Edhe media ndërkombëtare me sytë nga Euronews Albania

Lajmi se gjigandi mediatik Euronews dhe grupi “IN Media” nënshkruan partneritetin e tyre për të lançuar Euronews Albania, televizionin dhe platformën dixhitale mediatike, ka bërë tashmë edhe xhiron e botës.

Duke qenë se është franchise-i i parë i Euronews, lajmi ka bërë jehonë në disa media të rëndësishme ndërkombëtare si “Le Figaro”, “France 24”, CBNews”, “L’Express”, “Liberation”, “Capital”, “Le Croix” etj.

E përditshmja franceze “Le Figaro” ka cituar presidentin e “IN Media”-s, zotin Theodhori Cami, i cili është shprehur se: “Produkti mediatik në Euronews Albania do të jetë i standardeve më të larta në rajon”.

Mediat e huaja theksojnë se gjigandi Euronews, si një patentë e sprovuar e garancisë së cilësisë së lajmit, do të ndihmojë me ekspertizën e tij që dega e sapohapur në Tiranë të prodhojë lajme të nivelit ndërkombëtar. Ndërkohë që, sipas kontratës, Euronews do të ketë mundësinë të përdorë mbulimin rajonal të degës në Shqipëri, në të gjitha platformat e saj.

Gjigandi tjetër mediatik europian, “CBNews” citon Michael Peters-in, Drejtorin Ekzekutiv të Euronews-it, i cili tha se kompania e tij mediatike krijon për herë të parë një franchise. Në media të tjera ndërkombëtare, fjala e zotit Peters ka qenë më e plotë: “Ky bashkëpunim është dëshmi e forcës sonë, e cila ka ardhur duke u rritur si rrjedhojë e disa ndryshimeve të rëndësishme që kemi bërë vitet e fundit”, është shprehur ai. “Vazhdojmë të rritemi si media “glokale” (një term i përfituar nga bashkimi i fjalëve globale me lokale), duke qenë ndërkombëtarë në qasje e duke u qëndruar pranë audiencave lokale. Marrëveshje të tilla kontribuojnë drejt synimit tonë të palëkundur strategjik për ta bërë Euronews-in median numër një globale, jo vetëm në Europë, por edhe në botë”.

Siç citon media e njohur franceze, “France 24”  Euronews Albania pritet të nisë transmetimet në muajt e parë të vitit 2019, me profesionistët më të mirë vendas. Me këtë krijim të ri, lajmet do të ofrohen në mënyrë më të drejtpeshuar dhe më të larmishme se të gjithë transmetuesit e tjerë rivalë në Ballkan.

SHKARKO APP