“Eklipsi i Dhimbjes”

Poetja ka një forcë të paimagjinueshme fantazie, një kolorit të pakontrolluar, por dhe shumë harmonik, që zbulon një botë të madhe, ku njeriu është mbret, mbret i asgjësë dhe i gjithçkaje, brenda dhe jashtë lumturisë së padeklaruar, e cila vjen dhe nga mungesa e saj…

Nga Ndue Dragusha

Në jetën tonë vjen një çast kur vëzhgimi, të përceptuarit e fenomeneve, ia le gjithnjë e më tepër vendin mendimit. Fantazia dhe deduktimi na çojnë në realizime vlerash, të cilat kur vihen në “kandarin” e lexuesit, tregojnë aftësinë jo vetëm perceptuese të individit, por dhe forcën realizuese të tij, shpirtin e një bote të madhe brenda krijuesit.

Tek libri poetik “Eklipset e dhimbjes” të poetes Pranvera Gjoni ndjehet me shumë forcë jo vetëm kurajo qytetare e autores për t’i bërë ballë duhmave të jetës në format e tyre më të çuditshme, por mbahet qëndrim fisnik dhe qytetar, me një elegancë të dukshme mendimi, duke krijuar në ligjërimin artistik fjalë dhe shprehje të reja në kuptimin e tyre të ri, duke pasuruar kështu gjuhën me nuanca të reja mendimi, që i japin fenomenit hollësi të theksuar ideje, përmes të cilave vetë folësi ka hapësirën e nevojshme për t’u dhënë vlerësimet e duhura fenomeneve. Ky stil i të folurit të figurshëm ndjehet në çdo varg të poezisë së poetes Pranvera Gjoni, e cila sjell, përmes një mënyre të këndshme të shprehuri, gjithë esklamacionin poetik të shpirtit “kryengritës” dhe “rebel”, përmes aludimit metaforik, provokimet hyjnore në një botë pa amshimin lubrifikues të vlerave.

Poetja ka një forcë të paimagjinueshme fantazie, një kolorit të pakontrolluar, por dhe shumë harmonik, që zbulon një botë të madhe, ku njeriu është mbret, mbret i asgjësë dhe i gjithçkaje, brenda dhe jashtë lumturisë së padeklaruar, e cila vjen dhe nga mungesa e saj.

Sa shumë flet poezia jote, poete Pranvera Gjoni! Duket se krojet e shpirtit tënd nuk do të shterrojnë kurrë – deri në madhështi!

Ka shumë mënyra se si të hyni në pishinë, shkallët nuk janë një nga to.” – thuhet në një sentencë. Poetja Pranvera Gjoni ka arritur të gjejë mënyrat e duhura për të hyrë në “pishinën” e jetës, rrugë të cilat janë të shtruara me shpirtin e saj, pa spekulluar me duhmat atrofizuese të “menstruacioneve të tokës, që derdhin errësirë heterogjene…”. (Poezia “Eklipset e dhimbjes”).

Një qenie delikate lëviz tashmë lirshëm, në antitezë me “kabanë e trishtuar” (Poezia “Shthur buzëqeshjen”), që luhet brenda buzëve të dashurisë. Plasaritjet e shpirtit “mbeten të ngrira”, duke “pompuar mega-ndjenjë, … dhe mbi gur të dhimbjes!” (Poezia “Autograf Vjeshte”)

Në këtë vëllim përfshihen 98 poezi, (91 në vëllim dhe 7 poezi në një cikël të titulluar “Në shtatë ditët e javës thërras Nënë!”), të cilat janë mbështetur mbi një realitet absurd që prodhon koha jonë, duke bërë diferencim të përmbajtjes, që na lejon ne si lexues të zgjedhim atë që ne na intereson, por dhe diferencim të procesit, duke “pikturuar” çaste në vend të fjalëve, përmes metaforave sfiduese. Shoqëria njerëzore pothuajse gjëndet në një lloj traume, infeksioni moral apo çekuilibrimi metabolik, për të cilin jemi të gjithë ne përgjegjës, por më së shumti na tërheq e keqja brenda vorbullës fataliste për të na bërë të përjetojmë mundime dhe paqëndrueshmëri.

Në poezitë e këtij vëllimi, struktura e të cilave është ndërtuar sipas një linje interesante dhe brenda një sintakse të qartë, me një semantikë të vlerësuar si dhe me një sociolinguistikë shumë interesante, që duket në fjalëformimet e reja, të cilat janë prezente në çdo poezi, në çdo varg të poezive, mjete të cilat sjellin koloritin e krijimit.

