Edhe njëherë për Turin

Në mbështeje të shkrimit “Turi prej druri ” të gjuhëtarit dhe publicistit të njokur  Ardian Vehbiu

Nga Skifter Këlliçi

Nëse  zonja Islami, (Verziolli), autorja e tekstit  tashmë ‘”legjendar”  të provimit te maturës në gjuhë , botuar dhe kritikuar  në shumë disa  gazeta, do te kishte lexuar shkrimin  aq te goditur te gjuhëtarit dhe publicistit  te shquar, Ardian  Vehbiu, me titullin “Turi prej druri”, botuar, gjithashtu këto ditë  në dis” gazeta,  ajo nuk do të merrte guximin të shkruante “prozën poetike'”me të  cilën më kot rreket të mbrojë  ‘Turin’ e saj” , të njohur edhe nga lexuesit e ‘Ditës”, që ka gabime  gjuhësore edhe logjike.

Si ish-redaktor gjuhësor në SHBLSh për shumë vite dhe ndjekës me shkrime  të gabimeve gjuhësore që  vërehen herë pas here  në shtypin tonë të përditshëm,  të shkruar dhe elektronik,  nuk më mbetet veçse të nënvizoj edhe një herë vërtetësinë e gabimeve gjuhësore dhe logjike, të cilat  Ardian Vehbiu vërën në shkrimin e tij me titull   ‘Turi prej druri”.

Teksti i provimit,  që njihet nga lexuesit  është ky që  vijon më poshtë:

” Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të, bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara. Madje dhe Turi, i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkë, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur, ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara”.

“Ky tekst, – thekson  Ardian  Vehbiu,   nuk i bën nder shqipes. Përpiqet të tingëllojë shqip, madje edhe ia del herë-herë, por shqip nuk është, dhe ja pse:

Na thuhet se në barkë kishte “katër njerëz”, por – edhe pa u ndalur në atë që ky informacion numerik është i panevojshëm, (mund të kishte edhe shtatë ose dy dhe historisë të mos i ndryshohej asnjë presje) – shqipja thotë “katër  vetë” duke ia rezervuar “katër njerëz” konteksteve të tilla si “njëra barkë kish katër njerëz, ndërsa tjetra dy dele, një lopë dhe një qen”.

 

Vërejtja e gjuhëtarit Vehbiu ëshë tërësisht e drejtë. Ne nuk themi: “Sa njerëz kishin ardhur në shfaqje?’, por: ” Sa vetë kishin ardhur…?”.

Nuk tingëllon natyrshëm  në gjuhën shqipe përdorimi i lidhësës “ndërsa”, pasi është përdorur në një fjali më sipër: “Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njeëz….”. “Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manevronin… “.

Edhe fojla “manevronin”,  jo vetëm që është fjalë e huaj, por në këtë rast nuk tingëllon natyrshëm. Më mirë do të ishte të shkruhej: “… ndërsa përdornin me shkathësi lopatat…”. Edhe parafjala ” përmes”  nuk është e gjetur:

”… Manovronin me shkathësi lopatat përmes ujërave të trazuara”. Më natyshëm do të ishte të shkruhej: “..ndërsa përdornin me shkathësi lopatat, për të mënjanuar, (ose: çarë) ujërat e trazuara”.

Të kthehemi  dhe një herë te fjalia e parë: “Barka filloi të rrëshqiste me shpejtës përgjatë lumit  të rrëmbyer”. Kuptohet se një barkë nuk mund të rrëshqasë “me shpejtësi”, kur lumi është i rrëmbyer, sepse pengohet nga valët, për të mos thënë nga dallgët e lumit të rrëmbyer.

Gjuhëtari Ardian Vehbiu vazhdon:

” Për Turin na thuhet se ishte ndier i shqetësuar “ në lidhje me udhëtimin”: ja një parafjalë e burokratishtes, një nga ato vegla përtace, që zgjedhim t’i përdorim kur nuk dimë ose nuk duam të shprehemi saktë. Mbiemri  i shqetësuar, në shqip, do të kërkonte parafjalën  për, ose edhe  me dhe  nga; kjo “në lidhje me” është e një kategorie me “sa i përket”, “në raport me”… etj., e panevojshme dhe parazitare, në këtë kontekst.

