Ejani të bisedojmë!

Nga Ndue MALAJ –
Gremisja e moralit, bjerrja deri në skelet e parimeve të demokracisë e mënyrës së qeverisjes e transparencës së saj dhe e llogaridhënies përpara atyre që e kanë zgjedhur e pse jo më pak ndaj të gjithë qytetarëve të këtij vendi të cilën ajo ka detyrën kushtetuese, ligjore e morale t’i qeverisë, po shkon pa frena drejt një humnere e theqafje me pasoja të rënda e të pariparueshme për të sotmen e të ardhmen tonë të përbashkët. Ka dy javë që mijëra studentë janë ngritur në protesta. Në radhë të parë për hallet e tyre të përditshme, për kushtet e mjeruara të konvikteve, tarifat e larta të arsimit, për Ligjin e Arsimit të Lartë i cili përveç rrokopujës, burokracisë e arrogancës së bordeve të administrimit, korrupsionit e militantizmit fanatik partiak të përfaqësuesve të qeverisë nuk i ka sjellë asnjë element pozitiv, liri akademike a progres arsimit të lartë shqiptar. Studentët janë të qartë në kërkesat e tyre: jo negociatave, jo politikës. Partitë kryesore të opozitës PD e LSI, bashkëqeverisëse e bashkëfajtore në gjendjen katastrofike të arsimit të lartë, kërkojnë në mënyrë të pamoralshme të përfitojnë kapital politik e të privatizojnë jo vetëm revoltën qytetare e të civilizuar të studentëve, por edhe ëndrrat e tyre për një Shqipëri europiane e përtej kësaj vetë të ardhmen e tyre. Qeveria dhe kryeministri “u jep të drejtë”, i quan “të vetët”, është gati t’u falë shuplakën që i dhanë pushtetit e t’u plotësojë kushtet përtej kërkesave të tyre.
Kjo komedi ka arritur deri në kufijtë e absurdit aq sa naivët mendojnë se këto protesta i nxit dhe i sponsorizon vetë Qeveria e Kryeministri i saj. Ai është gati të bëjë “çudira” e ta bëjë detin kos për studentët, por kërkon të bëjë “bisedime” me ta e t’u thotë ca fjalë “profetike”. Studentët thanë jooooo. E drejta është në anën e tyre. E ndërkaq “analistët”, këto mostra të mediokritetit e servilë të përjetshëm të pushtetit kanë filluar të mjaullijnë atë shprehjen bajate e të përjetshme të sunduesve të paskrupuj e pa moral të cilët kur ndodhen krejt papritur përballë uraganit popullor belbëzojnë nëpër dhëmbë: “Ejani të bisedojmë!”
Po mirë o burra shteti, për çfarë të bisedojmë me ju?! Për varfërinë që e ka mbuluar si një ferexhe e zezë Shqipërinë, për korrupsionin galopant, krimin e matrapazët e politikës të cilët vjedhin në pikë të ditës miliona euro nga taksapaguesit përmes tenderëve e pronarëve të sajuar brenda ditës apo për mjerimin e familjeve të studentëve të cilët heqin bukën e gojës për t’i shkolluar bijtë e bijat e tyre. Nuk jam ithtar i negociatave dhe nuk kam banuar kurrë në lagjen e atyre që mbijetojnë në politikë e në botën e medias falë shërbimit “gratis” që ofrojnë në këto raste. E kjo për faktin e thjeshtë se këta lloj “vullnetarësh” që i afrohen çdo pushteti janë pjellat më të shëmtuara të trancizionit, emisarë të shpëtimit të pushteteve uzurpatore e mëkatarë. Janë një soj rojash e sejmenësh mercenarë që ashtu si rojat bregdetare vigjilojnë në kullat e tyre për të shpëtuar të mbyturit. Nëse shpëton jetën e një qytetari që hyn në thellësi të detit pa ditur të notojë okay, por çfarë të themi kur analistët e thinjur në vite nga shërbimet që u kanë bërë qeverive të korruptuara, antipopullore e antikombëtare përpiqen përmes shkrimeve të tyre pa sens, stil profesional e realitet t’u hedhin atyre “gomonen e shpëtimit”. Bisedat e negociatat bëhen vetëm mes qeverive e shteteve në konflikt, mes partive politike e koalicioneve që bëhen për të krijuar qeveritë apo mes palëve në konflikt në një luftë civile. Nuk ka ndodhur këtë herë asnjë rast i ngjashëm.
Studentët janë ngritur për të drejtat e tyre të mohuara e të nëpërkëmbura nga qeveria. Ato janë të drejta të arsyeshme e thellësisht legjitime. Kushtetuta dhe legjislacioni shqiptar janë garant i tyre. Atëherë përse të bisedojmë?! Keni parë ju ndonjë gjyqtar të negociojë me ndonjë kriminel, vrasës a hajdut për ta lënë të lirë apo për t’i ulur dënimin?! Aty festja të vihet sipas kokës e vendimi të jepet në emër të Republikës. Legjislacioni shqiptar ashtu si ai kontinental e anglosakson të dënon edhe për veprim, edhe për mosveprim. E zëmë se Rama e Rilindja janë “të shenjtë” e i paskan “harruar” detyrimet kushtetuese e ligjore ndaj studentëve e Arsimit të Lartë, u zgjuan tani e janë gati të bëjnë “Nënë Terezën”. Po përse u dashka që studentët t’i bien në gjunjë “sulltan” Ramës për të drejtat e tyre legjitime?!

SHKARKO APP