Edhe në “provincë” ka jetë

 

Ringritja kulturore dhe projektet pwr hapësira publike dhe arsimin

 

Nga Thoma Goga

Bashkia e Roskovecit sipas një plan-programi të miratuar më parë, po punon për sistemimin e mjediseve publike e për t’i kthyer ato në lulishte e vend shlodhjeje për komunitetin. Një vend i quajtur “Furri i bukës” jo vetëm ishte kthyer në vatër ndotjeje, por edhe rrezik për banorët përreth. Tani gërmadha e vjetër figuron vetëm në fotot e fundit që u bënë dhe aty po konturohet një lulishte e cila përfundon në mes të muajit dhjetor. Krahas kësaj po punohet edhe me sistemimin e lulishteve ekzistuese. Ato u mbollën dhe tashmë po mbin bari duke shtuar sipërfaqet e punuara. Gjatë gjithë rrugës nga Kumani deri në Roskovec bari i sapombirë do t’i ngjajë tapetit të gjelbërt. Kronika e shërbimeve pasurohet me punimet e përfunduara në urën e lagjes Shabanaj në Vllosh. Aty ku më parë ishte vështirë të kaloje, tani një urë me parametra bashkëkohore, lidh dy fshatra. Ndërsa në Marinëz u punua tek disa kanale kullues që prej kohësh nuk ishin pastruar.

Siç e dinë të gjithë qytetarët rrugët brenda qytetit të Roskovecit ishin gërmuar, por nuk ishin përfunduar. Nuk bëhej fjalë për asfaltim prej gati 2-3 vitesh. Tani kanë filluar të risistemohen duke filluar nga ato që lidhin qendrën me lagjet më të afërta. Punime në shërbim të komunitetit janë bërë e po bëhen jo vetëm brenda në qytet, por edhe në fshatrat Suk, Vlosh, Marinëz, Luar, etj. sipas vendimit që mori Këshilli Bashkiak i Roskovecit për investimet në të gjithë zonën. Ndërkohë vetë godina e bashkisë iu nënshtrua një rikonstruksioni pasi disa plasaritje e bënë edhe më të domosdoshme këtë riparim.

Kronika e veprimtarive kulturore – artistike në Pallatin e Kulturës në Roskovec pasurohet nga java në javë. Gjatë muajit tetor në holl e ekspozitave u vendos një ekspozite tematike kushtur figurës së Nobelistes shqiptare Nënë Tereza, punime të bëra më dashuri nga nxënës të shkollave të zonës. Më pas në mjediset e bibliotekës u zhvillua një takim më shkrimtarin Mihal Krimçe, autor i shumë librave me karakter psiko-pedagogjik, me tregime, fabula e poezi. Të pranishëm ishin intelektualë, nxënës e prindër. Për krijimtarinë e autorit foli gazetari Rrapo Isufaj, kurse nxënës të shkollës “Alush Grepcka” lexuan pjesë të zgjedhura nga krijimtaria e autorit.

Në fund të muajit tetor shkolla “Musine Kokalari” e Tiranës, e njohur për aktivitete artistike, dha një koncert artistik në Roskovec që u kthye në festë të vërtetë. Më shumë se aktiviteti, atmosfera u pasurua me idenë e binjakëzimit me shkolla të zonës së Roskovecit.

Siç kemi bërë të njohur edhe më parë, lëvizja jonë kulturore “Dhuro një libër- hap një dritare” vazhdon të jëtë e hapur. Ditët e fundit përfaqësues të Korpusit të Paqes në vendin tonë, përmes zj. Diana Djaloshi, dhuruan disa libra didaktik për fëmijë duke dhënë shembullin e vazhdimësisë së kësaj lëvizjeje.

Ndërsa muaji nëntor, si muaji i festave pati një kalendar të ngjeshur. Shkollat e zonës ngjiteshin në skenë duke shpalosur programe të pasura me këngë e valle popullore e patriotike. Këto aktivitete shënuan edhe një dukuri tjetër; atë të konkurencës midis shkollave. Skena dhe salla e Pallatit të Kulturës u bënë bënë arena të zërave të gëzuar të fëmijëve, të cilët prej vitesh nuk ishin ngjitur në këtë skenë. Një grup artistik, i përzgjedhur nga shkollat “Adem Vrapi” Roskovec dhe Strum e Marinëz i kthyen vizitën shkollës “Musine Kokalari” duke shënuar një kulminacion e duke i dhënë vlera të veçanta festave të nëntorit. Siç duket miqësia e lidhur midis shkollave reflektohet edhe në fytyrat e qeshur të fëmijëve.

Dhjetori do të sjellë të tjera risi. Bashkia e Roskovecit, do të përfundojë diskutimin për vendosjen e simboleve të reja të bashkisë. Logoja dhe flamuri do të simbolizojnë karakteristikat më të qenësishme të zonës që përfshihet në hartën e re të bashkisë. Gjithashtu u tërhoq edhe mendimi i komunitetit për përcaktimin e një ditë identiteti që do të jetë festa e ardhshme e zonës, e cila do të organizohet për herë të parë vitin që vjen. 

SHKARKO APP