E drejta e jetës u jep jetë gjithë të drejtave
Nga Prof.As.Dr. Artan Xh. DUKA
Shejtani del nga shishja, ne futemi!
Koronavirusi është një tjetër kambanë alarmi që njerëzimi të bëhet tok sepse ky planet po bëhet gjithnjë e më i vogël dhe fatkeqësitë e rreziqet nuk po njohin më kufij. Falë progresit dhe teknologjisë hyjmë e dalim në çdo cep të rruzullit, habitatet mpleksen me shpejtësi, lokalja bëhet universale dhe gjërat, të mira apo jo, përjetohen e ndahen globalisht. Sot kryetitull është Covid-19, që si i panjohur merakos ca më shumë ndonse po problematik është edhe gripi sezonal që zakonisht e marrim lehtë.
Qeveria, institucionet shtetërore, sistemi shëndetësor do të bëjnë të tyren por po aq e rëndësishme është që dhe si shoqëri e individë të bëjmë tonën, së pari duke mos u përfshirë në panik absurd që nuk ndihmon kërkënd ndërkohë që për gripin stinor po problematik për shumë syresh nuk vërehet një gjë e tillë – namin ujku, çakalli kërdinë! Në “shishe” si individ nuk mbyllemi dot sa kohë të tjerët nuk bëjnë të njëjtën gjë ndaj dhe reagimi si individ ka vlerë vetëm kur reagojmë si duhet si komunitet e shoqëri njëkohësisht.
Sot këmbana bie për koronavirusin dhe pritshmëria është që sjellja apo rutina jonë e përditshme të ndryshojë në mënyrë radikale dhe pa vonesë në emër të jetës dhe në respekt të atyre që janë më të brishtë ndaj tij – moshat e treta dhe atyre me probleme kronike me shëndetin. Ndërkohë, parë në perspektivë, lypet një rutinë individuale dhe shoqërore alla-“viroz” që duhet të manifestohet kurdoherë në stinën e gripit e virozave që na përgatit njëkohësisht edhe për viruset “aliene” sikundër koronavirusi sot. Një rutinë parandaluese kjo, kosto social-ekonomike e të cilës nuk është asgjë para rrezikut ndaj jetës dhe kostos sociale, psikologjike, ekonomike etj të epidemisë të virusit pa dallim tek të prekurit, rrethin shoqëror, bizneset, jetën publike etj.
Njerëzimi po reagon ndaj koronavirusit deri me masa drastike në rutinën e përditshme të gjërave dhe, përtej krizës së momentit, ndoshta vetë stina e gripit të zakonshëm duhet parë tani e tutje me tjetër sy. Parandalimi është jetik dhe më mirë qoftë dhe një teprim në masa sigurie me cënim të rutinës qytetare sot, sesa keqardhje apo panik që nuk vlen mot.
Do ia dalim edhe duke dalë ca nga vetvetja
Kur ndryshon rutina e natyrës, duhet të ndryshojë edhe rutina jonë si individ dhe shoqëri. Sikurse me koronavirusin, edhe për gripin stinor, shteti, shoqëria e individi kanë në dorë shumë. Gjithshka që ndihmon duhet marrë në konsideratë. Nga funksionimi i sistemit arsimor, rutina në mjediset publike, evenimentet, distancimi social etj. Psh. duhet të ketë fleksibitet për pushimet semestrale në arsim të cilat mund të planifikohen për të shmangur piket e gripit stinor, të ketë kontroll në vijimësi rreth standarteve të higjenës në shkolla e qëndra pune, prani të pajisjeve disifektuese në stinë virozash, punësim për periudhën e gripit të infermierëve apo mjekëve në to, kontroll e vëzhgim i higjenës në mjediset publike, çezma e tualete publike kudo, ajrosje përkundrejt ajrit të kondicinuar, shmangje të tubimeve etj.
