“Dritëhije shprese”

  Prof.as.dr Agron Agolli

Publicisti i njohur gorar Besnik Bedollari ka dalë para lexuesve me botimin e tij të ri në gjininë e novelës. Ishim mësuar me tregimet e tij në “Zambakët që freskojnë lotët e mallit” e vitit 2013 dhe publicistikën e paraqitur në librin “Duke ndjekur ritmikën e jetës” të botuar në vitin 2016. Kam shkruar edhe për dy librat me poezi të këtij autori Ujëvarat e fyellit” 2010 dhe “Hapa vargjesh nën gjethe” të 2012 dhe me thënë të drejtën ndërsa prisja që ai të na dhuronte ndonjë vëllim tjetër me poezi, ndodhi çudia e radhës duke na ardhur novela e parë e këtij krijuesi me një titull mjaft kuptimplotë të quajtur“Dritëhije shprese” . Autori e fillon novelën me një prolog të shkurtër por që në thelb përmbledh gjithë subjektin e kësaj vepre, të cilin e kupton më mirë pasi e ke lexuar atë deri në fund. Subjekti i novelës lidhet me dashurinë e dy të rinjve në një qytezë të vogël Dorjanit dhe Elenës. Që në fillim mund të them se autori këtë temë të rëndësishme, konkrete, të prekshme por dhe të vështirë, ka arritur që ta konceptojë drejt dhe paraqesë me zgjuarsi e mjaft mjeshtëri artistike tek lexuesi. Lexon librin dhe menjëherë konstaton se autori flet me seriozitet dhe përgjegjësi për dashurinë, këtë ndjenjë të bukur e fisnike që natyra i ka dhënë njeriut. Mesazhi i qatrë i novelës është se “Jetën, këtë dhuratë të çmuar që natyra ia fal njeriut vetëm njëherë, duhet ta vlerësojmë drejt si një çast sa të shkurtër aq dhe të mjaftueshme për të bërë mbrekullira, ndaj duhet jetuar me  besim, optimizëm, me guxim, shpresë e pasion dhe mbi të gjitha me dashuri të pastër e të sinqertë”. Dhe të vjen mirë e ndjen kënaqësi të veçantë kur librin e shkruan një krijues i ri në shpirt, në moshë e në mendim edhe pse dashuria s’ka moshë e për të kanë shkrojtur e mund të shkruajë kushdo. Libri lexohet me kënaqësi, pasi ka personazhe konkretë, bindës që nuk i rrinë jetës tek bishti i urës por guxojnë ta jetojnë atë me gjithë situatat e krijuara. Proza e Besnikut në këtë novelë ka mjaft ndjenja të pastra, dhimbje të sinqerta, dialogim në vetvete të personazheve, forcë të brendëshme, dinjitet e shpirt të paepur. Arkitektura e librit është unike mes episodeve që lidhen natyrshëm me njëri-tjetrin dhe e mbajnë lexuesin të mbërthyer pas subjektit të novelës. Autori është realist në parashtrimin e ngjarjeve pa harruar kontekstin jetësor që akoma është i vështirë e shpesh pengon këndvështrimet e reja në parashtrimin e ngjarjeve e fenomeneve.Është meritë e autorit që peronazhet e tij, janë tipa realist sikundër ndodh në ditët e përditëshme, me gjallërinë, vrullin dhe dinamikën e tyre të cilët kanë një motiv e ideal fisnik për jetën, e duan ta ndërtojnë vetë, duke i përballuar vështirësitë e sfidat e shumta të saj me vullnet, mençuri e  shpresë për të ardhmen. Mendoj se personazhi kryesor i kësaj novele është Elena, një vajzë jetime që nuk ka ndierë dorën e ngrohtë të prindërve, kujdesin dhe ngrohtësinë e dashurisë familjare por që jeton kohën me tërë sfidat e saj, me shpresë dhe gjallëri për një të ardhme sa më të mirë. Edhe kështu sikundër paraqitet nga fillimi në fund kjo vajzë gjimnazi kapërcen pengesat e realitetit për të dalë në rrugën e jetës pasi ka në shpirt shpresë, dritë, dëshira e ndjenja fisnike që s’ndrydhen e s’shuhen dot për të shkaktuar pastaj dhimbje, plagë e dëshpërim. Kjo cilësi dhe virtyt i karakterit të Elenës e përshkruar në tërë metamorfozën e njohjes dhe përjetimeve me Dorjanin, të cilit me shumë guxim e kurajo i shfaq dashurinë e sinqertë, sfidon doke e zakone të prapambetura dhe si një zog i lirë nis fluturimin në hapësirën e ëndrrave të jetës. Ajo si vajzë pa komplekse