Durrësi, qytetit 3 mijë vjeçar i gdhendur në gur

Nga Artur Ajazi/Durrësi si një nga qytetet më të vjetër të Shqipërisë afro 3 mijë vjeçare, si vendbanim ilir i fisit të Taulantëve, ka të dëshmuar jetën e tij që në prehistori, bazuar në gjetjet arkeologjike dhe dëshmive të autorëve antikë. Ka mbijetuar në shekuj deri në ditët e sotme. Qendër e rëndësishme portuale, administrative, kishtare, ekonomike, tregtare, politike, etj në shekuj, e kurdoherë i pranishëm në historinë e Pellgut të Mesdheut, veçanërisht në detin Adriatik. Muzetë dhe objektet e monumentet e vizitueshme, si dhe vetë qyteti me rrethinat e afërme të Durrësit, i pasqyrojnë më së miri vlerat historike, arkeologjike, etnografike, natyrore e urbanistike. Turisti i huaj e vendas ka se çfarë të shohë në qytetin e Durrësit, përveç një akomodimi gjithnjë e më cilësor. Amfiteatri, ndërtim i fundit të shek.I fillimi i shek.II pas.K., ndër monumentet e këtij lloji nga më të mëdhenjtë e perandorisë romake, dhe i vetmi në vendin tonë. Ai merrte deri në 15.000 spektatorë, elipsi i tij me përmasa 120×101 m, dhe boshti i arenës 61x42m. Prania e tij është pikë referimi në organizimin urbanistik të qytetit. Termat publike, ndërtim i shek.I pas.K., ndodhet nën themelet e Pallatit të Kulturës e teatrit “Aleksandër Moisi”.Arti i mozaikut, shumë prezantues në Durrës, ç’ka dëshmon për një art muziv në shekuj në këtë qytet, me shkollë e atelie mozaiçistësh. Kështu përmendim, mozaiku “Bukuroshja e Durrësit”, i gjysmës së dytë të shek.IV para.K., zbuluar gjatë Luftës së Parë Botërore, nga trupat austro-hungareze , prej arkeologut austriak Praschnicher, rizbuluar në vitin 1947 në bazë të koordinatave të lëna prej tij, sot i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.Mozaiku “Me Hipokamp”, në lagjen nr.3, zbuluar në vitin 1947, bardhë e zi, i përket një godine luksoze, të periudhes romake, datohet e shek. I mbas.K.Mozaiku “i Amfiteatrit”, i ndërtuar në kapelen e vogël të këtij monumernti . Mozaik shumë ngjyrësh paraqet shenjtorët Stefan, Sofi e Irene, si dhe figura laike e perandorit Aleksandër. Ka mendime të ndryshme për datimin e këtij mozaiku, si shek.VI mbas.K., e disa të tjerë në shek.X. Mozaiku i “ Bazilikës së Arapjat”, mozaik shumë ngjyrësh, me dy emblema, njëra e Eukaristisë, dhe tjetra Bukolike, me sipërfaqe 54 m.q.në aneksin funerar, martirium, të kësaj bazilike, datuar në shek.VI mbas K., mozaik me vlera të radha artistike, për nga kompozimi dhe realizimi artistik.

Monumente nisin me Rrethoren Bizantine

Ndërtuar në kohën e Perandor Anastasit I (491-518), me origjinë nga familjet senatoriale

të Dyrrahut. Ajo është ndërtuar me material tulla e llaç, ndërtim karakteristik i kësaj periudhe, ku shënohen mbi tulla dhe vula të këtij perandori, si dhe të punishteve shtetërore, ergasterive. Bëhej rrethimi i qytetit me kurorë të trefishtë, gjatësi lineare 3,5 km, lartësi muresh 12 m, gjerësi, siç vinte në dukje historiania bizantine A.Komnena, sa për të kaluar brinjas njeri tjetrit katër kalorës. Edhe perandori tjetër me origjinë ilire, Justiniani (527-565) ndërmori vepra me karakter mbrojtës, siç njihet, Portëza, ose Porto Romano, në veri të qytetit.

Forumi bizantin (Macellum )

Ndodhet prapa Pallatit të Kulturës “A.Moisiu”, fundi i shek.V mbas K. Së bashku me

Termat publike,të periudhës romake, poshtë themeleve të pallatit të Kulturës, krijon një ansambel, një “ishull arkeologjik”, në qendër të qytetit. Bazilika e Arapajt, trikonkë, shek.VI mbas K., përmasa 69×28 m, një nga bazilikat e mëdha të vendit, me tre nefe, atrium e kuadriportik. Ndodhet 6 km. në lindje të qytetit, në zonën turistike të Plazhit.