 “Dielli, / zgjon agimet / e fshehura nën buzë të natës, / me një tufë puthjesh në ballë.” – janë vargjet hyrëse të poezisë me titull “Eklipset e dhimbjes”, me të cilën hapet dhe vëllimi i ri poetik. Duket se poetja e ka menduar mirë dhe me qartësinë e duhur që me këtë hyrje të shpjegojë se shpirti i saj poetik është gjithmonë llavë në erupsion, por me shpresa të ndezura, që vijnë si dielli, agimet, puthjet në ballë të jetës, si metafora e ripërtëritjes, e dashurisë, e shpresës.

Nuk mund të ketë shfaqje më të bukur poetike se të shprehesh metaforikisht për dashurinë dhe për ndjenjën, se sa me vargje të tilla: “Më vodhe / vjeshtës së artë, / kur frutat ishin pjekur / e mbetur vetëm jashtë… / Zhveshur / kamuflimit të gjetheve, / pa më pyetur!” (Poezia “Burg”).

E drejtpërdrejtë, e qartë, e hijshme, plot musht jetësor, figuracion i realizuar natyrshëm, me një forcë të padiskutueshme ndjesore, një pikturë e gjallë. Të pikturosh dashurinë në mënyrë poetike, është një nga format më të arrira në artin e krijimit.

 Ndalesa që mund të bëjë lexuesi në çdo poezi vjen si rezultat i përputhshmërisë së artit me shpirtin e tij. Por kjo është mundësia e vetme që të lidhësh krijimin me lexuesin dhe anasjelltas dhe kjo nuk mund të arrihet në se nuk je një vëzhgues i mirë i realitetit dhe “përkthyes” i qartë i natyrës së fenomenit, një “piktor” i shpirtit poetik të këtij realiteti.

Poeti i mirë është si shoferi i mirë, që nuk shikon afër gomave të makinës, por larg, përpara dhe orientohet me intuitë në perspektivën e rrugës, e cila sa më ngushtë shihet larg në horizont, aq më shumë zgjerohet kur i afrohesh.

Poezia e këtij vëllimi ka limfë, ka dritë, ka dhimbje, ka shpresë, ka dashuri, ka mall dhe mbi të gjitha “lëngun hyjnor të qëndresës”. Tek poezia “Diademë loti” shohim dhe ndjejmë peshën e lotit, si personifikim i lëngëzuar i shpirtit, mbi të cilin është e gjithë bota e njeriut, sintetizuar në një produkt llave, gjaku, fryme.  “Loti yt, / djeg si llavë deltën e gjakut tim, / mpliksur / erozioneve të kohës! / Loti yt, / medaljoni i shpirtit tim. / Rri varur frymës rozë / e mbulon paqësisht, / thinjat e dhimbjes! / Loti yt, / shkrirë në lotin e trupit tim, / puthen / kufinjve të pashkelur, / horizontit të mungesës…! / Loti yt në lotin tim, / është lëngu hyjnor i qëndresës. / Në këtë botë të errët!” (Diadema është kurorë e zbukuruar me gurë të çmuar, të cilën e mbanin perandorët, mbretërit, etj. si shenjë e pushtetit të lartë. Po ashtu diademë thirren edhe zbukurimet e bëra në trajtë kurore me gurë të çmuar.)

Në artin e krijimit qëndron njeriu si ekzistencë, i cili përmban potencialet e brendshme nga ku rrjedh forca produktive e krijuesit: dhimbja, dashuria, revolta, urrejtja, vuajtja, qëndresa etj. Akti i krijimi është vuajtja e përjetshme e krijuesit, ku vetë krijuesi është në “burgun” e tmerrshëm të ndjenjës për t’i dhënë këtë produkt lexuesit. Ashtu siç thotë dhe poeti i madh rus, Sergej Esenin: “Që të jesh poet i pavdekur kurrë, / të vërtetën jetës pa ia shkelur,/ gjak nga ndjenjat nxirr, plagos lëkurë, / shpirtin njerëzve për t’ua përkëdhelur.”  Këtë gjë ka bërë dhe poetja Pranvera Gjoni në këtë vëllim. Sipas meje, ky mund të jetë modeli më i mirë i krijimit realist, bashkëkohor dhe modern.

Në poezitë e këtij vëllimi ka natyrë, ka dritë, ka jetë. Stinët vijnë në vëllim jo si përshkrime, reportazhe poetike, por si tabllo të pikturuara me kujdes, me fjalët e “qëndisura” me fijet e shpirtit, me metaforën apostrofike, duke krijuar kështu tabllotë e mrekullueshme të stinëve. Por gjithashtu, poezitë e këtij vëllimi kanë brenda një të veçantë të madhe: kanë shpirt në çdo fonemë. Morfologjia, si një sistem që udhëheq strukturën e fjalës, ka krijuar një semantikë tërësore të plotë të fjalës dhe fjalisë, brenda koloritit të mendimit dhe harmonizimit të figurës me idetë. Le të vërejmë disa nga vargjet e poezisë “Ditë si të tjerat”: “Një herë në muaj / është dita ime… / Pagëzuar  dimërdhimbjes. / Pres një buqetë / meteorësh flakëndezur, / ani pse mes tyre / ka ndonjë gjemb, / që qelqësinë e zemrës / ma ther’… / dritën e fytyrës ma errë.”

