“Dyshoj se vëllai binjak është gjallë”, pas 34 vjetësh motra e kërkon: Dy javë pas lindjes, mamit i thanë se nuk ia doli dot, s’na dhanë as trup
Historia e dhimbshme e 34-vjeçares nga Korça Eglena Capuni ka ardhur sot në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24. Motra kërkon vëllain binjak, i cili ka humbur dy javë pas lindjes. E gjithë historia e dhimbshme nis në datën 2 maj të 1986 në maternitetin e Korçës.
Në këtë ditë të trishtë dhe të lumtur njëkohësisht vijnë në jetë dy binjakë, një djalë dhe një vajzë. Nënës i thonë se djali është i dobët me shëndet dhe duhet mbajtur disa ditë në inkubator. Sipas tyre, ky ishte një mashtrim nga stafi i mjekëve për të humbur gjurmët e fëmijës, të cilin e transferojnë në një tjetër vend. Nëna e dy binjakëve pëson hemorragji dhe nuk i ushqente dot me gji të vegjlit.
Çdo ditë doktorët informonin për gjendjen e fëmijëve, por gjithçka përmbyset me datën 17 maj të vitit 1986, ku doktorët i thonë nënës së tyre se djali binjak ka ndërruar jetë. Nëna e lënduar në shpirt humbet ndjenjat dhe mjekët i bëjnë qetësuese, duke e lënë 3 ditë në gjumë.
Varrimin e të ndjerit e bën spitali, duke e manipuluar një veprim të tillë me dhimbjen e familjarëve. Por motra binjake, Eglena Capuni, gjithmonë e ka ndjerë se vëllai i saj është gjallë. Kjo ndjesi e brendshme e ka shtyrë të bëjë disa kërkime në maternitetin e Korçës, duke zbuluar disa të vërteta të dhimbshme. A do ta gjejë motra vëllain? Për këtë 34-vjeçarja iu drejtua emisionit “Me Zemër të Hapur”.
“Ditët e para në maternitet thanë që djali është mirë, pastaj iu thanë që djali nuk ia doli dot merrni vetëm vajzën.
Halla që e shikonte mami thoshin që djali është mirë. Mami e dinte që i kishte binjakë dhe doktori ia kishte thënë këtë gjë. Mos i merrni i thanë gjyshit të dy.
Kam parë emisionet që janë gjendur të gjithë dhe kishim shpresë se do ta gjenim dhe ne, filluam të besonim se mund të ishte gjallë”, u shpreh Eglena.
Nëna e saj Donika Yzeiri tregoi gjithë ngjarjen e atij viti dhe lajmin e hidhur nga mjekët.
“Nuk ka mundësi më tha në fillim doktori të kesh dy fëmijë, pastaj vuri dorën dhe më tha, ‘ja paske dhe fëmijë tjetër’. Pastaj e pamë lindi, më thanë se ishte i vogël do ta fusin në inkubator. Me aq sa pashë unë nuk ishte i vogël, normal mu duk sa vajza. Pas 3 ditëve më kanë sjellë vajzën, për djalin më thoshin është mirë po nuk ngrihesh ta shikosh dot. Në datën 16 ka ardhur vjehrri se në atë kohë s’linte njeri të vinin njerëz në maternitet. Vjehrri më tha se i kishte thënë doktori se djali kishte ndërruar jetë ‘bëhu e fortë do marrim vetëm vajzën’. Mua më thanë nuk është mirë të merrni dy fëmijët, atë që ka vdekur do ta marrim ne ta varrosim. Mua më ra të fikët dhe kur hapa sytë isha në shtëpi.
Morëm nga spitali vetëm certifikatën për lindjen e vajzës, për djalin e pajetë nuk na dhanë asnjë gjë. Nuk më vinte mendja kurrë se bëheshin ato gjëra në Shqipëri, s’mund ta besoja”, tha e ëma.
Ajo beson se djali ngjan me vajzën duke dhënë kështu një mundësi për gjetjen e tij.
“Unë them që ngjanin goca me djalin se nuk ishin veç e veç ishin bashkë, këtë më tha doktori. Prindërve që e kanë rritur u them faleminderit shumë që kanë rritur fëmijën tim, s’dua ti prish qetësinë, dua vetëm të di se fëmija im rron. Nuk kujtoj dot asnjë emër të stafit në spital, ato dy javë më shumë isha në gjumë se zgjuar”, deklaroi në emision Donika.
Motra tha se ka kërkuar dokumente nga spitali dhe ka gjetur vetëm për vdekjen e një vajze.
“Dokumentin e kam marrë në 16 nëntor. Para një muaji, kam vajtur në Korçë dhe kam kërkuar të paktën një certifikatë vdekje, më thanë që s’mund ta ma jepnin por do e gjejmë në librin e bebeve. Atje rezultonte vetëm një vajzë që kishte vdekur, asnjë fëmijë tjetër.
Më thanë që do kërkosh kartelën e djalit, pamë që dita e lindjes ishte 2 maj dhe e daljes ishte më 3 maj, ndërkohë që mamit i kanë treguar i bie tjetër fëmijë”, tha 34-vjeçarja.
Ato bënë apel publikisht për ata që mund të kenë dijeni për informacione se ccfarë ka ndodhur në maternitetin e Korçës ose për vëllain e saj që tani mund të jetë gjallë.
/BalkanWeb