Torra veneciane

Ndërtim karakteristik i shek.XV, kullë e rrumbullakët, ndërtuar me blloqe guri gëlqeror, ku ndërfuten dhe pjesë arkitektonike të periudhave të mëparshme, siç është blloku i gurit gëlqeror me figurën e Hermesit, në funksionin e mbrojtësve të tregtarëve. Po e kësaj periudhe është dhe Kështjella e Sipërme, edhe këtu një kullë e rrumbullakët.

Kulla e Karl Topisë

Njihet e tillë rezidenca e Princ Karl Topia, që i dha autonomi politike qytetit të Durrësit. E quante veten “Princ i Arbërisë”, Venediku e cilësonte “Zot i Arbërisë në viset bregdetare të Durrësit”, kurse Papa, më 1374, i njeh titullin, “Kont i Madh i Arbërisë”.

Muri Turk

I ndërtuar nga pushtuesit turk, duke e kthyer qytetin, pas vitit 1501, në garnizon ushtarak. Përgjatë këtij muri ndërtohet dhe Kulla me Sahat, dhe në brendësi të “Lagjes Kala”, ndërtohet Hamami Mesjetar dhe jashtë tij. Muzeu Kulturës Popullore. Hapur në vitin 1982 në ambientet e Shtëpisë karakteristike durrsake, e gjysmës së dytë te shek.XIX. Janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtërisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij. Përmban koleksion të pasur të veshjeve popullore të trevës etnografike të kësaj zone të Shqipërisë së Mesme, si dhe punime artizanale në material lesh, mëndafsh, pambuk, bri, bakër e gur.

Shtëpia muze “Aleksandër Moisiu”

Është inauguruar në shtator 1982. Këtu ka kaluar fëmijërinë e tij aktori me origjinë shqiptare A.Moisiu, në vitet 1884-1889, ku ka kryer dhe vitet e shkollës fillore. Në dy dhoma shpalosen në stenda biografia e tij familjare e artistike bazuar në dokumente autentike; kurse në dhomën e dytë paraqiten vepra arti të krijuesve vendas për figurën e aktorit të madh.

Salla e Relikeve të Luftës Dytë Botërore

Është inauguruar fillimisht në vitin 1969 dhe ka ardhur duke u pasuruar. Ajo ndodhet në katin e dytë mbi Kompleksin e Dëshmorëve të Qarkut të Durrësit, dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore (1939-1944), dhe krahas tyre janë varrosur edhe eshtrat e dëshmorëve të Lëvizjes Patriotike të fillimit të shek.XX. Në sallën e relikeve janë ekspozuar edhe armët trofe të Luftës së Dytë Botërore, objekte personale të dëshmoreve etj.

Muzeu Arkeologjik

Muzeu i vjetër është inauguruar në mars 1951, kurse i riu më 13 prill 2002. Muzeu është i përmasave kombëtare. Ka te realizuara pavijonin e prehistorisë dhe të antikitetit, e të asaj postbizantine, ku janë ekspozuar rreth 2000 objekte arkeologjike të dala nga nëntoka muze e qytetit. Aktualisht është në proces ngritja e pavijonit të mesjetës, i cili ngjall interes dhe kureshtje për vizitorët.

Pusi i Tophanes

Pusi i Tophanes, që gjendet pothuajse në qendrën e qytetit, ngjitur me godinën e Prokurorisë, dhe që fatmirësisht nuk është prishur, është një tjetër vlerë e lashtësisë së qytetit. Durrësi ofron një larmi ndërtesash kulti për të vizituar për besimtarët e shumë feve. Mund të vizitoni xhaminë apo kishën ortodokse që datojnë që nga shekulli XI-XII she XIX respektivisht. Të gjitha këto objekte kulti të restaura dhe funksionale. Xhamia Fatih, ndërtuar me 1503, mbi rrënojat e një bazilike të shek.XI-XII, mban emrin e Sulltan Pushtuesit (Fatihu), Sulltan Mehmetit II, ndërtesë tipike e kultit muhamedan, e restauruar dhe funksionale. Kisha katolike “Shën Luçia”, datuar e vitit 1907, kishë e tipit romanik, e restauruar është aktualisht funksionale. Kisha ortodokse “Shën Gjergji”, ndërtuar nga fundi i shek. XIX, restauruar, dhe mbetet e vizitueshme dhe funksionale, po ashtu Xhamia e Re, ndërtuar në vitin 1937, restauruar vitet e fundit, apo Kisha Orthodokse “Shën Asti e Shën Pali”, e cila u ndërtua në vitin 2001, janë sot funksionale  dhe të vizitueshme nga turistë.

SHKARKO APP