Elegjiaku, Çun Lajçi dhe dhimbja që kacafytet me vdekjen, te “Bubulinë, ti letër e pashkrueme”
Nga Albert Vataj
N’se don me mësue se ç’ka mundet me ba dhimbja e nji gjoksi qi s’mundet me gjimues, e një zemre qi kurrë nuk ka me e mësu, se n’sa copa asht shpërba, e një shpirti qi lyp prehje n’ç’ka e trazon, ti duhet më mësu se si me lexue “… nji letër t’pashkrueme”. N’se ke pas fatin mos me ken idhnue n’kurrgja, e mos me pas asnji takim me vdekjen, ti duhet me ba ç’mos me dit, se kah dilet prej kësaj jehone qi t’thrret e t’përpin. T’duhet me patjetër me i lyp n’shpirtit tand, dhimbje qi t’ban me përjetue kyt zemrë t’thyeme, njashtu siç t’mëkon yshtje, me ken i përfshim n’ndijim, si n’nji dëshir t’pagjasshëm me kurrnji tjetër qi ke provu. Ti s’duhet me ik prej këtij prehni ku malli shtërzen, e me e çue kryet prej njatij gjoksi qi hovet pupthi kafshimit tinzar t’idhnimit. Ti duhet me jetësu n’vedi, ç’ka t’ban me u ndi pend, pupël në krahët e këtij fluturimi shpirti.
Merr prej kohës tande, njat ma t’vyemen e lexo, jeto me njat zemër qi njashtu siç ka dit me dasht, si një baba, din bash mir edhe se si me vuejt dhimbet si ma e epërmja ngushti e ma e thekshmja drithërimë qielli.
“Bubulinë, ti letër e pashkrueme”, nuk asht thjeshtë një libër me 34 letra, për 34 vite që një çast i fiku brenda një shkrepëtime. S’asht veç nji penë a zeja e perëndive t’krijimit qi i endi çdo letre, para e mbas nga një poezi, asht ç’ka fjala s’mundet me i’a besue asnji gojimi e kungimi qi lyp shenjtit blatimin. Asht njaq shum’ e njaq gjithfare qi mëkuhet prej frume e ajri, qi mylmehet prej gjaku e loti, qi bzan n’gjam e n’diham. Asht ç’ka mundet me ken çdo shpirtje e shprushje e shpirtit t’poetit, por përmbi, e zemrës s’atit, njasaj ame t’dritshme qi i ka përkund djepit dhe ditës, ç’ka s’ia len qivurit as vorrit.
“Bubulinë, ti letër e pashkrueme” asht nji elegji malli dhe trishtimi. Asht nji za i përmallshëm qi i drehet pikllimit, e n’përpjekjen për me fitue n’ktë ndeshje, ai ndërsen nji bote t’gjithpërmasshme, kacafytjen e një shpirti që epet, e dihamësh epshet, e poteriset zanit, thirrjes rrokaqiellëse qi drithëron, e ndër tela jehonash e kuje, ngjizin n’nji dëshirë sakrifikuese, melodinë e nji kange vaji, qi këndojnë zogjt.
Përmes faqeve të këtij libri ti mundesh me zbrit deri thellë ku gjamt e nji shpirti shkrepin e kërdis tue thye qiej e dridh shkrepa. Njatje ku zbritet gjithher për me ndigjue, se si flet nji at’, qi tue humb ç’ka ka ma t’shtrenjt, shuguron shenjtoren e një vullnese t’nalt, qi ban ate me besue, se n’jetën e njeriut nuk ka vdekje qi e rrxon n’gjunj, por ka dhimbje qi e mësun me ken ma i fort n’qëndresën që e shnërron n’shtatore.
Gjëmimi i gjamshëm i njatij zani, nuk lyp vesh me ndigjue, ngase ka do prej atyne gjëmimeve, qi i rrok ma parë gjithësi, se mundet me i’u gjegj nji gur vorri. Çun Lajçi, n’përpjekjen për me mohu vdekjen, gjithsi asht e gjithqysh vjen, me marr çka na dhemb tue e pas, e na shemb tue e humb, mëton ndër tan’ne, se sa e brisht asht ajo syprinë liqeni, mbi t’cillën na rrekena me ngrit t’nalta shtatoret e lumnimit, e me thur botët prej idili, njat gjithrrokje qi na shterr, njaq beftas e na fiket njaq pamëshirshëm, sa e kena ma t’pamujtun me besu, se sa me e pranu.
E njashtu trazueshëm jeta jonë merr nji tjetër kuptim, si vet poezia e Çun Lajçit, kumton rrëmetshëm, për shpirtn, që përpara se me u ep, vendos me u përlesh. Nuk kanë kurrgja me humb n’kyt përballje iluzionesh, e gjithçfarë mundet me fitu, asht çfarë i ban ata ma t’ndishëm, ma t’dhimbshëm, ma t’fort, e sak t’pathyshëm.
“Bubulinë, ti letër e pashkrueme”, asht piktakim ndërmjet botëve, nji jet qi zashëm kushtron, çfarë n’gjoks i zien, çfarë n’zemër i ndez, e n’shpirt… n’shpirt lyp me përjetësu, që gjithçka qi ban me vujt me ken, tançka e ngjit atë n’zenitin e epjes, për qëndresë përmes besimit, vetë shenjtnis së njatij vullneti qi guxon t’ngrihet përmbi barrën e dhimbjes dhe humbjes, me mospranu se ka diçka qi i ndan dashnit, qi tue xan rranj n’shpirt nuk i shkul kurrgja qi vjen prej territ.
“Çuni me këtë libër për Bubulinën bëri recitalin e gjëmshëm të dhimbjes e të dhimbjes për ashtin e mishin, për trupin e shpirtin”, bani ç’ka mundet me ba nji forcë e ngjizun n’dashuni, ç’ka guxoi nji zemër me dëshmue, e njajo epje prore e këtij ati, me mbrujt, si tue dasht, qi me hinin e një dielli qi shuhet, me mujt me ngjiz statujën e një përjetësie, gjithmonshmërie qi lyp galaksi ende t’pa krijueme, me ju dhan n’trajtën e një ylli, t’nji shkreptime, qi s’harron me ndez n’synin e lotuem dritën qi e shndërron atë në krijim.
Ti mundesh me ken njajo krijet e dobët, e ligshtueme prej trazimit, por mundesh me u ndi nji izëm i eprm, nji përtrimje qi del prej thalbit t’shpirtit t’piklluem, nga vaji e mungimi, mundesh me ken ç’ka don me tan shpirt, me luftue çdo çast e çdo ditë, si n’betejën finale t’përjetësisë së një dhimbje në altarin e një krijimi.