Ekspozita e Novecentos, Rama: Pa artin e kulturën evropiane, identiteti ynë nuk është i plotë

Mbi njëqind kryevepra të artit italian të viteve 1900, të ardhura nga Galeria e Artit Modern të Romës, u ekspozuan sot për artdashësit shqiptarë në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë pret ekspozitën e parë të këtij dimensioni në Shqipëri: KRYEVEPRAT e artit italian të viteve 1900. Kjo ekspozitë që ofron më shumë se 100 vepra të shkëlqyera të Galerisë së Artit Modern të Romës, përfaqëson një kontribut thelbësor në historinë e artit italian të shekullit të XX.

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite në Galerinë Kombëtare të Arteve, e konsideroi këtë një ngjarje të shënuar për artin dhe kulturën në Shqipëri.

“Është hera e parë që në Shqipëri vjen një koleksion veprash origjinale të artit botëror. Artdashësit, apo edhe nxënësit e studentët mund t’i shijojnë ato në muret e Galerisë tonë Kombëtare,” u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama.

n

Duke e cilësuar artin dhe kulturën si një “ushqim” dhe pjesë të identitetit të një kombi, Kryeministri shtoi se kur është fjala për kulturën, identiteti ynë nuk është vetëm shqiptar, por është edhe europian. “Një shprehje shumë e mençur thotë: “Rrënjët e atdheut nuk janë në tokë, janë në ushqim”. Ushqimi nuk është vetëm buka që hamë, por është kultura dhe identiteti ynë. E nëse kur vjen puna tek kultura, është e pafundme sasia e ushqimit që na duhet e për të cilën duhet të shkojmë edhe përtej kufijve tanë, kur vjen puna vetëm te identiteti ynë, identiteti ynë nuk është vetëm shqiptar, por është edhe europian”, tha ai.

Pa artin dhe kulturën europiane, sipas kryeministrit, identiteti ynë nuk është i plotë. “Të gjitha këto nuk janë gjë tjetër veçse komplementare. Nuk përjashtojnë njëra-tjetrën. Përkundrazi. Sa më shumë kulturë, sa më shumë art, sa më shumë ngjarje të tilla, aq më shumë mundësi për krijimin e energjive pozitive tek njerëzit, te komuniteti, tek më të vegjlit, patjetër edhe aq më shumë mundësi për atë ushqimin që thotë fjala e urtë, që është nga njëra anë ushqimi për stomakun dhe për trupin, nga ana tjetër, ushqimi për sytë, veshët, mendjen dhe për zemrën”, shtoi ai.

Kreu i qeverisë ka rrëfyer edhe një rrugëtim të gjatë dhe peripeci që është dashur të kapërcejnë organizatorët e kësaj ekspozite për të sjellë kryeveprat e artit italian në sytë e publikut shqiptar.

“Është një histori e pafundme garancish, sigurimesh, duke filluar njëherë nga garancia psikologjike për të gjithë ata të ulur nëpër zyra muzesh e nëpër tryeza vendimmarrjeje në Romë, të cilëve iu thuhej: “Duam të çojmë kryeveprat në Shqipëri”, në një vend ku imagjinata nuk të ndihmon të besosh se kryeveprat mund të vijnë dhe të ikin të paprekura. Nga ana tjetër, në një vend ku asnjëherë më parë nuk ka ardhur një koleksion veprash origjinale. Ka më shumë se një vit që përpiqemi për t’ia arritur këtij momenti”, u shpreh ai.

Kryeministri Rama e mbylli fjalën e tij me lajmin se pas kësaj ekspozite në Tiranë po bisedohet edhe me Muzeun Picasso për të sjellë kryeveprat e tij në Shqipëri. “Kemi bërë disa biseda paraprake me muzeun Picasso. Meqë ata kanë Picasso-n dhe e kanë dhe në përshkrimin e punës që duhet të jenë pak të çmendur, por pa besuar se kjo do ndodhte, na kanë thënë Ok. Në qoftë se ndodh atëherë, me siguri ne mund ta mendojmë seriozisht që të sjellim në Shqipëri një koleksion origjinal veprash të Picasso-s,” tha Kryeministri.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi kompanitë që mundësuan hapjen e kësaj ekspozite.

“Jam profan në këtë fushës, por si gjithë shqiptarët, kur shoh një gjë të bukur më pëlqen. Ndikimi i artit ka ndikim në jetën e qytetit. Aty ku ka art, nuk ka pisllëk. Mjafton të shohim këtu përballë, ku kemi Renë, ku nuk ka pisllëk. Brezi i ri rritet më i mirë kur shijon këto bukuri”, tha kryebashkiaku.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, uroi që të rinjtë shqiptarë, përmes kësaj ekspozite të njohin më mirë kulturën dhe artin italian, si dhe falënderoi të gjithë ata që bënë të mundur hapjen e saj.

“Do të ishte shumë e gjatë lista e falënderimeve për këtë ekspozitë. Para se të them se nuk jam ndonjë njohës i mirë i artit, falënderoj Ambasadën dhe Institutin Italian të Kulturë që kontribuoi në përgatitjen e katalogut, me një tekst të një saktësie të madhe shkencore e estetike. Bëhet fjalë për emocione të forta dhe jam i sigurt që këto emocione i provojnë të gjithë. Uroj që të rinjtë shqiptarë përmes kësaj ekspozite të njohin më nga afër artin dhe kulturën italiane”, tha ambasadori.

Midis pikturave, skulpturave, akuareleve dhe skicimeve, rrugëtimi i ekspozitës – kuruar nga Arianna Angelelli, Maria Catalano dhe Federica Pirani – hulumton përmes kulturës artistike e cila i ka rrënjët e saj në Romë dhe në Itali në gjysmën e parë të shekullit të XX-të.

Figurat femërore të mrekullueshme, portretet e personazheve të famshëm, natyrat e qeta, pamjet e Qytetit të Përjetshëm dhe të fushave romane: janë këto temat dhe subjektet që kanë kontribuar në afirmimin e artistëve të mëdhenj italianë të 1900. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 16 janari deri më 2 prill 2017, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë./m.m/

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154381116771523/

SHKARKO APP