Ekstremi i djathtë përpiqet të shfrytëzojë frikën dhe pasigurinë nga COVID-19
Besohet se ektremistë të djathtë kanë lidhje me komplote për sulme me lëndë plasëse gjatë periudhës së koronavirusit. Po ashtu, operativë të grupeve të ekstremit të djathtë janë parë duke mbajtur tabela me parulla anti-semite në protestat para selive legjislative në shtete të ndryshme, si dhe kanë ushqyer teoritë e konsiracionit lidhur me pandeminë.
Grupet e ekstremit të djathtë po shfrytëzojnë në këto kohë çdo mundësi për të tërhequr rekrutë të rinj që të zgjerojnë radhët e lëvizjeve të tyre.
Për shembull, kohët e fundit janë hakeruar rreth 25 mijë adresa emaili dhe kode sekrete të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Instituteve Kombëtare Amerikane të Shëndetit dhe organizatave të tjera që punojnë kundër epidemisë.
Kur hakerët publikuan këtë javë informacionin, aktivistë të tjerë u hodhën në veprim. Përmes aplikacionit Telegram, dhjetëra të ashtu-quajtur terro-gramërs publikuan linkun e informacionit duke u bërë thirrje pasuesve të tyre të lexojnë emailet dhe të mbështesin teoritë e konspiracionit se izraelitët dhe kinezët kishin lidhje me virusin.
“Ata që kanë lexuar emailet kanë zbuluar informacion se virusi HIV është shndërruar në COVID-19,” shkruante njëri.
Megan Squire, profesore e informatikës në Universitetin Elon në Karolinën e Veriut, studion ekstremizmin në internet. Ajo thotë se grupet e ekstremit të djathtë po e shfrytëzojnë pandeminë për të përhapur propagandën e tyre.
“Reagimet me meme janë të shumta. Po e shfrytëzojnë nga çdo këndvështrim: kinezët kanë gisht; hebrenjtë po përpiqen të kontrollojnë botën… gjëra të tilla,” thotë ajo.
Pandemia ka krijuar një stuhi ideale frike, zemërimi dhe pasigurie nga humbja e 26 milionë vendeve të punës dhe masat e izolimit social për të penguar virusin vdekjeprurës që ka vrarë deri tani afro 50 mijë amerikanë.
Tani që njerëzit janë në shtëpi për të penguar përhapjen e epidemisë, ekstremistët e kanë më të lehtë të tërheqin pasues, thotë Jeff Schoep, ish-komandant i Lëvizjes Socialiste Kombëtare, NSM, një nga organizatat më të mëdha neo-naziste në SHBA.
“Pjesa më e madhe e grupeve e shfrytëzojnë këtë si mundësi për të rekrutuar,” thotë për Zërin e Amerikës zoti Schoep, i cili u largua nga lëvizja që drejtonte vjet.
Tubimet e fundit kundër masave të izolimit në shtëpi, ishin një tjetër mundësi për rekrutim, sipas zotit Schoep, i cili konsiderohet si forca që e shndërroi NSM në organizatën më të madhe neo-naziste në vend.
“Mendoj se nëse do të isha ende në krye të organizatës, ndoshta do të kishim shpërndarë karta kontakti në këto demonstrata”, thotë zoti Schoep.
Ekstremizmi lulëzon në kohë vështirësish ekonomike. Një studim i vitit 2015 analizoi afro 100 kriza financiare që nga viti 1870 dhe arriti në përfundimin se “votuesit duket se i tërheq retorika politike e ekstremit të djathtë, e cila shpesh fajëson për situatën pakicat dhe të huajt”.
Përhapja e informacionit
Pas largimit të zotit Schoep, organizata NSM është tkurrur. Udhëheqësi aktual, Burt Colucci, thotë se nuk e ka të vështirë të gjejë njerëz që dëgjojnë mesazhin e tyre se faji bie mbi hebrenjtë.
Në një mesazh me podcast, Colucci lavdërohej se 400 dëgjues ndjekin transmetimin e tij javor, një rritje e konsiderueshme krahasuar me 250 dëgjues më parë.
“Po shtohen, jo vetëm në internet, por edhe në publik. Shohim sinjale të mira”.
Zëri i Amerikës nuk mund të verifikonte në mënyrë të pavarur pretendimin e zotit Colucci. Në përgjigje të pyetjes nëse ai e konsideron pandeminë si mundësi për propagandë dhe rekrutim, ai u përgjigj me email: “Për sa i përket mundësisë që COVID-19 të shërbejë për rekrutim, është shumë e mundshme”.
Protesta kundër masave të izolimit
Javën e kaluar, protestuesit u mblodhën para selive të legjislaturave shtetërore me thirrjet kundër urdhrave për të qëndruar në shtëpi. Të paktën një anëtar i NSM u pa me një tabelë me parullë anti-semite në Ohajo. Një numër neo-nazistësh të bardhë u panë në protesta të ngjashme në Ajdaho, Miçigan dhe Karolinë të Veriut.
Profesore Megan Squire tha se protestat po krijojnë mundësi për kontakte direkte për rekrutim, megjithatë numri i supremacistëve në këto grumbullime ka qenë i vogël.