E ardhmja nuk të dhurohet

Nga Michael Granoff *

 Profesor Koni, Profesor Kule, Profesor Hadëri, Rea Kotani, studentë të fakultetit, të nderuar të ftuar dhe miq të AAEF (Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve) dhe AADF (Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim). Është nder për mua të jem së bashku me ju sot.Këtë titull e pranoj përzemërsisht jo vetëm personalisht, por edhe në emër të bordit, ekipit të menaxhimit dhe stafit të AAEF-së dhe AADF-së. Nëse sot qëndroj kryelartë, e bëj në sajë të punës së shumë individëve që për dhjetëvjeçarë me radhë kanë punuar së bashku për të përmirësuar jetën e shqiptarëve.Shërbimi im si përfaqësues i tyre, ka qenë një nga privilegjet më të mëdha të jetës sime.

E di mirë që jo çdokush nderohet me këtë titull. Kam pasur mundësinë të shoh listën e të nderuarve të mëparshëm që përfshin Ismail Kadarenë, Kryeministrin Italian Prodi, Ibrahim Rugovën, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Gjeneralin De Hoop Scheffer, Presidentin e Republikës Çeke, Havel, si edhe Kryepeshkopin e Krakovit.  Unë nuk mund të matem me arritjet e tyre, por frymëzohem nga shembulli i tyre.

Ky Universitet është një vend i veçantë. Universiteti i Tiranës u themelua në vitin 1957, një vit para lindjes sime (kështu që është ende i ri), dhe tashmë është universiteti publik më i madh në Shqipëri me rreth 40,000 studentë. Si institucioni kryesues i arsimit të lartë në vend, ai gëzon shumë mundësi, por edhe përballet me sfida e përgjegjësi.

Sot dua t’ju flas për këtë universitet dhe për arsimin në përgjithësi, për lidhjen e arsimit dhe zhvillimit në Shqipëri, për mënyrën si ajo ç’ka ndodh këtu lidhet me dinamikën e botës dhe së fundmi dëshiroj të jap disa sugjerime për të gjithë ne.Mesazhi im sot është mesazh i thjeshtë. Progresi është i mundshëm.Shpresa jonë është e justifikuar. Dhe ndryshimi do të vijë.

Marrëdhënia ime me Shqipërinë është pasqyrim i marrëdhënies së Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.Në Shqipëri kam ardhur për herë të parë në vitin 1995, pasi Presidenti Klinton më kërkoi të bëhesha pjesë e bordit të një nisme të re amerikane për zhvillim ekonomik, të ndërmarrë pas rënies së komunizmit. Përpara këtij emërimi, nuk isha pjekur asnjëherë me shqiptarë. Kam udhëtuar në shumë vende të botës, por kurrë nuk më kanë pritur e mikpritur ashtu siç kanë bërë shqiptarët. Faktikisht, unë sot ju flas si një amerikan, por edhe si një bashkatdhetar i juaj shqiptar, duke qenë se më është dhënë edhe pasaporta shqiptare.Fjalët e mia sot janë rezultat i këtij kombinimi ku për më shumë se 23 vjet, në të njëjtën kohë kam qenë edhe i huaj, por edhe vendas.

Megjithatë, themelet e historisë sime janë të rrënjosura në marrëdhënien e veçantë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, paçka se kjo marrëdhënie nuk është e afërmendshme. Dy vendet nuk kanë as gjeografi dhe as gjuhë të përbashkët, bëjnë shumë pak tregti dhe nuk kanë as histori që i lidh drejtpërsëdrejti. Por ama, megjithëse nuk kemi shumë gjëra materiale të përbashkëta, ne ndajmë shumë ideale. Ne ndajmë vlera e qëllime të përbashkëta dhe një ndjenjë përgjegjësie për njëri-tjetrin. Ne ndajmë dëshirën për zhvillim dhe për përmirësimin e jetës sonë.Këto vlera të përbashkëta janë gurët e themelit të një marrëdhënieje të veçantë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, që ka sjellë shumë progres në të shkuarën dhe që do të qëndrojë krah nesh tek ndërtojmë së bashku të ardhmen.

Nga drejtimi i një shoqërie për shumë vite kam mësuar se çelësi i progresit të qëndrueshëm është një sistem i pandryshuar vlerash, ndërkohë që gjithmonë rrekemi të ndryshojmë. Kjo ama, më thjeshtë thuhet se sa bëhet. Të gjithë dëshirojmë të bëjmë atë që është aktuale dhe të gjithëve na pëlqen siguria në vend të pasigurisë. E megjithatë, duhet të përqafojmë vlerat tona dhe të angazhohemi për ndryshim nëse dëshirojmë të kemi sukses si individë, si institucione siç është ky universitet, dhe si kombe.

