Eli Fara: Kënga jeton më shumë se njerzit
Rrugëve të kalldrëmta të Korçës, ndanë shtëpive me arkitekturë franceze, e ulur në një “Mercedes-Benz” të bardhë, model i viteve ‘30, ajo i kthehet qytetit të lindjes me këngë. Eli Fara, pritet të publikojë së shpejti këngën e saj më të fundit “Në ke Perëndi”, një rikthim plot mall te këngët tradicionale, një pëshpërimë e melodive të vjetra të jugut, por e sjellë në kohë. Klipi (ne e kemi parë) shpërfaq një orkestër modeste, që në një fraksion sekonde të sjell ndërmend korin “Lira”, një mbrëmje korçare, shtëpinë e doktor Polenës, plakat e jugut ulur nën qemerin e portave me shaminë e zezë mbi kokë, vajzat e bukura që i gëzohen rinisë, djemtë e këndshëm që i gëzohen jetës, nën një melodi që të fton në nostalgjinë e kujtimeve, duke të dhënë njëherësh një sëmbim të gëzueshëm shprese në kraharor.
Kamera vallëzon nga një imazh në tjetrin, nga Eli te figurantët, nga rruginat te shtëpitë, nga orkestrantët te detajet e veshjes së këngëtares, duke sjellë në fund një imazh të kuruar ku çdo detaj qëndron në qoshen e vet. I mirëmenduar në çdo skenë, klipi i Elit, ka zgjuar tek ajo kujtimet e pafundme të fëmijërisë, por këngëtarja bën me dije, se nuk është vetëm një klip. “Një këngë, është një histori, është një kujtim, është një film, është një gjendje – një këngë, jeton shumë më gjatë se njerëzit, kështu që duhet parë me përgjegjësi” – thotë ajo për “revistawho.com”.
E tërhequr dhe modeste, Eli Fara mendon se të dalë në media nuk është “sporti i saj” i preferuar. “Mendoj se duhet të dalësh të flasësh, për gjëra që i prek vetë me dorë, për gjëra që mbeten, jo për ato që janë thjesht të momentit, por për gjëra që bëhen për të mbetur përjetësisht”. Në një intervistë për revistën, ajo rrëfen ditët e saj të verës, pushimet, marrëdhëniet me të bijën, shkëputjen prindër-fëmijë, dhe mallin e bartur në vete ndër vite, atë mall e paqe që ia jep vetëm Korça.
Vini para artdashësve, me një këngë të re të titulluar “Në ke Perëndi”, ku vihen re motivet tradicionale, dhe me një klip të xhiruar në Korçë. Pse një këngë me melos shqiptar?
Ndonjëherë, gjërat vijnë vetë, në kohën e duhur, në çastin kur ti e ndjen se ka ardhur koha. Në vijim të këngëve të reja që unë kam sjellë, që janë të gjinive të ndryshme, mendova se kishte ardhur momenti dhe më kishte marrë malli për folkun shqiptar, ai me të cilin unë e kam filluar karrierën time dhe që është një nga anët më të forta të miat. Them se duhej ta bëja, kisha filluar të ndjeja një lloj nostalgjie. Mendoj se edhe publiku e pret këtë, sepse shpesh më thonë: këngët i ke shumë të bukura, por ah, si ato të vjetrat…