Egoni ose Gjadri nr.2

 

Nga Skifter Këlliçi

Titulli i këtij shkrimi të shkruar me dhimbje dhe miradijë, mund t’u duket lexuesve disi i çuditshëm….Dhe, pak a shumë, kanë të drejtë. Por do të kuptojnë gjithçka kur të nisin ta lexojnë.

Gjadri të kujton një lumë që fillon të burojë rrëmbyeshëm nga Bjeshkët e Tërbunit, përshkon rrethinat e Pukës dhe Lezhës, për t’u derdhur pastaj në lumin Drin. Por Gjandri të kujton edhe një figurë të shquar në shkencën tonë, inxhinier Gjovalin Gjadrin, konstruktorin e famshëm të urave. Gjadri na kujton edhe të birin e tij, Egonin, edhe ai inxhinier ndërtimi, i njohur veçanërisht për projektimin e tuneleve.

Ja përse këtij shkrimi i vura titullin e mësipërm, sepse Egoni ishte vazhdimi i vlerave të të atit në këto fusha kaq të ndërlikuara dhe të vështira të ndërtimit, sidomos të ndërtimit të hidrocentraleve. Ja edhe përse këtë shkrim ia kushtoj Egonit, që disa ditë më parë u largua kaq papritur dhe një herë e përgjithmonë nga ne.

Egoni, ai djalë i zeshkët me flokë dhe sy të zinj përshkënditës… Një shok imi i vjetër i viteve të gjimnazit…Mbase jo shumë i afërt, sepse ishte një vit më lart se unë. Por na bashkoi sporti, ose më saktë volejbolli. Të dy luanim në skuadrën e gjimnazit, në takime midis skuadrave të shkollave të mesme të Tiranës. Por kishte goxha ndryshim midis lojës së tij dhe times. Jo vetëm, sepse ai ishte dy vjet më i madh se unë, por sepse ai që ato vite u bë pjesëtar i ekipit të “17 Nëntorit”, i shquar veçanërisht për kërcimet, gjuajtjet me dorën mëngjërashe, kurse unë, i zhgënjyer, gjeta ngushëllim te pena, për të shkruar artikuj që i kushtoheshin edhe veprimtarive sportive të gjimnazit tonë, ku kishte nisur të shkëlqente Egoni.

Por ai shkëlqente dhe në mësime, veçanërisht në matematikë dhe fizikë,dy lëndë që për mua ishin tmerr i vërtetë. Atë e lëvdonin profesorët e njohur dhe të respektuar të këtyre lëndëve, Zef Zymeri dhe Fadil Repishti, të dy shkodranë, siç ishte edhe Egoni, me origjinë nga Shkodra. Por tek këta profesorë nuk pinte ujë “krahinizmi’, sepse edhe unë e kisha nënën shkodrane dhe një nga dajat e mi i kishte ata të dy të njohur. Çështja ishte se këta profesorë, si dhe të tjerët i vlerësonin nxënësit si duhet, dhe krenoheshin me më të mirët. Një ndër ta ishte dhe Egon Gjadri.

Ia kisha zili për këtë dhe se po bëhej i njohur dhe në sport. Ai qeshte dhe më thoshte që të mos mërzitesha se, ja edhe unë po njihesha me shkrimet që botoja në gazetën “Sporti Popullor” dhe se hartimet e mia përmendeshin nga profesor Mark Gurakuqi, që na jepte letërsinë.

 “Nuk është çudi që një ditë të bëhesh shkrimtar”,-më thoshte. E vërteta është se ai që 19 vjeç u bë nga volejbollitët më të mirë të Shqipërisë, pjesëtar i ekipit kombëtar, i cili në shtator të vitit 1954 bëri në Tiranë takime me përfaqësuesen e Rumanisë, ndër më të fortat e Evropës. Atëherë ishte maturant, pra, mbaronte vitin e fundit të gjimnazit “Qemal Stafa”. Në prag të këtyre takimeve unë shkrova në faqet e “Sportit Popullor” një fejton me titull “Si do të dalim me rumunët?”. Nuk di sepse ata të redaksisë së kësaj gazete nuk vunë poshtë tij emrin tim, por pseudonimin “Tifozi”. Pa më njoftuar. Më erdhi shumë inat, por nuk isha veçse 16 vjeç atëherë.