Ky mësim ka qenë të themel të të gjitha përpjekjeve të AAEF-së dhe tashmë të AADF-së, dhe gjithashtu është arsyeja përse unë qëndroj sot para jush. Fondi është një partneritet publik privat që transformoi 30 milion USD të taksapaguesve amerikanë në më shumë se 300 milion USD vlerë, që hapi mijëra vende pune, që shndërroi industri të tëra, që promovoi politika të mira publike dhe që dha kontribut për zhvillimin e një ekonomie energjike në sektorin privat.Që prej themelimit, AAEF ka dhënë një kontribut prej më shumë se 2 miliard USD në PBB-në e Shqipërisë, ka tërhequr më shumë se 415 milion USD në investime të huaja direkte shtesë, ka investuar në më shumë se 40 shoqëri dhe ka krijuar më shumë se 7,000 vende pune.  Sa herë që shkojmë në bankë, blejmë sigurime, udhëtojmë, apo edhe votojmë, Shqiptarët janë të prekur nga përpjekjet e Fondit. Ne dëshmuam se në Shqipëri biznesi i ndershëm, transparent dhe i efektshëm ka sukses. Mund të bësh mirë dhe mund të jetosh mirë.

AADF filloi të zbatojë projekte në vitin 2011 me fitimet e Fondit si një simbol i përhershëm i miqësisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Qëllimi i Fondacionit është të mëkojë zhvillimin e sektorit privat në kuptimin më të gjerë të fjalës. Ne veprojmë në të gjithë Shqipërinë dhe përqendrohemi në tre fusha kryesore: arsimi dhe lidershipi; sipërmarrja; dhe turizmi kulturor e ekologjik. Tashmë AADF ka angazhuar më shumë se 42 milion USD në 40 projekte të ndryshme, sa 133% e të gjithë vlerës së AAEF.Gjithashtu kemi tërhequr edhe 80 milion USD të tjera nga partnerë që kanë investuar përkrah nesh. Dhe ky është vetëm fillimi. Megjithatë, shifrat janë vetëm një pjesë e panoramës. Kontributi ynë i vërtetë ka qenë në njohuri, në modele operimi, në trajnim dhe patjetër në vlera. Dhe ndërkohë që nuk ka kurrë mungesë synimesh të mira, ka gjithmonë mangësi në zbatimin e ndryshimit të vërtetë, në bërjen e një dallimi real.Puna e Fondacionit është ndryshimi, dhe tashmë jemi bërë markë në këtë drejtim në Shqipëri.

Si ndodh kjo?Është kombinim i punës në grup, përkushtimit, ekselencës dhe këmbënguljes. Ne kemi krijuar një grup me profesionistë të përkushtuar, me një bord drejtuesish të përkushtuar, kemi krijuar partneritete me sipërmarrës dhe punëtorë shqiptarë, kemi vendosur një marrëdhënie të ngushtë pune me çdo qeveri dhe çdo parti politike në Shqipëri dhe kemi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara. Ne vendosim standarde të larta dhe më pas punojmë për t’i tejkaluar ato.

Një nga fushat ku AADF përqendrohet është arsimi në të gjitha nivelet. Përse e bëjmë këtë?Përgjigja është fare e thjeshtë. E ardhmja e Shqipërisë dhe ajo e çdo vendi varet nga arsimi që u sigurohet fëmijëve tanë. Është e vërtetë që në universitete jepet mësim për historinë, por sytë e tyre janë gjithmonë nga e ardhmja. Dhe tashmë pesha e arsimit po bëhet edhe më e madhe. Ne tani kemi nevojë për edukim gjatë gjithë jetës për shkak të ndryshimit të kritereve të punës në një ekonomi globale. Aftësitë e kërkuara ndryshojnë po aq shpejt sa edhe hedhja në treg e një lloji të ri telefoni celular.

Përpjekjet e Fondacionit në arsim shtrihen nga Junior Achievement, që u mëson nxënësve të shkollave fillore dhe nëntë vjeçare aftësitë bazë të ekonomisë, e deri tek Programi LEAD Albania, të formon brezin e ardhshëm të drejtuesve shqiptarë. Ne nuk kemi vetëm aspirata; ne nuk kemi frikë të përballemi me problemet e vështira. Për shembull, Programi ynë Clean Score trajton në mënyrë të efektshme transparencën në korrigjimin e provimeve universitare. Tashmë programet tona të arsimit prekin 100% të shkollave fillore në Shqipëri. Më shumë se 300 000 studentë kanë përfituar tashmë nga projektet e arsimit të AADF-së.