Shteti duhet të promovojë non-stop masat parandaluese e lehtësojë më tej koston operacionale gjatë stinës së gripit me lëvrim e prani falas dhe kudo të pajisjeve mbrojtëse dhe disinfektuese përfshirë këtu dhe maskat që pavarësisht debateve rreth efikasitetit, ngurrimit apo snobizmit, fakt është se po shndërrohen në rutinë për situata të caktuara (sidomos mbrojtja e brezit të tretë apo kur dyshohesh si bartës) në vëndet ku haset ky virus e sesa për “modë”, janë sheshit në vetë “kryeqytetin” e modës dhe stilistëve në botë.
Falë mjekësisë dhe njohurive si shoqëri, kemi shumë gjëra sot në dorë por që kanë vlerë kur bëhen në kohë. Në ca gjëra duhet të dalim edhe nga vetvetja. Ilaçet e vaksinat do bëjnë të tyren, zbatimi i rregullave bazë të higjenës duhet të jetë në vazhdimësi dhe strikt etj por në kohë gripi nuk kemi pse dalim nga shtëpia të sëmurë apo shpiem fëmijën e pa qejf në shkollë duke përkeqësuar gjërat më tej (në Britaninë e Madhe psh. rekomandohet vet-karantina minimale 7 ditore që kur diktohet kollë e pazakontë apo temperaturë e lartë sepse supozohet se efekti i transmetimit është më intensiv ditët e para.
E kur shoqërohemi ato javë gripi e virozash, të dalim pak nga tipi mesdhetar duke u bërë disi më “japonez” dhe mësuar me distancë dhe më pak kontakt fizik me të tretë! Dhe kur gjërat presin, të shtyjmë në kohë apo edhe anullojmë takime, evenimente e argëtime, udhëtime etj deri shkolla e qëndra pune në piket e virozave sepse më mirë pak “panik” i kontrolluar që sfumon, ul intesitetin dhe shtrin kurbën e epidemisë në kohë duke lehtësuar sistemin shëndetësor sesa të pendim pa vlerë më pas.
Shteti mund të lehtësojë disi barrën fiskale të bizneseve që gjatë pikut të gripit stinor u preket fuqia punëtore, klientela etj, ndihmojë ekonomitë familjare për pajisjen falas me artikuj higjeno-sanitar, kalojë legjislacion për kompensim për ditët e humbura të punës për shkak të mbajtjes së fëmijëve në shtëpi gjatë pushimeve shkollore etj, që në fund të fundit, duke i paraprirë e minimizuar efektet e gripit të stinës, lehtëson vetë buxhetin e shtetit për mbështetjen e sistemin shëndetësor dhe urgjencave në vend në rast përshkallëzimi të epidemisë.
Sot lajm është koronavirusi por edhe gripi stinor nuk mbetet pas për më tepër që godet çdo vit për më tepër që sa më efikase të jetë rutina jonë e përditshme ndaj gripit të zakonshëm aq më të mbrojtur jemi dhe ndaj viruseve të papritura si koronavirusi sot. Sikurse të gjitha viruset, dhe ky mbetet i pashmangshëm dhe për ironi, deri në përgatitjen e vaksinës së rradhës, vetë kalimi tij nga një masë e konsiderueshme e njerëzve (sipas një kurbe të zgjatur në kohë) do të jetë premisë për imunitet komunitar dhe mospërsëritje të pikeve agresive dimrin në vijim.
Aq sa me virusin, sfida është edhe me vetveten teksa shkaku, pasoja dhe vetë zgjidhja lidhet me sjelljen tonë të përditshme. Natyra, mjekësia, qeveria do bëjnë të sajën, publiku të tijën. Pa u merakosur më kot por edhe pa ecur me mëndjen se e keqja ndodh vetëm tjetërkund. Bashkë me rutinën e natyrës duhet të ndryshojë edhe rutina jonë, jo duke iu kundërvënë por duke iu përshtatur asaj. Dhe nëse për t’ia dalë mbanë duhet të dalim për ca gjëra nga vetvetja, ashtu qoftë.