Dy fjalë zemre për Jorgo Bulon e paharruar

 

“Shkuarja e profesor Jorgo Bulo, në largësinë e pakthim është humbje e madhe për shkencën  e albanologjisë. Shqiptarët mbetën pa gjuhëtarin, studiuesin dhe njohësin e jashtëzakonshëm të letërsisë shqipe, pa filologun, historianin dhe kritikun letrar, pa personalitetin e dalluar shkencor”…

Nga Gjekë Gjonaj

Swiss Digital Desktop Reklama

Të njohësh njerëz e personalitete siç ka qenë akademiku ynë i njohur Jorgo Bulo është nder, kurse ta kesh mik atë, është më tepër se kaq. Këtë privilegj e kam patur edhe unë që nga viti  2004, kur  u takuam për herë të parë në një aktivitet në Tiranë, në kohën kur ishte Drejtor  i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë të Akademisë të Shkencave.

Swiss Digital Mobile Reklama

Takimi njohës-Në këtë takim  tek ai vërejta dy  gjëra që  unë përgjithmonë do t’i mbaj në kujtesën time: Cilësinë e lartë shkencore dhe thjeshtësinë njerëzore. Shquhej edhe për aftësinë e  komunikimit dhe për përkushtimin në  marrëdhëniet me njerëzit. Këto karakteristika e përcollën  deri në  fundin e  jetës. Meqë atë vit projekti më i rëndësishëm i institutit të cilin ai e drejtonte ishte botimi i Fjalorit, të sinonimeve të gjuhës shqipe dhe përfundimi i Fjalorit enciklopedik, në të cilin do të përfaqësohet gjerësisht bota shqiptare, ngjarjet, personalitetet dhe padyshim fushat tona të albanologjisë. Historia, gjuhësia, historia e letërsisë,  historia e artit, respektivisht kultura në përgjithësi. I propozova një intervistë të cilën ai e pranoi me kënaqësi e korrektesë të admirueshme, e cila më pas u botua në shumë gazeta e revista në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në diasporën shqiptare.

Dashuria ndaj Ulqinit dhe personaliteteve shqiptare-Gjatë dymbëdhjetë  vjetëve të kaluara  jemi takuar shumë herë në aktivitete të rëndësishme kulturore në Ulqin e Tiranë. Ai  me kënaqësi vinte në Ulqin. E donte shumë këtë qytet, ku fliste për vlerat historike e kulturore të Ulqinit. Po ashtu edhe për personalitetet e këtij qyteti të lashtë. Me rastin e ardhjes së tij në përkujtim të veprës së Dom Simon Filipajt më patë thënë: "Shënimi i kësaj veprimtarie është një ngjarje kulturore, sepse botimi i librave të tillë siç është Bibla është padyshim ngjarje e madhe e një populli. Dom Simoni ka bërë një punë të madhe krijuese, sepse  realizoi kështu një përpjekje shumëshekullore të klerikëve, të intelektualëve shqiptarë, për t’i dhënë popullit tonë tekstet e shenjta në gjuhën e tyre".

Shoqërimi ynë i fundit-Takimi im i fundit me mikun tim të respektuar dhe studiuesin e shquar të letërsisë shqipe, Jorgo Bulo ishte i pak javëve më parë në hotelin “ Mediteran” në Ulqin në ceremoninë e dekorimit të studiuesit nga Ulqini Prof.Dr Ruzhdi Ushakut me medaljen “ Nderi i Akademisë”,  që  ju dha nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Në ndarje, profesor Jorgo  Bulo në prani të  akademikut Muzafer Korkutit, Prof.Dr. Ruzhdi Ushakut, Prof.Dr. Begzad  Baliut dhe Prim.Dr.Gani Karamanagës, i dhurova dy librat e mi të fundit.  Edhe  në mbrëmje të kësaj veprimtarie, por edhe të nesërmen në mëngjes gjatë drekës, dukej mjaft vital. Reflektonte energji pozitive, si gjithmonë. Fliste me një diksion të qetë e të natyrshëm. As unë, por as  kolegët dhe  miqtë e tij nga Ulqini, që atë ditë ishim në krah të tij nuk mund të imagjinonim se ato, do të ishin çastet e fundit të shoqërimit me profesorin  dhe mikun tonë të paharruar. Dhe ja  ndodhi e papritura.

Ndarja  e papritur nga jeta-humbje e madhe-Nga mediat shqiptare në internet u njoftova me hidhërim të thellë se Jorgo Bulo, ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur në një aktivitet  në Përmet më 26 nëntor 2015, si pasojë e një sulmi  në zemër në moshën 76 vjeçare. Në këto çaste më erdhi në mendje gjithë ajo punë  e madhe, gjithë ajo vepër e tij, që do ta bëjë të pavdekshëm dhe të paharrueshëm. Jorgo Bulo pas vetes la një thesar të përjetshëm. Disa prej botimeve të tij janë: Fjalori Enciklopedik Shqiptar, “Shpirti i fjalës”, “Historia e Popullit Shqiptar”, “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit”, “Kosova në vështrim enciklopedik”, “Magjia dhe magjistarët e fjalës”, “Historia e letërsisë shqiptare”, “Tradita dhe risi letrare”. Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me disa çmime ndërkombëtare si:“Penda e argjendtë”, dhe “Faik Konica”.

 Jorgo Bulo gjithashtu ishte bashkautor dhe redaktor i një sërë botimesh të rëndësishme dhe përmbledhjesh studimore, si “Omar Khajami midis Fan S.Nolit dhe Hafiz Ali Korçës” (2010); “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (2008); “De Radës: me rastin e 100 vjetorit të vdekjes”, (2003), “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” (2002) “Historia e Popullit Shqiptar” (2002); “Kosova në vështrim enciklopedik” (1999); “Historia e letërsisë shqiptare: që nga fillimet deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare” (1983), etj.

Shkuarja e profesor Jorgo Bulo, në largësinë e pakthim është humbje e madhe për shkencën  e albanologjisë. Shqiptarët mbetën pa gjuhëtarin, studiuesin dhe njohësin e jashtëzakonshëm të letërsisë shqipe, pa filologun, historianin dhe kritikun letrar, pa personalitetin e dalluar shkencor. Ai nuk do t’u mungojë vetëm familjarëve, por të gjithë neve, studimeve letrare dhe studimeve akademike.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?