Më tutje:

“Turi, na thuhet më tej, “e harroi frikën”, kur “valët e akullta përplaseshin mbi të.” Dhe pastaj: “Papritur ai  vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara.” Por folja  vështroj është përdorur këtu gabim: në shqipe,  vështroj, ndryshe nga  shoh, shquaj, vë re etj., parakupton edhe intencionalitet, vëmendje, përqendrim: që ta  vështrosh diçka, duhet ta kesh  parë (një analogji, do të ishte krahasimi me anglishten  ëatch vs.  see).

Ka edhe më: ky shkëmb, që “vështroi” Turi, “iu shfaq përpara”. Turit? Me logjikë, duhet t’i jetë shfaqur barkës, jo Turit, sa kohë që Turi gjendet në barkë. Edhe një nga përgjigjet e mundshme: D) “Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi varkën” e ngatërron lexuesin: sepse sërish duket sikur shkëmbi do të godasë Turin, jo barkën…. Sërish nuk arrij dot të besoj që Turi do të mund të përplasej me shkëmbin, nëse do të rrinte në barkë. Po atëherë, si do ta shmangte Turi shkëmbin, duke u hedhur “në të djathtë”? (E djathta është po aq relevante këtu, sa edhe forma e vetullave të Turit.  U hodh anash do të mjaftonte – sepse lexuesit nuk i është dhënë asnjë orientim tjetër, për të përfytyruar të djathtën dhe të majtën e Turit në rrëfim.)

Më tej akoma, na thuhet: “Turi  e harroi frikën kur valët e akullta  përplaseshin mbi të.” Ka një rregull të thjeshtë në gramatikë, të ngjashëm me “consecutio temporum” të latinishtes, dhe që rregullon raportet mes kohëve të foljes në një fjali: sa kohë që “e harroi” është në të kryerën e thjeshtë, folja pasuese duhej të ish edhe ajo në të kryerën e thjeshtë “u përplasën”: “Turi e harroi frikën kur valët e akullta u përplasën mbi të”: diçka më mirë, apo jo? Kjo e pakryer,  përplaseshin, shënon zakonisht një veprim të përsëritur në të shkuarën: “Kur valët e akullta më përplaseshin në fytyrë, unë e harroja frikën”: kjo shënjon një eksperiencë të përsëritur. Të krahasohet me: “Kur valët e akullta m’u përplasën në fytyrë, unë e harrova frikën”, që shënjon një eksperiencë të vetme.

Le të shtoj edhe se “e harroi frikën”, nuk më dëgjohet si shqip: do të kisha thënë “i iku frika”, “i doli frika”, etj. Askush nuk thotë “e harrova frikën”…

Nuk e kuptoj se përse  “personazhi i këtij teksti quhet Turi, shkurtim i emrit Artur, qeë jo vetëm është i huaj, por edhe i rrallë, i cili  ka nisur të përdoret më dendur pas viteve 60-të të shekullit të kaluar, krahasuar me emrat   e të tjerë huaj, më të përhapur, Fred, Berti, Mondi… Më e natyrshme do të ishte që emri  i këtij personazhi të ishte: Agim, Besnik, Agron, Petriti, Astrit, Besnik… pra, emra shqip.

Në fund,  gjuhëtari  Ardian Vehbiu nënvizon:

Përshtypja ime: ky tekst është shkruar me stil shumë të keq; dhe e prezanton padenjësisht Ministrinë e Arsimit, që ua ka dhënë nxënësve si test. Të jep ndjesinë e një gjelle të pagatuar mirë, të një shujte që të ngec në fyt e të provokon të vjellët. Një shqipe që nuk rrëshqet, as të rrëmben, që as të ngroh as të ftoh, as të kafshon as të lëshon; një shqipe e mykur; një shqipe e drunjtë.

Lind natyrshëm pyetja: Përpara se ky tekst të miratohej nga organizmat e specializuar  në Ministrinë e Arsimit, a është marrë në shqyrtim të paktën nga një gjuhëtar me përvojë, ose edhe nga të tjerë? Besohet se po. Atëherë, si është e mundur të mos jenë gjetur gabimet  e mësipërme gjuhësore dhe logjike të këtij teksti,  me të cilat pajtohet, besoj,  çdo lexues që ka qoftë dhe një formim të  zakonshëm intelektual?

SHKARKO APP