arrin të na tregojë se cili është sot vizioni i një vajze të re në Shqipëri që mbron me krenari e dinjitet vazhdimësinë e jetës, ato tinguj zemre që i  çojnë peshë kraharorin rinor. Sa bukur lidhet ky moment i shfaqjes së dashurisë nga një vajzë, kur në tërësi është djali ai që  merr guximin, në përshkrimin mjeshtëror të autorit, që me fjalë të bukura e kuptimplote, arsyetim e dritë mendimi, saktësi e dinjitet, mbron ndjenjën me të bukur e me fisnike të kësaj moshe. Me të drejtë mendon se personazhet e kësaj dashurie që s’kanë komplekse e mirëkuptojnë njëri-tjetrin, e kanë parasysh  një thënie të  vjetër të një gazetareje profesioniste Zenepe Luka e cila nder të tjera  shkruan: Kur më the të dua/ s’të thash asnjë fjalë/ këtë mund ta thotë çdo vajzë apo djalë/por që më përfole sepse refuzova/ këtë shok i dashur asnjeri s’ta fal.Në angazhimin e dy të rinjve për këtë akt sublim të pranverës së jetës së tyre e cila për këdo vjen njëherë, rri pak, ikën e s’kthehet kurrë, gjejnë shprehjen e tyre edhe vargjet e bukura të poetit të madh Hungarez Shandor Petëf kur shprehet:Për dashurinë jap jetën/ për Atdheun fal dhe dashurinë… mesazhe që i dëgjojmë nga goja e personazheve të veprës jo  vetëm në fillim të njohjes së tyre por edhe pas largimit të Dorjanit në Gjermani. Apo le të sjellim këtu disa vargje të të madhit Dritëro “Të përndjekurit nga dashuria” ku thotë: pranvera vjen nëpër baltë/ pranvera vjen në lule e hijeshi/ bletës i thotë nisu për mjaltë/ vajzë i thotë bëj dashuri etj.Vendimi i papritur i Elenës për të shkuar dhe gjetur të dashurinë e saj, pa marrë parasysh pengesat e shumta dhe peripecitë e papritura të rrugëtimit e dëshmojnë më së miri këtë gjë. Edhe pse në pamjen e parë kjo duket si një aventurë, kur Dorjani nuk dinte gjë  për rrugëtimin, mund të përligjet dhe justifikohet deri diku nga forca e suprizës që ajo mendonte t’i bënte të dashurit të saj  lidhur me krijesën që prisnin në të ardhmen. Mbase tjetër rrjedhë mund të kishin marrë ngjarjet e novelës po të dinim më përpara edhe mendimin e Dorjanit, por ndoshta autori e ka lënë për më tutje këtë detaj, ashtu sikundër ne nuk dimë se çdo të bëhet më tej me rrugëtimin e Elenes për të arritur objektivin e saj. Një përfundim i tillë ashtu sikundër është fillimi i një zgjidhje për t’u bashkuar në folenë e tyre të dashurisë, mund të jetë edhe një vazhdim i mëtejshëm i kësaj vepre nga autori për ta ngritur në nivelin e ramanit.Unë do të dëshirojë variantin e dytë pasi Besniku pasi i ka lëvruar me sukses të gjitha gjinitë e tjera le ta provojë edhe këtë. Edhe pse në këtë vepër lëvizin vetëm  tre personazhe, pa përmendur mësuesen e letërsisë për esenë përshkruese që provokoi dhe pastaj shtjelloi gjithë jetën e Elenës, nëpër sythet e saj lëvrijnë shumë njerëz që natyrshëm  i vijnë në takim realizimit të subjektit konkret të novelës. Pavarësisht se si duam ne të përfundojë ngjarja dhe si mund të jetë fati i personazheve, autori me fjalë të vërteta, kolorit të pasur figurash, ka ditur të shprehë botën e brendëshme të të rinjve duke lënë nëpër të e pas tyre të pathënat që i di vetë në formën e disa enigmave mahnitëse që i shkojnë përshtat. Konstatimi i tij se dashuria e vërtetë është e rrallë, se ajo lind, rron e vdes në sy, që jeta është lulja dhe dashuria mjalti i saj, janë pasuri por edhe ornamente të rralla  nëpër rrjeshtat e kësaj vepre në hapësirën gorare e më gjërë. Novela është e bukur pasi edhe autorit i pëlqen e bukura, ka individualitet, qartësi shprehjeje e lirizëm të këndshëm që u jep gojë e fytyrë ndjenjave rinore, thjeshtësi e vërtetësi, një hap më tej që ngre e lartëson figurën dhe personalitetin krijues të Besnik Bedollarit.

SHKARKO APP