Sidoqoftë, Egoni e dinte që e kisha shkruar unë atë shkrim dhe u kishte thënë, jo vetëm shokëve të skuadrës, Petrit Murzakut,Tod Kocit, Masar Agës, Jorgji Konës, Qemal Gjinalit, Dhimitraq Gogës, Shefqet Kaut, Napolon Llallës,Vangjel Kojës, Fatmir Mekës…por dhe kujt të kishte mundur. Ndaj më gufonte kraharori kur dikush më përgëzonte për atë shkrim. Ndaj i isha Egonit mirënjohës.

Një vit më pas, më 1955, përfaqësuesja jonë në volejboll mori pjesë në kampionatin evropian të volejbollit që u zhvillua në Bukuresht. Edhe Egoni ishte pjesëtar i saj. Atëherë sapo kishte nisur studimet në degën e ndërtimit të Institutin Politeknik. E takova menjëherë pas kthimit nga Rumania, kur po bënte stërvitje në Parkun Sportiv “Rinia” të Tiranës. Ishte hera e parë që ai shkonte në një vend të huaj, kurse me mua kjo do të ndodhte shumë më vonë, më 1972, kur si gazetar i TVSH-së shoqërova përfaqësuesen tonë në një ndeshje ndërkombëtare me Finlandën, të zhvilluar në Helsinki.

Ndaj dëgjoja me kureshtje përshtypjet e tij nga Bukureshti, ky qytet i quajtur gjithmonë “Parisi i Ballkanit”.Mbi të gjitha, më rrëfeu për takimin me Italinë, ku një gjyqtar rumun kishte gjykuar shumë keq në dëm të tanëve dhe kishte shkaktuar një humbje që nuk e kishim hak. Sidoqoftë, edhe pse merrte pjesë për herë të parë, përfaqësuesja jonë kishte lënë përshtypje shumë të mira duke lënë pas disa skuadra…

 Kaluan vite dhe takimet tona u bënë më të rralla. Egoni pas përfundimit të studimeve të larta më 1958 nisi punën si inxhnier në grupin e ndërtimit hidrocentraleve,kurse unë një vit më pas diplomimit për gjuhë letërsi në UT, fillova të punoja si gazetar në Radio Tirana. Me t’u kthyer nga Rumania përfaqësuesja jonë në volejboll ku vazhdonte të bënte pjesë bënte pjesë dhe Egoni, u nis për në Varshavë, për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë. Dhe që aty Egoni u njoh me një pjesëtare të grupit artistik, kërcimtaren e hijshme, Ikbal Morina, me të cilën më pas lidhi jetën.

Një ditë kur e takova, i thashë: “Duket sikur oshtima e valëve të egra të Gjadrit, bashkohet me meloditë që vinë nga skenat, ku kërcen Ikbali. Krahasimi iu duk habitshëm. “Krahasim shkrimtari”,-më tha pastaj duke buzëqeshur.

 Megjithatë unë ende nuk isha i tillë. Kishte një ndryshim me Egonin. Ndërsa ai me kalimin e viteve u shkëput nga sporti, për t’iu kushtuar me këmbëngulje dhe pasion punës shkencore,unë vazhdova sportin, por si gazetar për përgatitjen e rubrikave sportive në RTVSH dhe për komentimin e veprimtarive të tilla, sidomos në futboll.

Më pas nisëm takoheshim rrallë, sepse na ndanin punët… Por, edhe kur takoheshim, tregonim për punët e njeri-tjetrit. “Unë nuk kam ç’të dëgjoj prej teje,- më thoshte,-sepse të shoh në ekran dhe ta dëgjoj zërin kur komenton nëpër stadiume…”.

