotësisht. Por asgjë nuk do ta ndalte në punën e tij prej humanisti të vërtetë. Dr. Koço u bë iniciatori për hapjen e spitalit në Shijak dhe në Ishëm, në vitin 1946. Gjithashtu ai dha kontributin e tij për pak kohë në Peshkopi, Mat dhe në hekurudhë, për t’u kthyer përfundimisht në Shijak. Mjek me horizont të gjërë, profesionist i shkëlqyer, njeri i përkushtuar si rrallëkush, ai dha një kontribut të paçmuar në luftën kundër malarjes dhe sidomos sëmundjeve ngjitëse si tuberkulozi, atyre veneriane, epidemive masive si fruthit, lisë, qerosës e zgjebes. I papërtuar ishte ai në dhënien e këshillave të shumta higjenike në të gjithë zonën. Dr. Koço ka nje meritë të jashtëzakonshme në përgatitjen dhe kualifikimin e personelit sanitar, mjaft nga të cilët më vonë u bënë edhe infermierë të aftë. Shumë gjëra do të kishin ç’të mësonin mjekët e sotëm nga ky njeri i rrallë, që nuk pranonte asgjë nga njerëzit, edhe kur i duhej me orë të tëra të ecte në këmbë, rrugë e pa rrugë, në mes të shiut e të ftohtit, për të vizituar dikë. Nuk ishin të rralla rastet kur ky burrë fisnik u blinte me paratë e tij ilaçet të sëmurëve. Por sforcimi i madh fizik dhe mendor do ta lodhte në maksimum dhe do t’ia dobësonte shëndetin doktorit, që u nda nga jeta në vitin 1964, kur akoma mund të jepte shumë për zhvillimin e shëndetësisë. Funerali i këtij biri të dashur të popullit do të ishte i jashtëzakonshëm, megjithëse u varros në Durrës. Kjo do të ishte një shprehje e fuqishme e dashurisë dhe e respektit të popullit të Shijakut për humanistin e madh, mjekun shembullor dhe njeriun e vërtetë, Koço Deda. Për aktivitetin e tyre të palodhur atdhetar Dr. Koço, z. Anthi dhe vajzat Leonora e Violeta  demokracia i nderoi me titullin “Veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Dr. Koço Deda bashkë me bashkëshorten e nderuar z. Anthi, që aq shumë ka bërë për emancipimin e gruas shijakase, rritën dhe edukuan më së miri katër vajzat dhe djalin e vetëm, ndër të cilët Aleksandrën, që u bë mësuese e shkëlqyer e gjuhës dhe e letersisë, Ketin, e cila ndoqi rrugën e të atit, duke u kualifikua si laborante mjekësie e që me përkushtim të jashtëzakonshëm i shërbeu populli t të Shijakut, dhe Nikon, edukatorin e palodhur, kompozitorin dhe shkrimtarin e mirënjohur të letërsisë fantastiko-shkencore. Dhe në këtë rrugë, sa të vështirë aq edhe të nderuar, po çajnë me sukses edhe mbesa Alma, tashmë pedagoge ne disa universitete te vendit si dhe nipi, Kostandini, muzikant i mirënjohur ne Gjermani.

*Historian dhe përkthyes

SHKARKO APP