Drago Jançar, një roman për dhunën, ëndrrat dhe jetën

 

Shkrimtari i njohur slloven, Drago Jançar ishte i pranishëm ditën e djeshme në Festivalin e Librit dhe Arteve për të promovuar botimin shqip të librit të tij “Druri pa emër” nga “Toena”.

Një legjendë e vjetër sllovene thotë se përmes drurit njeriu ngjitet lart, në një botë tjetër. Ashtu si shkrimtarit i është dhënë dhuntia të trillojë duke udhëtuar në një botë sa imagjinare aq edhe reale. Mbi këtë aksiomë duket se e ka ndërtuar shkrimtari dhe eseisti i njohur slloven, Drago Jançar romanin e tij “Druri pa emër”, i sjellë në shqip nga botimet “Toena”. I përkthyer në 21 gjuhë të huaja, Jançar është një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë bashkëkohore sllovene.

Autori ishte i pranishëm ditën e djeshme në Festivalin e Librit dhe Arteve gjatë promovimit të librit. Duke i zhvendosur ngjarjet nga epoka postkomuniste e Sllovenisë te periudha e Luftës së Dytë Botërore, “Druri pa emër” është kryevepra e Jançarit, një histori imponuese dhe universalisht domethënëse e një individi që përballet me shtrëngimet e vendosura mbi të vërtetën nga kultura e tij dhe çdo kulturë tjetër. Romani ndërthur kohë, fate njerëzore, individë e shoqëri. “Druri pa emër” është një roman për dhimbjen, një personazh endet në kujtimet fëmijërore rreth mësuesve, për të cilën zbulon se partizanët ia qethën flokët si dënim për dashurinë e saj ndaj majorit italian. Përmes rrëfimit dhe karaktereve, autori flet për shoqëritë postkomuniste, ndikimin e së shkuarës në të tashmen dhe dhimbjen njerëzore.

“Derisa t’i kemi ëndrrat, pra edhe ëndrrat për bukurinë, ndonëse nganjëherë në trojet e errëta historike bota do të ketë kuptimin e vet”, – është i mendimit autori. Heroi kryesor, Janez Lipniku, po ashtu edhe personazhet e tjerë vendosen në dy kohë. Një Don Zhuan i kohëve moderne, që tallet dhe përqesh marrëzinë e luftës, që shijon jetën me vrull dhe adhurim si të ishte dita e fundit. Në kohën e territ shpërthen dashuria, në pamjen e vet të një shfrenimi seksual, si një sfidë kjo ndaj luftës dhe tmerreve të saj.

Libri “Druri pa emër”, në thelbin e vet është një roman ekzistencial i qenies njerëzore, një klithmë për jetën edhe në zjarrin e luftës, që na vjen si makth i kohëve moderne.

Mapo

SHKARKO APP