Siç vërehet, këtu kemi një “diademë” të vërtetë, mbushur me “korale”, që së bashku përbëjnë një “deifikacion” (hyjnizim) të shpresës përmes dhimbjes therëse (siç theksova më sipër në vargjet e Eseninit), për të përkëdhelur shpirtin e lodhur të njeriut që pret dhe shpreson.

Dashuria vjen tek poetja jo në formën e saj klasike, por si një mundim, që njeriun e bën të pandreqshëm, që do të thotë këmbëngulës, të patërhequr edhe nga mundimi, vuajtje fisnike e dhimbjes njerëzore. “Si nuk u lodhe, / o i pandreqshëm nga dashuria?! / Edhe pse ajo të dha më shumë lotë, / pagjumësi e ëndrra të thyera…! / Ah, e di, nuk lodhesh ti asnjëherë! / Je i “pandreqshmi” i retinës diellore, / që rrezon mendimin tim të parë në ag’ / e të fundit, / kur sytë unë përhumb në natë.” (Poezia “I Pandreqshëm). Këtu “I pandreqshmi” vjen si një apogje e krijimit për dashurinë. Po kështu poezia “Nisu me hënë të plotë” ka të njëtat përmasa dhe raporte me dashurinë, rebelimin e shpirtit dhe pandreqshmërinë e pafundme për ndjenjën, por nuk harron porosinë” “Kujdes, deti ka dallgë, / nisu me hënë të plotë”: “Mesnatës qorre / mbështjellë vetëtimash, / këputa litarët e vaporit / ankoruar në liman të shpirtit…! / Mbajta për vete / dhimbjen bërë gropë, / aty… / ku spiranca e tij, / ngulur ishte me kohë. / E lëshova në det të hapur, / kur gjëmimet e motit / thyen çdo relikë, / e në vend të tyre / derdhnin vetëm shi… / Po, po shi, / nga sytë e mi të verbuar / qëkur rashë në dashuri! / Udha e mbarë / vapor ndërtuar kristalesh, / të mendjes hidrocentral / që veç dritë, / buron e shpërndan …! / Kujdes, deti ka dallgë, / nisu me hënë të plotë…!”

Në formate të ndryshme, me forcë përgjithësuese janë dhe poezi të tjera që i këndojnë dashurisë, si: “Më zure ngushtë”, “Kapriçot e vjeshtës”, “Ike pa ardhur”, “Mos më fajëso”, “Drama jonë”, “Violinë e parë”, “Kolaudim” i dashurive”, “Në se lulja ime”, “Magjia e një të puthure”, Mbrëmje ethesh”, “Pigment shpirti”, “Vetëm për ty!”, “Zbulimi” etj.

I gjithë vëllimi mund të cilësohet si një beletristikë (letersi e bukur). Vargjet pothuajse i ngjajnë vargut të thyer të Majakovskit, karakteristikë e të cilit ishin cezurat e vogla, ku çdo fjalë është theksuar qartësisht dhe ku shpesh fjalët veçohen, duke u vendosur nga autori në një varg më vete.

Për të vlerësuar shpirtin e poetes, mjafton të lexojmë poezinë “Njëzet e katër orë poezi” dhe kemi për të kuptuar se çdo të thotë të jesh krijues. “Njëzet e katër orë nën ritmin e çmendur, / shkronjash të përflakura. / Zjarrit të fjalëve … / Digjem. / Njëzet e katër orë nën temperaturat / e syve të tu, / që shkrepëtijnë si fishekzjarre / ngjyra joshëse, / lëndinës time të virgjër … / Përjetoj. / Njëzet e katër orë nën tronditjet e marra, / të pantonimës / luajtuar shkujdesur, / nën dirigjimin e shpirtit lozonjar … / Fluturoj. / Njëzet e katër orë mbi njëzet e katër, / jetoj rininë e dytë / me vellon e dashurisë-poezi … / Buzëqeshur.”

Por që të kuptojmë universin e poetes, duhet të lexojmë poezinë ”Intervistë me kureshta(rët)in”, poezi e cila ka në plotshmërinë e saj një dinjitet krijuesi dhe njeriu, ku jepen qartazi përgjigjet e duhura për të gjithë ata që aludojnë apo për atë që aludon për fisnikërinë e njeriut krijues.