Cili është vendi i këtij universiteti në këtë kuadër? Universiteti i Tiranës dhe të gjitha palët e tij të interesit kanë një përgjegjësi të veçantë. Ndikimi i tij është sa i thellë aq edhe i gjerë. Universitetet kryesuese shërbejnë si vatra lidershipi për kombin. Drejtuesit e efektshëm i shtyjnë vendet të arrijnë potencialin e tyre. Drejtuesit e paefektshëm i mbajnë vendet e tyre në prapambetje. Universitetet publike janë edhe burim mundësish dhe ngritjeje në shoqëri. Ato të hapin dyer, por nuk të shtyjnë përtej pragut të saj. Universitetet më të mira të mësojnë shumë më tepër se aftësi, ato krijojnë hapësira për shkëmbimin e lirë të ideve dhe japin kontribut për zhvillimin e shoqërisë. Nëse ky universitet nuk ka sukses, do të jetë e vështirë që Shqipëria  të ketë sukses. Dhe nëse universiteti është i suksesshëm, suksesi i Shqipërisë nuk mund të pengohet nga asgjë.

Më lejoni të prek edhe gjendjen e përgjithshme të zhvillimit në Shqipëri.Unë kam privilegjin të hedh një hap prapa nga telajoja dhe të shoh panoramën e gjerë që është krijuar gjatë 23 viteve të shkuara. Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, u përballa me një vend që pothuajse nuk kishte infrastrukturë dhe kishte shumë pak tregti. Në fund të pistës së aeroportit kishte kalldrëm dhe trafiku bllokohej nga gjëja e gjallë që kalonte rrugën. Shqipëria ishte vendi më i varfër në Evropë dhe njerëzit e saj sapo po nisnin të preknin lirinë pas më shumë se gjysmë shekulli errësire të një diktature mizore komuniste. Por kjo ishte gjysma e zbrazët e gotës.Gjysma e mbushur ishte se shqiptarët kishin një dëshirë jashtëzakonisht të madhe por të ndrydhur për liri, mundësi dhe për lidhje me botën.

Transformimi politik, ligjor, ekonomik dhe shoqëror i 23 viteve të shkuara nuk ka qenë i thjeshtë. Shqipëria është një vend i moçëm, por ajo ka një demokraci të re. Është bërë progres i konsiderueshëm dhe jeta e shqiptarit të zakonshëm është përmirësuar goxha në thuajse çdo pikëpamje. Të gjithë në këtë sallë duhet të jenë krenarë për rolin e luajtur në këtë transformim.

Megjithatë ne e dimë fort mirë që zhvillimi ekonomik lidhet me zhvillimin politik, dhe këtu ka shumë që duhet bërë. Sundimi i ligjit, përpjekjet kundër korrupsionit, transparenca dhe proceset demokratike duhet të përmirësohen të gjitha së bashku që zhvillimi të ecë përpara. Po ashtu si kudo tjetër në jetë, problemet nuk i zgjidhim dot nëse nuk pranojmë që kemi të tilla dhe nëse nuk përballemi me to.Shqipëria ka përpara vetes shumë nga sfidat e hasura nga vende të tjera në zhvillim si krijimi e vendeve të punës, rritja ekonomike dhe ngritja e institucioneve.

Sot më duhet të bëj një thirrje që të gjithë ne të veprojmë në kuadrin e sfidave pa trajtë shumë të qartë; si emigrimi e largimi i trurit, dhe korrupsioni sistematik. Sot Shqipëria po përballet me largimin e trurit në formën e ikjes së shumë prej të rinjve të saj të talentuar. Mijëra njerëz votën e tyre po e shprehin përmes largimit, sepse nuk shohin më të ardhme këtu. Ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për të krijuar një vizion që do ta ndalojë këtë vërshim dhe që do t’i sjellë përsëri njerëzit në vend.Duhet të japim një arsye për të qenë optimist.Duhet të sigurojmë shpresë.Ky universitet duhet të bëjë punën e vet për mëkimin e këtij optimizmi dhe kësaj shprese. Edhe Fondacioni ynë jep kontributin e vet. Lidershipi i Shqipërisë duhet të veprojë me vendosmëri.

