Edi Mehana: E parandieja se një ditë do të luaj edhe në Amerikë

Edi Mehana është aktori shqiptar që po e ndërton karrierën në Amerikë. Atij i është besuar roli kryesor në serialin “Clash of the Vampires” e që do të prezantohet në rrjetet më të mëdha televizive në SHBA. Për KultPlus, Mehana ka treguar edhe për ëndrrën e tij, Amerikën. Ai ka thënë se të gjithë aktorët e botës e kanë një ëndërr, që një ditë të jenë pjesë e Amerikës, pjesë e Hollywood-it. Gjithashtu, ai ka bërë edhe thirrje për mbështetjen e artistëve shqiptarë, sikurse edhe për sportistët, pasi që, këta janë ambasadorët e vendit

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Keni luajtur në mbi dhjetë filma dhe mbi 30 shfaqje. Por tashti po zhvilloni karrierën në SHBA, më konkretisht si ndodhi depërtimi në botën e artit atje?

Edi Mehana: Qëllimi im për të ardhur në SHBA ka qenë aktrimi, profesioni. Në fillim më ka marr kohë të krijoj kontakte me artistë këtu, sepse nuk e kam njohur askënd të botës së artit. Pas tre viteve fillova të njihem me aktorë ku edhe filluan të zgjerohen kontaktet me regjisorë e modele të modës ku edhe filluan ofertat për projekte të ndryshme. Disa i kam realizuar, në disa projekte jam në proces e sipër, sikurse që ka edhe projekte që jam në marrëveshje e sipër. 

KultPlus: Ju tashmë pritet të angazhoheni edhe në katër filma, për cilët filma bëhet fjalë dhe kur fillojnë xhirimet?

Edi Mehana: Sa i përket projekteve do e veçoj serialin të cilin jemi duke e përgatitur “Clash of the Vampires”, ky serial do të jetë në rrjetet më të mëdha televizive në SHBA dhe do të ketë një buxhet të madh, i cili na mundëson si ekip që të lëvizim nëpër botë me xhirime. Unë këtu e kam njërin prej roleve kryesore dhe tash së shpejti pritet të fillojmë të xhirojmë promon e serialit “Clash of the Vampires. Përpos rolit në këtë serial, poashtu, momentalisht jam në përfundim të komedisë “Wrong Package”, në regji të Eric DeShazer, po nga shtëpia filmike Deshazerfilms dhe ne asocim me Universal dhe Mademan. Premiera e kësaj komedie do të jetë në dy rrjetet tashme të njohura dhe të mëdha Hulu dhe Amazon Movie. Njëkohësisht jam duke xhiruar edhe në filmin “The Land”, të regjisorit Raul Colon, ku premiera dhe reprizat e këtij filmi do të jenë në kinema. Ndërkaq, më datën 22 të këtij muaji filloj me xhirime të filmit të shkurtë “Mute”, në regji të Daryle Moore, është një ngjarje e të madhit shkrimtar, Stephen King. Dhe krejt në fund, jam në negociata për një rol në një serial në Californi, ku do të marrin pjesë aktorë të famshëm.

KultPlus: Ju keni përfunduar studimet në Kosovë, por që karrierën po e ndërtoni në Amerikë. E keni menduar më herët se do të përjetoje këtë sukses që po e përjeton tashti?

Edi Mehana: Të gjithë aktorët e botës e kanë një ëndërr, që një ditë të jenë pjesë e Amerikës, pjesë e Hollywood-it. Nëse nisemi prej kësaj ëndrre nuk ka aktorë që nuk e mendon Amerikën, por unë kam pas një ndjenjë më të thellë në këtë drejtim, e parandieja se një ditë do të luaj edhe në Amerikë.

KultPlus: Po planet, keni ndonjë pikë që ia keni vënë vetës se pikërisht aty doni të arrini?

Edi Mehana: Sigurisht se po, ia kam vënë vetës një pikë. Ky është vetëm fillimi i karrierës sime. Kam ambicie sikurse në fillim që i kam pasur. Një ditë do të arrijë në majën e Monte Everest. Por duhet punë dhe angazhim. Unë prej natyrës jam shume ambicioz, pesimizmi nuk ka aspak vend te unë, edhe atëherë kur nuk shihet asnjë shpresë mundohem të gjej një fije për të shpresuar. 

KultPlus: Të është ofruar ndonjë rol prej regjisorëve shqiptarë, qoftë nga Kosova apo Shqipëria dhe a do të vije që të luaje këtu?

Edi Mehana: Po kam pas edhe oferta dhe jam duke biseduar vazhdimisht me disa prej kolegëve të cilët kanë plane që në të ardhmen të realizojnë projekte. Sigurisht që do të vij të luaj në mundësinë e parë që do të më jepet, me kënaqësinë më të madhe.

KultPlus: Dhe për fund, ka artistë shqiptarë që janë duke u treguar në anë të ndryshme të botës, si e përjeton këtë fakt?

Edi Mehana: Po është e vërtetë që artistët edhe sportistët shqiptarë po tregojnë suksese të mëdha dhe më karakteristikja e kësaj është se shumica janë individ, pa kurrfarë përkrahje të shtetit po i arrijnë këto suksese. Mandej mundohen prapë ti shfrytëzojnë ata për kampanja personale e politike. E kisha shfrytëzuar rastin të bëjë thirrje në popull që ti përkrahin artistët dhe sportistët, se me të vërtetë ata janë ambasadorë të vendit. Unë personalisht ndihem krenar për të arriturat e tyre./KultPlus.com 

SHKARKO APP