Eduart Dëma: Kush ja dha valles magjinë

Eduart Dëma është bërë një nga zërat që hyn në rrjeshtin e këngëtarëve më të duartrokitur në fushën e interpretimit dhe këngës. Pas Greqisë ku ai ngriti peshë zemrat dhe shpirtrat e trazuar të emigrantëve shqiptarë, njëkohësisht dhe pas aktiviteteve artistike në Jug të Shqipërisë ai tashmë ka kapërcyer kufinjtë në një gjeografi më të gjerë. Këtë e ka bërë repertori i tij tashmë i ndjeshëm dhe së fundi dhe kënga dhe klipi i tij më i ri “Kush ja dha valles magjinë” me të cilin kërkon të ngjisë majat. I lindur në qytetin bregdetar të Vlorës, dhe tashmë me banim dhe aktivitet në Britaninë e Madhe, në Londër, emri i tij renditet ndër më të njohurit në tregun e muzikës shqiptare folk-popullore. Ai ka një bashkëpunim të ngushtë me Shtëpinë Diskografike “Sonic Shpk.”

Kënga dhe klipi i tij “Kush ja dha valles magjinë” është në fakt një bashkëpunim me kompozitorin Genci Malaj dhe me poetin Nexhip Seraj si dhe me “Pro Video Folklori TV”. Kjo këngë dhe ky klip kanë një ton dhe një mesazh të ndjeshëm e mjaft tërheqës. Është një timbër që kërkon të ringrejë të ndjeshmen dhe potencialen në mesin e asaj që vjen vetëm nga kënga e bukur. Është një arsye më shumë që duhet theksuar se kjo këngë është një majë në ngritjen e tij që nisi në prillin e vitit 2009-të kur ai me këngën “Të flisja me ty o Zot” vijoi të shfaqej me klipin “Nën hije të ullinjve” në verën e po atij viti, ku pati mjaft sukses.

I veçantë në stilin e tij, mjaft tërheqës në interpretim dhe mbajtje gjallë të timbrit, e bën këtë këngëtar të jetë tashmë një figurë mjaft e kërkuar. Dhe pse ka pak vite në skenë ai kapërcen jo vetëm kufijtë imagjinarë, por bën rrugëudhë dhe në ata relaë e të prekshëm që vijnë nga sallat dhe duartrokitjet. Zbulimi i tij si këngëtar erdhi i rastësishëm nga shokët kur shkonin në buzukët e Athinës dhe ai këndonte apo shoqëronte këngëtarët grekë. Ishin ata që i thanë se do të bëhesh këngëtar. Dhe ai e mirëpriti këtë dëshirë të shokëve dhe dhunti të tij duke ju dhënë tërësisht këngës. Këndoi në disa buzukë grek, ku kërkohej kualitet dhe më tej ai doli para publikut shqiptar me pesë klipe dhe nëntë këngë në një album shumë të vlerësuar e mjaft të sukseshëm me titullin “Lum ai që s’prishi fjalë”. Kështu në pak kohë ai pëlqehet nga të gjithë brezat, nga të gjithë të rrintë e sidomos nga ata që ndjejnë mall e nostalgji për këngën e bukur folk-popullore.

Duhet theksuar se Eduart Dëma ka bashkëpunime të sukseshme me mjaft kompozitorë me emër, sidomos me kompozitorin e shquar shqiptar, Adrian Hila, që në fakt ishte ai që e zbuloi atë jo vetëm si një atlent në shpërthim, por si një emër që kërkon majat në fushën e folkut popullor të këngës së Jugut. Autori i këtyre klipeve të suksesshme, Eduart Dëma, ka këngë të kompozuar dhe me të mirënjohurin Edmond Zhulali dhe me kompozitorin Klodian Qafoku. Kështu duke parë këto bashkëpunime të Eduartit me figura të mirënjohura të muzikës shqiptare, ne ndjejmë të ritheksojmë atë që ai e ka shprehur kohë më parë dhe e rithekson për ne se shpirti i tij është tashmë i lidhur me këngën dhe vetë kënga është jeta e tij.