Sfida e dytë shkon dorë më dorë me të parën, sepse korrupsioni është mungesa e besimit në institucionet themelore. Kjo është një sfidë me të cilën Fondi dhe Fondacioni janë përleshur që prej fillimeve tona. Njerëzit kanë nevojë të besojnë se sistemi nuk është i manipuluar, kanë nevojë të dinë që jo vetëm njerëzit e vegjël kapen, dhe që të pasurit dhe të pushtetshmit e paguajnë çmimin e veprimeve të tyre.  Ne do ta kuptojmë që diçka e tillë po ndodh kur emra të njohur të fillojnë të përballen me drejtësinë.Zhvillimi është rrugëtim dhe jo pikëmbërritje dhe këto dy çështje po na pengojnë të gjithëve.

Por si i përfshijmë veprimet tona individuale dhe atë që po ndodh në Shqipëri në kontekstin e gjerë të botës përreth nesh?David Brooks i New York Times ka vënë re se ne po përballemi me katër kriza: një krizë mundësish (vende pune), një krizë solidariteti (marrëdhëniet shoqërore), një krizë autoriteti (mungesë besimi tek drejtuesit dhe institucionet) dhe një krizë qëllimi (përse është vendi ynë këtu dhe përse jemi ne këtu).A është forca mbizotëruese sot qendërikëse apo qendërsynuese? Pra a po mundohemi të largohemi nga njëri-tjetri apo të mblidhemi së bashku? Siç e ka provuar edhe Izak Njutoni forcat fizike nuk kundërshtohen lehtë.

Për sa i përket lidershipit, duket sikur po ngrihen gjithmonë e më shumë carë, perandorë, faraonë dhe lider supremë, në vend të presidentëve dhe kryeministrave. Dhe lidershipi ka rëndësi, sidomos në kohë të ndërlikuara. Ka gjithmonë një çmim kur kultivohet përçarje, kur sulmohen shtyllat themelore të demokracisë, apo edhe kur mohohet besueshmëria e dukshme e fakteve.

Si duhet të reagojmë? Drejtuesit nuk veprojnë të vetëm. Dikush ka thënë dikur se një drejtues pa njerëz që e ndjekin është thjesht një njeri që ka dalë për shëtitje.  Tani jemi shumë më të ndërlidhur se kurrë, por përçarja jonë shpesh është shumë e thellë për t’u kapërcyer. Levat e pushtetit i kemi në duart tona, por ndihemi të papushtetshëm. Një mësim i vyer i historisë është se krijimet tona mund të fshihen me një lëvizje të vetme, nëse nuk mbrohen fuqimisht. Hendeqet dhe muret mbrojtëse nuk i bëjnë dot ballë baticës. Themelet e lirisë tonë nuk janë të hedhura vetëm mbi ligje të shkruara, por mbi norma sjelljeje. Ne duhet të zhvillojmë një reagim imunitar dhe si individë, qytetarë dhe komunitete rezistencën tonë duhet ta zhvillojmë nga përbrenda. Robert F. Kennedy na ka thënë se “e ardhmja nuk të dhurohet”. Ajo është në duart tona dhe e nesërmja përcaktohet nga veprimi apo mosveprimi ynë.

Shkenca na thotë që të gjithë jemi 99.5% gjenetikisht njësoj. Ne duhet të përqendrohemi në çka na bashkon më shumë se në çka na dallon. Mbase e veçanta jonë është kapaciteti që kemi për frymëzim, dhembshuri dhe besim, që janë gjëra që nuk i shkarkojmë dot nga një program. Një mik më ka thënë “makinat mund të programohen të bëjnë gjënë siç duhet, por vetëm ne mund të bëjmë gjënë e duhur.”Ne duhet të bëhemi ndryshimi që dëshirojmë të shohim.

Të gjithë ju me jepni zemër për të ardhmen tek ju shoh këtu. Kështu që do e mbyll po aty ku e hapa fjalën time: progresi është i mundshëm. Shpresa jonë është e justifikuar.Dhe ndryshimi do të vijë.Le ta shkruajmë së bashku kapitullin e radhës të historisë shqiptare. Jam i entuziazmuar për rrugëtimin tonë. Ju falënderoj për këtë nderim. Dhe ju falënderoj të gjithëve që e ndatë këtë përvojë me mua.

*Fjala e z. Michael Granoff ne ceremonine e dhenies se titullit doctor honoris causa nga universiteti i tiranës – maj 2018

SHKARKO APP