EJANI  në Kinë!

 Nga Dr. Arben MUKA/ Pas disa ditësh programi shqip i Radios së Jashtme të Kinës celebron 48-vjetorin e fillimit të emetimeve. Një transformim mbresëlënës nga efir-i te multimedia.

Gjatë një diskutimi të zhvilluar në auditor, në fillim të këtij viti me studentët e vitit të dytë të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, duke vlerësuar tiparet kryesore dalluese të secilit prej stacioneve të huaja me program në gjuhën shqipe, për radion EJANI u evidentuan dy aspekte thelbësore: së pari, mbisundimi i temave social-kulturore në përmbajtjet e transmetuara në versionin zanor si dhe ato të shkarkuara virtualisht; së dyti, profili i lartë i përdorimit të shqipes së shkruar dhe të folur për ndjekësit e vet. Dy elementë të ndërvarur, të cilët me të drejtë studentët i renditën  në favor të krijimit të një rrezeje të gjerë audiencës, pavarësisht grupmoshës, edukimit, përkatësisë kulturore etj,., ku gjithkujt i jepet multiakses për t’u qasur aty ku është interesi për informim, edukim dhe argëtim.

1.

Në formatin audio emisionet e përditshme të EJANI emetohen për një pjesë të Shqipërisë së Mesme, në frekuencën FM 106Mhz, një hapësirë e njohur mediatike kjo për dëgjuesit në Tiranë dhe Durrës, pasi për 10 vite rresht 2001-2011 atë valë e ka zotëruar Deutsche Welle në shqip. Fillesat e programit shqip të Radios së Jashtme të Kinës janë rreth gjysmëshekullore. Me një direktivë personale të ish-kryeministrit Çu En Lai, emisioni i parë daton më 6 qershor 1969, në një periudhë kur Tirana dhe Pekini ishin në raporte shumë të ngushta politike dhe ideologjike, me ndikim të jashtëzakonshëm dhe në aspekte të tjera në miqësinë shqiptaro-kineze, si ato ekonomike, kulturore, arsimore, sportive etj. Fillimisht programi shqip përhapej përmes valëve të shkurtra dhe pastaj të mesme, kurse nga 5 maji i vitit 2013 ndjekësit zanorë të EJANI kanë akses në frekuencën FM 106Mhz.

Një produkt i hershëm i redaksisë shqipe është dhe botimi periodik i një reviste.  Edicionet e para të saj, të publikuara çdo tre muaj, quheshin DRITARE (2004 – 2011), ndërkohë që nga viti 2013 po vijon të shpërndahet për lexuesit në print dhe elektronikisht me titullin EJANI.

2.

Redaksia e EJANI në Pekin është një miks kolegësh shqiptaro-kinezë, një bashkëkontribut mes gazetarëve, redaktorëve dhe përkthyesve, për të sjellë përmbajtje sa më të larmishme dhe cilësore për ndjekësit. Mbërritja në mjediset e seksionit shqip në ditët e fundit të prillit, megjithëse në një ndalesë rreth 4 -orëshe, ishte një rast i mezipritur për të ritakuar Eda Merepezën, një nga gazetaret prominente në RTSH, veçanërisht si drejtuese e Departamentit të Lajmeve në Radio-Tirana;  Leftjonin, prezantuesin e njohur të info- televizionit “Ora News”, me të cilin, për pjesën e studimeve dhe kërkimeve radiofonike kisha mbajtur komunikim online. Takova për herë të parë Albën, në një kohë që produktin e saj, revistën EJANI e kam shfletuar dhe shijuar prej kohësh në Tiranë, si dhe Tan Gogën, më jetëgjatin prej kolegëve në Kinë. Stafi kinez ishte mjaft miqësor në komunikim. Në fillim vetëprezantoheshin me emrat shqiptarë, të zgjedhur jorastësisht (Zamir, Dritan, Bashkim, Shqiponja e Skënder), ashtu sikundër njihen dhe nga dëgjuesit në valët e radios.

 3.

