Durrësi i nëndheshëm, dalin në dritë mure romake të shek.V

Një zbulim i rëndësishëm është bërë në Durrës. Bëhet fjalë për një objekt publik të gjysmës së dytë të shekullit V, pas erës sonë. “Ky gërmim është pjesë e një projekti kërkimor shkencor të ideuar dhe financuar nga Instituti i Arkeologjisë. Qëllimi i projektit është kërkimi i natyrës urbane, ekonomike dhe kulturore të Dyrrachiumit në antikitetin e vonë”, thotë arkeologia Brikena Shkodra.

Sipas saj, janë dy struktura të rëndësishme publike, që shkojnë në rreth 3 metra thellësi. Një pjesë e mureve janë dëmtuar nga ndërtimet përreth. Muri ka të dukshme disa vrima që shihen të jenë në vijë simetrike horizontalisht. “Në të paktën 3 nivele të vona dyshemeje dhe ripërdorimi të hapësirës, që zgjat nga shekulli VII, deri në shekullin XIV, të cilat i kam identifikuar përgjatë gërmimeve, mund të kenë shërbyer për vendosjen e trarëve të dyshemesë. Kjo duhet studiuar me kujdes, pasi është i paqartë funksioni i tyre”, thotë Shkodra.

Muret e dala në dritë ndodhen në qytet, pak metra nga bashkia. “Vendndodhja e sondazhit të realizuar këtë vit është në një pozicion mjaft të favorshëm në raport me vendgjetje të tjera të rëndësishme në qytet”, sqaron arkeologia, duke vënë në dukje se “pak metra në drejtimin jugperëndimor nga kjo pikë ndodhet monumenti shumë i rëndësishëm publik i Dyrrachiumit antik të vonë, Forumi Bizantin. Ndërsa pak metra në drejtimin tjetër verilindor njihen gjithashtu mbetjet e një strukture tjetër të rëndësishme të së njëjtës periudhë. Pra bëhet fjalë për një zonë ku përqendrohen godinat më të rëndësishme publike të qytetit romak të vonë”.

RËNDËSIA
Sipas arkeologes, zbulimi i sivjetmë u shtoi këtyre të dhënave të deritanishme mbetjet strukturore të një godine tjetër tepër të rëndësishme të së njëjtës periudhë, që mund të ketë pasur funksion publik ose religjioz. “Bëhet fjalë për mbetje muresh, të ruajtura deri në 3.50 m lartësi nga niveli i përdorimit të antikitetit të vonë, ndërtuar cilësisht me tulla të lidhura me llaç dhe dekoruar me afresk mural. Teknika tepër cilësore dhe precize e ndërtimit si dhe detajet e shumta arkitektonike të dokumentuara flasin për një ndërmarrje ndërtimore tepër të kushtueshme për kohën, ashtu si edhe rëndësinë strategjike të kryeqendrës së provincës romake të vonë Epirus Nova, Dyrrachiumit”. Shkodra, bën me dije se “teknika e ndërtimit mund ta përcaktojë kronologjikisht këtë strukturë në gjysmën e dytë të shek.V ose gjysmën e parë të shek.VI. Studimi i materialit arkeologjik të përftuar nga gërmimi besoj se do të na krijojë mundësinë të përftojmë të dhëna më të mirëpërcaktuara datuese”.

Nga ana tjetër, konfirmimi i funksionit të këtyre mbetjeve varet shumë nga mundësia e kërkimeve të mëtejshme në të ardhmen. Në muajin qershor të këtij viti, falë një projekti bashkëpunimi mes arkeologëve shqiptarë dhe atyre francezë, shtresa të reja helenistike të cilat shtrihen nën zbulimet arkeologjike romake, zbulojnë misteret e historisë mijëvjeçare të Dyrrahut antik. Atëherë, arkeologia Shkodra u shpreh se “po kërkojmë të gjejmë prova që konfirmojnë ose hedhin poshtë teorinë e ngritjes së murit jugperëndimor bizantin që kalon nga Kulla Veneciane deri në lartësinë 98 metra te Vila e Zogut, mbi struktura më të hershme romake apo helenistike”. Ajo sqaronte se “duam gjithashtu të gjejmë data dhe të dhëna arkeologjike që konfirmojnë burimet historike për ndërtimin e murit bizantin nga perandori Anastas, qytetar i Durrësit”.

/GSh

SHKARKO APP