Poezitë e këtij vëllimi janë një mënyrë për të kuptuar se çfarë ndodh kur mendja e krijuesit përjeton emocionet e krijimit, kur ndjen se përrreth bota apo individi kërcënohet, kur ankthohet apo kur përqëndrohet tek ndryshimi, të japin një tabllo për të kuptuar marrëdhëniet midis ndjenjave, mendimin ndikues, njohjen dhe sjelljen përballuese, që integron si procesin e brendshëm (intrapersonal), ashtu edhe atë të jashtëm (ndërpersonal).

Sigurisht që ndër poezitë e vëllimit që  kemi në dorë reflektohen përvojat e kujdesit të paparashikuar, sipas të cilit e vetmja mënyrë që lexuesi të ketë vëmendjen e përkujdesit, është nëpërmjet esklamacionit poetik, jo për të qenë dramatik në përballjen e krijuesit me realitetin, por për të qenë bindës, për të shmangur krijimin e njeriut “egocentrik”, ngarkuar me traumat që i sjell një realitet i vështirë, prej lëndimeve dhe humbjeve, duke u rrëmbyer nga ndjenja të ekzagjeruara, nga gjendje konstante ankthi dhe impulsiviteti, që çojnë në pamundësi për të menduar para se të veprojnë.

Kam njohur një burrë-Gladiator, /që luftonte si Perëndi / në mposhtjen e ferrit të brishtëzërave, / për t’i dhënë parajsën koncerteve solo… / Kam njohur një burrë, / që qante me orteqe lotësh, / në pamundësi të këputjes së vargonjve të cikloneve, / që i ligu njeri / arkitekton në mendjen e tij, / për të fëlliqur qiejt e kaltër! / Kam njohur një burrë-Ëngjëll / megakilometrave të dëshirave, / padimension…! / Poor, vetëm në ëndërr!” (Poezia “Kam njohur një burrë!”).

Padyshim që poezia e poetes Pranvera Gjoni, përveç tendencës për të ruajtur raportet krijues – lexues, duke pasur parasysh se krijimi “burgos” krijuesin në fantazitë dhe deduktimin e tij, kurse lexuesi merr “aromën” e kristalizuar të mundimit të poetit si një produkt i lirë, krijon metamorfozën e dehjes dhe të dhimbjes: “Dehja e dhimbjes / nuk flet kurrë përçart! / Nxjerr tinguj atmospheres / që dridhen e tendosen, / botës së mefshtë, / nga qendra e shpirtit / drejt ekstremiteteve të gjymtyrëve… / Mpirë erozionit në vjeshtë. / Pije e fortë për të gjallët, / që metamorfozën / e përthyejnë në diell!” (Poezia “Tonik”).

“Kohë rrufeshë surprizë! / …bien dhe në ditët me diell.” (Poezia “Rrufe e papritur”). Në fund të fundit jeta është paradoks. Ky është mesazhi që përfundimish sjell poezia e artë e poetes Pranvera Gjoni në këtë vëllim poetik.

Kurse në ciklin prej shtatë poezishë (aq sa janë dhe ditët e javës), poetja e titullon “Në shtatë ditët e javës thërras Nënë!”, lexuesi mund të zbulojë një univers të ri të poetes – njeri, me shpirt të lodhur mungesash të kthyera në mërzi, çka e bën më të fortë aftësinë dhe procesin ripërtëritës të një shpirti, brenda të cilit ziejnë dhe përpëliten ndjenja të fuqishme si një produkt vlerësues në përqasjen për të përballuar dhimbjet dhe sfidat. Shembulli më i plotë i kësaj përqasje është vetë poezia e fundit me titull “Mërzia ime”.

            “Mërzia ime / është ekuacion me një ndryshore! / Mjafton t’ia heqësh mbulesën, / dhe aty, / dashuria në mungesë / të lexojë me ngé… / vetveten…! / Mërzia ime / është reaksion kimik i reve! / Mjafton / t’i shpupurishësh shtratin, / dhe aty të gjesh / shkëlqimin e koncentratit! / Mërzia ime / është gjithësia e ngushtuar / gjirit të frymës… / Që po t’i zgjidhësh lakun, / ngroh skajshmërisht globin! / Mërzia ime sikurse shiu, / derdhet mbi trupin e plogësht
të tokës së plasaritur… / Natës, pa dritë, / e ditës në mungesën tënde, / Nënë!”

            Duke uruar poeten për produktin shumë cilësor që sjell në dorë të lexuesit, mendojmë që tashmë poetja ka formuar identitetin e saj poetik dhe me një identitet të tillë lexuesi do ta ndjejë se zemra e poetes rreh njësh me të lexuesit. Kjo është mrekullia e krijimit! Urime poete!

SHKARKO APP