Vera, përgjegjësja e redaksisë, flet me shumë pasion për produktet që ofrohen aktualisht nga Pekini. Tipike kineze për qëndrimin ndaj punës, brenda dhe jashtë radios, modeste për rolin dhe ndikimin e saj personal në ekip, por dhe e paduruar për të arritur një EJANI, sipas preferencave dhe shijeve të sotme të konsumit mediatik të audiencës, ajo përsërit disa herë grindin për një multiofertë. “Pavarësisht nëse na ndjekin audio, online apo përmes përmbajtjeve print, duam të jemi të standardizuar në informacion. Një ndjekës i EJANI në valët e radios, në faqen online, në rrjetet sociale apo faqet e revistës duhet të ketë të garantuar cilësinë, të mësojë një gjë të re nga aktualiteti, të njohë më shumë Kinën në të gjitha dimensionet e saj, të mësojë mbi zhvillimet në Shqipëri dhe rajon, të marrë  në kohë reale ngjarjet më të rëndësishme globale. Gjithçka ne e ofrojmë aty ku një fans i yni është: para radios, kompjuterit, laptop-it, me kufje duke ecur, me celular apo pajisje digjitale në dorë”

Synimi që artikulon qartë Vera për multiofertën e EJANI, duket se është kredoja e angazhimit të stafit shqiptaro-kinez, secili në postin e vet, kontribuon me përkthime, editime a përgatitjen e përmbajtjeve unike të audiomaterialeve me formate të larmishme të prezantimit: lajme, kronika, intervista, reportazhe, portrete etj.

4.

Kina e nisi përdorimin e internetit në mes të viteve ‘90 të shekullit të kaluar. Që nga ajo kohë aksesi dhe hapësira virtuale kanë pasur dhe kanë një hov galopant kapilar në tërë shoqërinë kineze, siç di të qaset realisht ky shtet tek e reja dhe inovacioni. Websajti i redaksisë shqipe u themelua në fund të vitit 2003, në kuadër platformës qendrore të Radios së Jashtme të Kinës www.cri.cn. Në këtë aspekt redaksia shqipe e CRI-së ishte thuajse në të njëjtën hap zhvillues me homologët e saj që performonin në tregun radiofonik shqipfolës, si Deutsche Welle, BBC, VOA, RFI, Free Europe etj. Gama e produkteve virtuale: foto, tekste, animime, galeri pamjesh, video dhe sigurisht shkarkimi i përmbajtjeve më të rëndësishme audio – ishin tregues për angazhimin e redaksisë për përshtatje me realitetin e ri, gëlimin e mediave të reja dhe rrjeteve sociale.

Faqja online aktuale e EJANI-t është një meny gjeneraliste, ku vizitori e ka shumë të kollajtë të bëjë stacion aty ku i intereson (rubrika), si dhe të kërkojë atë që i duhet, tërësore a pjesore (përmbajtja). Blloku i lajmeve të fundit, infot nga ekonomia, kultura, sporti, kujdesi shëndetësor janë pjesë e ofertës sistematike të redaksisë, që kujdeset njëkohësisht dhe për konsumatorët e analizave dhe vështrimeve më të thelluara nga zhvillimet në Kinë, apo pjesë të ndryshme të planetit. Bie në sy lupa e ngjarjeve nga trevat shqipfolëse, si dhe marrëdhëniet që ato kanë me Kinën të prezantuara në mënyrë të detajizuar për vetë misionin e këtij transmetuesi në njërin prej vendeve më të fuqishme të botës.

Në ndryshim nga stacionet e tjera të huaja, të sipërpermendura, jeta dhe dinamika e ngjarjeve në Kosovë nuk zë dhe aq shumë vend. Kjo është e vetëkuptueshme, si reflektim i politikës që ka ndjekur dhe ndjek deri më sot Pekini zyrtar për pavarësinë e këtij shteti evropian,  raportet e Prishtinës me Beogradin etj. Vështruar nga pikëpamja mediatike, Kosova, gjithsesi mbetet një pjesë e mirë e target-it, pasi 90 për qind e popullatës 2 milionëshe janë shqipfolës; plus sa e sa të tjerë që kanë mbetur në emigrim në vende të ndryshme të botës, edhe këta me vëmendje e kureshtje për informacion për vendim amë.

Dy rubrikat më atraktive brenda faqes online Albanian.cri.cn janë: “Kina, në syrin tim”, një kolazh perceptimesh të lira dhe emocionuese nga ata që kanë pasur fatin të vizitojnë këtë shtet për shkaqe zyrtare, turistike, studimore, biznesi etj., dhe “Një Brez, Një Rrugë” një thellim i angazhimit global kinez pas iniciativës së Presidentit Jinping prej vitit 2013, ku mes vendeve bashkëpunuese e përfituese është dhe Shqipëria.

*Autor i Librit “Gazetar në Radio”, që u publikua në fillim të muajit prill të këtij viti në Tiranë.

 

SHKARKO APP