Dhe natyrshëm ai nuk është tashmë thjesht një “zbulesë” si kemi lexuar diku, as dhe si një talent që doli rastësisht, por si një mjeshtër që mes modestisë dhe shpirtit të tij plot zjarr vazhdon të këndojë për vlonjatët në shtëpi apo në dasma ende pa menduar që ai është një mjaft i kërkuar dhe një këngëtar i mirëfilltë. Ai vazhdon të këndoj labçe, por edhe këngë popullore vlonjate. Ai vazhdon të këndoj nëpër mbrëmje, dasma dhe në fejesa dhe kështu vazhdon të pëlqehet për çdo ditë e më shumë. Dhe për ditë e më shumë e shikon dhe e ndjen se tashmë është plotësisht e hapur rruga, dhe se kënga ështëe brenda tij dhe ai është vetë brenda këngës. Tashmë ai nuk mund të ndahet më nga kënga, dhe vetë kënga e Eduart Dëma janë shkrirë një brenda saj, brenda kësaj lidhjeje të ndjeshme e plot magji.

Kur ne e pyesim për jetën dhe këngën, për këtë lidhje të këngëve të tij Ai vetë na shprehet kështu se “Besoj se po. Kënga ka lidhje me fëmijërinë time. Për ato vite kur rritesha në prehrin e gjyshërve të mi, të cilët bashkë me kujdesin më jepnin shumë këshilla për jetën, të cilat më janë ngulitur në mendje. Gjyshi sa herë binte fjala për miqtë dhe të njohurit më këshillonte “Bir, në jetë të jesh i kujdesshëm. Mos lakmo shumë. Puno me djersë dhe me nder. Por me një synim. Të mos kesh në qendër të vëmendjes paranë por njeriun. Bë sa më shumë miq dhe mundësisht asnjë armik. Pasuria vete dhe vjen ndërsa miqësia është e shenjtë”. Dhe këto fjalë nuk mi thoshte njëherë, por sa herë në shtëpinë e tij bujtnin miq.”

Në një lidhje tjetër është frymëzimi nga vendlindja. Dhe këtu natyrisht është vetë Vlora të cilën ai e rrëfen kështu: “Kjo për shumë arsye, por e para është se Vlora ku jam rritur ka në themel këtë këngë. Vlora, labçen dhe populloren i ka dy themele të shpirtit të artit. Kjo këngë më vjen për shtat, më jep forcë, më bën krenar, pastaj gjen dhe fabul popullore. Një pjesë e historisë së Vlorës ka ardhur deri në ditët e sotme edhe nëpërmjet këngës. Pra kjo këngë në disa momente ka zëvendësuar dhe historinë. Janë dhe veglat muzikore që këndohet kjo këngë një tjetër shtysë. Klarineta, defi, fizarmonika, violina, janë një katërshe magjike që më bën të meditoj por edhe të frymëzohem. Këto vegla i kanë shoqëruar kudo këngët e popullit dhe duket se janë shpikur enkas për popullin tonë.”

Dhe autori që këndon “Do ta marr nusen Çame”; “Çfaj ka dashuria”; “Lum ai  që s’prishi fjalë”; “Mirë se vjen në jetën time”; “Merak që s’më ike kurrë”; “Sofra e vjetër”; “Të flisja me ty o Zot”; “Nën hijen e ullinjve”; “Pashai i valles së rëndë” etj., natyrisht që e ka fituar dhe vazhdon të fitojë përditë e më shumë zemrën dhe shpirtin e mjaft adhuruesve në Atdhe, në tërë gjeografinë e këngës së tij dhe në Londër ku ai jeton dhe interpreton mjaft bukur këngën popullore.

Dr Fatmir Terziu

SHKARKO APP