E frikshme situata/Ja stadiumet në botë që po kthehen në spitale

Pandemia e Covid-19 kërkon trajtim dhe 1.7 milion të prekur në të gjithë botën kanë nevojë për mjekët dhe infermierët. Duke parë situatën me spitale super të tejmbushura, stadiume dhe arena në të gjithë botën janë shndërruar në spitale në luftën kundër virusit.

“Signal Iduna Park” e Dortmundit u kthye në vend për trajtimin e pacientëve të infektuar nga Covid-19 në Gjermani, ose për ata që dyshohet se janë bartës të virusit. “ExCel Centre” në Londër, e cila është parashikuar të presë garën e fundit të Formula E për sezonin 2020, u kthye në spital të përkohshëm prej emergjencës së koronavirusit.

Në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara, në spital u shndërrua edhe “Billie Jean King National Tennis Center”, që po përdoret për të kuruar 350 pacientë dhe për të përgatitur ushqimin për qindra të tjerë. Në Spanjë, emergjencës i është bashkuar edhe “Santiago Bernabeu” i Madridit, i cili do të jetë qendër e magazinimit dhe e shpërndarjes së materialeve shëndetësore.

Në Holandë, si qendër shëndetësore për 850 pacientë është improvizuar “Ahoy Hall” në Roterdam. Stadiumi “Sani Abacha” në Nigeri, i cili në vitin 2000 ka pritur ndeshjet e Kupës së Afrikës, është kthyer në spital. Në shtetin e Afrikës së Jugut, në betejën kundër virusit të ri korona është bashkuar edhe “West Rugby Stadium”. Për të mbërritur në Indinë e largët, aty ku “Sarusajai Stadium”, i cili pret ndeshjet e përfaqësueses indiane të futbollit është shndërruar në spital.

SHKARKO APP