Kurse unë e dëgjoja ç’më thoshte për punën e tij si projektues i HEC-ve. Dëgjoja jo vetëm prej tij, por mësoja për të edhe nga shokë të tij, të cilët e çmonin si projektues shumë të talentuar të HEC-it të Shkopetit, Bistricës. Më pas, sidomos për studimin e skemës së shfrytëzimit të hidroenergjitik të lumit Drin dhe bashkautor i bashkëvendosjes së HEC-ve të Vaut të Dejës, Fierzës dhe Komanit.

Aty nga mesi i viteve 70-të në mjediset e Bibliotekës Kombëtare erdhi rasti të njihesha edhe me babain e tij, Gjovalinin, që thjesht nga të gjithë quhej inxhiner Gjadri. “Më quajnë kështu ,-më tha atëherë ,- mirëpo më ngatërrojnë me tim bir, Egonin, sepse edhe ai është inxhinier ndërtimi.

 -Por ka një ndryshim,- i shpjegova-,sepse Egoni, veç të tjerash, përmendet tashmë edhe për projektimin e tuneleve të devijimit dhe të sjelljes së ujit në turbinat e hidrocentraleve,kurse ti për urat..Sidoqoftë, biri yt mund të quhet edhe Gjadri nr. 2…

Buzëqeshi me kënaqësi. Atëhërë i kujtova se kur shkonim me shërbime nga Tirana në Shkodër, ishte e pamundur që unë dhe shokë, tek përshkonim urën e gjatë dhe aq të bukur të Matit, me harqe, si vetullat e malësoreve të mirakandshme të atyre anëve,të mos kujtonim se konstruktor dhe zbatues i ndërtimit të saj ishte Gjadri nr.1. Dhe të mos harrojmë se kjo urë është cilësuar si një nga më të njohurat në literaturën teknike botërore.

Erdhi një ditë që unë dhe Egoni u takuam përsëri. Kishte parë në ekranin e TVSH-së dramën “Dy krisma në Paris” ,bazuar në motive të romanit tim, “Atentat në Paris” që ishte vënë në skenë nga Teatri “Bylis”i Fierit dhe më përgëzoi për romanin.. Atëherë më ndërmendi vitet e gjimasit,kur më kishte thënë se vërtet sportist nuk do të bëhesha, por shkrimtar mundej…

Dhe kështu ndodhi, ndonëse vonë. Gjithnmonë kam dashur të shkruaj një portret për Egonin, këtë shkencëtar që meritoi edhe titullin profesor, ku të vija në dukje edhe punën e tij edhe si projektuesi i kryesor i tuneleve të hekurudhës Elbasan-Përrenjas,përfshirë, tunelin e Qafë Thanës, 300 metra i gjatë,tekstet e tij ”Tunelet”,”Urat dhe tunelet” dhe vepra të tjera shkencore… Por u largova nga Shqipëria dhe takimet me të u bënë edhe më të ralla.

 Dhe ja erdhi kjo ditë që ai u nda përgjithnjë nga ne. Ndaj në kujtim të tij hodha në letër këto radhë, për familjen, kolegët, shokët dhe miqtë,opinionin e njerëzve që do ta kujtojnë kur të kalojnë tunelin e Qafë Thanës, ashtu sic kujtohet i ati për Urën e Matit.. Do ta kujtojnë Egonin që edhe i pajetë, do të mbetet si ai prore midis tyre.

Para disa ditësh bisedova ne telefon nga Kuinci, (Boston), me të shoqen e Egonit, Ikbalin. Dhe i ndërmenda disa nga ngjarjet që përshkruaj më sipër, veçanërisht të periudhës, kur ata dashuroheshin. U mallëngjye…

 Ndaj në kujtim të tij hodha në letër këto radhë, për familjen, kolegët, shokët dhe miqtë,opinionin e njerëzve që do ta kujtojnë kur të kalojnë tunelin e Qafë Thanës, ashtu sic kujtohet i ati për Urën e Matit.. Do ta kujtojnë Egonin që edhe i pajetë,  do të mbetet si ai prore midis tyre.

SHKARKO APP