Ekspozitë me ‘Kombet e Vdekura’

 

Artisti Ivan Grubanov do të përfaqësojë Serbinë në Venecia me ekspozitën e tij “Kombet e Bashkuara të Vdekura”, e cila përmban flamujt e Jugosllavisë, të Perandorisë Osmane, Austro-Hungareze, Republikës Demokratike Gjermane, të Bashkimin Sovjetik, Çekosllovakisë dhe shteteve të tjera që tashmë nuk ekzistojnë më.

Një total prej 100 flamuj vendesh që janë zhdukur gjatë historisë 120 vjeçare të Bienales së Venecias do të shfaqen në Pavjonin Serb të ekspozitës; në muret brenda do të jenë emrat tredimensional të të gjithë këtyre vendeve, si dhe vitet midis të cilave ato kanë ekzistuar.

Tema kryesore që Grubanov përpiqet të eksplorojë në artin e tij është kujtesa kolektive, në veçanti kujtimet që lidhen me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

“Ndërsa rritesha dhe formohesha si njeri në rrethana tepër të turbullta, kuptova se sa janë përshtypjet dhe kujtimet e mia personale në konfrontim me tregim zyrtar historik,” tha ai për BIRN.

“Mundësitë për të interpretuar dhe kundërshtuar interpretimet historike si edhe për të ndikuar në kujtesën kolektive janë tepër interesante për t’u eksploruar,” tha ai.

Projekti i parë i Grubanov në shkallë të gjerë, “Vizitori”, ishte një koleksion vizatimesh i të ndjerit presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç. Ai i realizoi vizatimet në gjyqin e Millosheviçit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë me bazë në Hagë, i cili vazhdoi derisa Millosheviçi vdiq në vitin 2006.

Ai shpjegoi se përndiqej ende nga kujtimet e luftrave të viteve 1990 kur filloi gjyqi dhe “donte një lloj përballjeje të vërtetë me atë kapitull të jetës time”.

“Takimi me Millosheviçin në gjyq ishte aq intensiv saqë nuk mendoja dot si duhej dhe në vend të kësaj vizatova,” kujton ai.

Vepra të tjera të mëparshme të Grubanovit përfshijnë “Kujtim Përndjekës”, një koleksion fotografish dhe imazhesh të ngatërruara të babait të tij me fotografi të ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm Ushtarak jugosllav në Beograd, e cila u shkatërrua nga sulmet ajrore të NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999.

“Me shpërthimin e dhunës, si Shtabi i Përgjithshëm ashtu edhe një koncept i ish-vendit u shkatërruan. Babai im është në rolin e tij në këto imazhe, ndërsa vendi dhe ndërtesa e tij përfaqësojnë nënën dhe të qëndrojnë si relike e një epoke, të zhveshur dhe pa asnjë kuptim ,” tha ai.

“Kombet e Bashkuara të Vdekura” të Grubanovit është një pasues logjik i “Flamuj të Vdekur”, një prej veprave të tij të mëparshme të artit, një koleksion i flamujve të republikave dhe të organizatave që nuk ekzistojnë më.Thelbi i këtij koleksioni ishin flamuj nga ish-shteti jugosllav: flamuj federalë, flamuj të republikave dhe provincave përbërëse, si dhe flamujt e sindikatave të punëtorëve dhe të ish-Ligës së Komunistëve.

“Idetë e para në lidhje me flamujt e vdekur më lindi në vitin 2011, kur gjeta disa flamuj që nuk përdoren më në një institucion kulturor. Ata ishin flamujt e ish-vendit dhe republikave të tij,” shpjegoi Grubanov.

“Flamujt janë objekte arti me një efekt të magjishëm,” shtoi ai. “Ata kanë fuqinë për të influencuar jetë dhe indivivë nëpërmjet simbolizmit të tyre.”

Edhe pse ai u përzgjodh të prezantonte ekspozitën e tij në panairin prestigjioz të artit në Venecia, Grubanov e pranon se ai ftohet rrallë për të treguar veprat e tij të mendueshme dhe ndonjëherë provokuese në Serbi.

Ai e prezanton artin e tij kryesisht jashtë vendit. Rezultati i mungesës së interesit në vendin e tij mund të jetë për shkak të faktit se publiku serb dëshiron t’i shmangë gjërat shqetësuese që i kujtojnë vitet 1990.

Por artisti thotë se ky qëndrim mund të jetë një gabim: “Thelbi i shumë problemeve me të cilat ne përballemi sot qëndron në vitet 1990,” përfundon ai.

Ekspozita Ndërkombëtare e 56-të e Artit në Venecia do të zgjasë nga data 9 maj deri më 22 nëntor.

SHKARKO APP