Edi Rama – terroristi i Thesarit të Shtetit
Nga Erl Kodra –
Çdo komb përballet me kërcënime. Këto kërcënime mund të jenë shoqërore, të tilla si agresioni nga një vend fqinj, infiltrimi i një grupi terrorist ose tendencat ekonomike globale që komprometojnë mirëqenien e kombit. Në raste të tjera, kërcënimet mund të vijnë nga natyra, të tilla si përmbytje, termete ose pandemi virale. Çdo kërcënim sfidon fuqinë e një kombi dhe shkatërron mirëqenien e tij.
Çfarë është një kërcënim për sigurinë kombëtare?
Çdo gjë që kërcënon mirëqenien fizike dhe ekonomike të popullsisë ose rrezikon stabilitetin ekonomiko-financiar të institucioneve të një kombi konsiderohet si një kërcënim i sigurisë kombëtare. Kërcënimet e sigurisë kombëtare mund të ndahen më tej në grupe.
Ky shkrim nuk ka për qëllim identifikimin e të gjitha kërcënimeve që ekspozojnë sigurinë kombëtare të një vendi, por do të përqëndrohet në rrezikun që paraqesin krimet financiare në stabilitetin ekonomik dhe politik.
Paraja është përdorur që në kohët e lashta, dhe ka diktuar zhvillimin e sistemeve sociale, ekonomike dhe politike të shoqërisë njerëzore. Paraja është përdorur një si mjet lehtësues në tregtimin e pasurisë në mënyrë indirekte; jo të drejtpërdrejt si shkëmbimi fizik i mallrave dhe shërbimeve. Vet paraja është një mekanizëm që lehtëson këtë proces.
Në këtë kuptim, që në kohët e lashta paraja ka qenë dhe mbetet një ndër fushat më të mëdha të krimit – ku përfshihen të gjitha llojet e krimeve, ose e thënë ndryshe, pothuaj shumica e krimeve në botën që njohim kanë lidhje direkte ose indirekte me paranë. Për të kuptuar këtë, është e nevojshme të shohim në thellësi rolin kompleks të parasë në botën e krimit.
Si në asnjë fushë tjetër të aktivitetit njerëzor, paraja është kthyer në një mjetin kryesor politik, ekonomik dhe ushtarak të njerëzimit. Mallrat, shërbimet dhe pasuritë e paluajtshme gjenden në treg dhe ato blihen me para. Gjithçka që shohim ka një çmim të caktuar dhe mund të blihet. Ajo çfarë nuk mund të blihet me pak para, blihet me më shumë para. Përndryshe bota funksionon vetëm nëpërmjet parasë – kështu ka qenë, është dhe do të jetë. Në këtë kuptim, asgjë tjetër më mirë se paraja nuk e shprehë ambiciet njerëzore. Të gjithë kanë një qëllim – të fitojnë sa më shumë para – të cilat fitohen në dy mënyra – të ligjshme dhe të paligjshme.
Shteti është pronari i taksave, të cilat i përdorë në interes të shoqërisë në tërësi. Vet shteti është procesi i zhvillimit të një strukture të centralizuar qeveritare në një situatë ku nuk ekzistonte para zhvillimit të saj. Shkencat politike dhe sociologjike e shohin lindjen e shtetit si shkallën më të lartë të organizimit shoqëror, prej të cilit sigurohet zhvillimi ekonomik dhe politik i një kombi. Kështu, kryetarët e shteteve – presidentë apo kryeministra qofshin, apriori mbrojnë interesat më të mira kombëtare, përfshirë ato ekonomike dhe financiare.
Puna kryesore e një qeverie është menaxhimi i Buxhetit të Shtetit, nëpërmjet të cilit bëhet e mundur financimi i funksioneve bazë të shoqërisë. E rëndësishme është që të mbrohet paraja publike, pasi synimi i të gjithve është aty, tek paraja. Për këtë arsye ekzistojnë një korpus i tërë ligjesh juridike, që rregullojnë funksionim e shtetit dhe mbrojnë interesin publik, pra paranë publike, përndryshe, paratë e taksave. Kësisoj, mbrojta e interesave të publikut automatikisht është mbrojte e interesave kombëtare.
Qeveritë zgjidhen çdo katër vjet, ndërsa shteti është i përjetshëm. Në një farë mënyre, shteti i ngjanë një ndërtese madhështore prej ku mbrohet interesi publik, ndërsa qeveritë menaxhojnë përkohësisht politikat e tyre në interes të publikut. Qeveritë nuk mund të dalin mbi shtetin, mbi interesin e shoqërisë, mbi ligjin me të cilin është themeluar shteti. Kësisoj shteti ka njëlloj shenjtërie klasike, të paprekshme dhe të pakorruptueshme. Mbrojtësit e Shtetit janë prokurorët.
Kjo hyrje e gjatë ishte e nevojshme për të shenjuar rëndësinë absolute që ka mbrojtja e interesave kombëtare, mes të tjerash, edhe mbrojtja e financave të shtetit. Në hierarkinë e sigurisë, Thesari i Shtetit është i rëndësisë absolute. Kush e dëmton, e vjedh ose e shpërdoron përballet me ligjin. Kjo vlen edhe për shuma modeste.
Kryeministri i Shqipërisë sapo ka humbur përfundimisht 110 milion euro të shtetit shqiptar në një gjyq ndërkombëtar arbitrazhi me Francesco Becchetti, pronar i televizionit Agon Channel. Quajeni edhe kështu – ky është edhe investimi kryesor i qeverisë së Kryeministrit Rama në tetë vite pushtet. Ai po largohet duke lënë pas një faturë gjigande borxhi publik, shpërdorime dhe vjedhje, një ekonomi të kaparuar me kontrata konçensionesh edhe për 10 – 15 vitet e ardhshme. Historia e shtetit nuk njeh ndonjë keqbërës të dytë si ai. Sjellja e tij me financat publike është sjellje prej terroristi.
Adi Krasta para disa ditësh qeverinë e Edi Ramës e cilësoi më të keqe se një qeveri pushtuese. Dhe kishte të drejtë, sepse as pushtuesit nuk i humbasin paratë e shtetit në aventura të ngjashme. Por nuk është kjo më tragjikja.
Në fakt tragjedia e vërtetë është heshtja e prokurorëve të Republikës. SPAK sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë, ndërsa terroristi Edi Rama, shkaktari kryesor i humbjes së 110 milion eurove është kandidat për kryeministër, tashmë për herë të tretë.
E mira mund dhe duhet të ishtë kështu:
Keqbërësi të shkojë në burg, jo në Kryeministri. Le të jetë kjo prova e parë se ndërtimin e shtetit e kemi marrë seriozisht.