Edi Rama:Në Britaninë e Madhe me gjuhën e kulturës europiane

Pas suksesit vitin e kaluar në Bienalen e Venecias, ekspozita me punimet e dy artistëve shqiptarë, Edi Hila dhe Adrian Paci, titulluar “Monumente të Mundshëm Ardhmërisht të Parealizuara”, u riçel edhe në mjediset e shkollës së mirënjohur të arkitekturës, Architectural Association (AA), në Londër.

Në çelje të saj ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e vlerësoi atë një tjetër rast “për të rrëfyer përsëri, me fjalë e me vepra, Shqipërinë që ka nisur të njihet e shihet me sy tjetër”.

Ekspozita u shoqërua me diskutime të hapura me studentë, pedagogë dhe dashamirës të artit.

Për organizatorët e Architectural Association, ekspozita nuk përfaqëson thjesht një bashkëpunim të tashëm, por një urë për të ardhmen, për t’i folur sa më shumë njerëzve edhe përmes artit.

Presidentja e shkollës, Sadie Morgan u shpreh se “Architectural Association” është shumë e lumtur që ka organizuar këtë ekspozitë. “Është shumë emocionuese që kemi këtë lidhje me Shqipërinë dhe gjithë këta artistë që kanë ardhur nga vendi juaj. Kjo ekspozitë ka udhëtuar që nga Bienalia deri këtu dhe përfaqëson një bashkëpunim, jo vetëm për tani, po edhe për të ardhmen, midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, si edhe mundësinë e këtyre instituteve për të transmetuar këtë energji dhe dinamizëm në një komunitet më të gjerë dhe në sa më shumë njerëz. Flas për ato programe që kanë influencuar shumë progresin e punës në qytetin e Tiranës tek arkitektet dhe tek ata që kanë interes për Mbretërinë e Bashkuar” –u shpreh zonja Morgan.

Ndërsa kuratorja shqiptare Jonida Turani vlerësoi se punimet e dy artistëve shqiptarë, “Penthouse” (Shtesat), një seri pikturash nga Edi Hila dhe “The Column“ (Kolona), një video/instalacioni nga Adrian Paci, u pritën mjaft mirë nga publiku londinez dhe sipas saj, vetë prezenca e Kryeministrit Edi Rama rriti interesin për ketë ekspozitë.

“Ekspozita u prit mjaft mirë, pati një prezencë të lartë studentësh dhe profesorësh. Shtypi i huaj ka pasur interes të veçantë për këtë ekspozitë. Edhe vetë prezenca e Kryeministrit Edi Rama ka ndikuar në këtë dhe roli i tij si mbështetës i vazhdueshëm i punës së artistëve, por dhe i arkitektëve, solli interes të madh edhe në leksionin e sotëm në AA”, –  tha kuratorja Turani.

Edhe kuratori italian, Stefano Rabolli Pansera u shpreh se ishte shumë e rëndësishme të rishikoheshin këto dialektika midis një mjeti tjetër shprehës dhe gjeneratave të ndryshme artistesh nga Shqipëria.

“Architectural Association” është një nga shkollat më të rëndësishme të arkitekturës në Europë, prej ku kanë dalë ndër arkitektët më të njohur aktualisht.

SHKARKO APP