Emërtimi i shqipes është historikisht përpara emërtimit të banorëve e të vendit

Nga Luljeta Dushi

Lik Uiljam Martin

(William Martin Leake, 1777-1860)

            “… Liku e pranon se shqipja e sotme e ka një bazë të veçantë, kurse ndryshimet, shtresimet e tjera kanë ardhur si pasojë e pushtimeve të huaja, për shkaqe historike dhe, pikërisht nga ky aspekt, gjuha bëhet dëshmi e historisë së popullit përkatës… Ai përvijoi një mënyrë studimi për shqipen, e cila mbetet e vlefshme edhe sot: huazimet nuk janë ‘prishje e gjuhës’, por në rastin e e shqipes madje dëshmojnë për fqinjësinë e paraardhësve të lashtë me popuj të tjerë, duke dhënë një mbështetje të sigurtë kundër tezave për ardhjen e vonë të shqiptarëve në këto zona…” (Xhevat Lloshi).

Lik Uiljam Martin ka qenë një ushtarak anglez dhe përfaqësues politik i qeverisë angleze pranë oborrit të Ali pashë Tepelenës në fillim te shek. XIX. Ka lindur në Londër. Ishte topograf, gjeograf, arkeolog, numismat dhe antikuar. Me detyra shtetërore udhëtoi shumë, por edhe për pasionet e tij njohëse që në moshë të re. Studiuesi dhe bibliografi i njohur J. Kastrati njofton se për Ë. Likun kanë shkruar albanologë, dijetarë dhe disa enciklopedi të vendeve të ndryshme, si: Xylander-i, Fallmerayer, Curtius, Jokli, Fishta, Çabej, Desnickaja. S. Riza, Dh. Shuteriqi, Xhevat Lloshi, i cili ka përkthyer në shqip veprën “Kërkime për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe”. Ky botim hedh dritë edhe mbi disa studime pararendëse të studiuesve shqiptarë për përmbledhjen e hulumtimeve të Martin Likut.

Liku është autor i dy veprave në anglisht:

  • “Researches in Greece” (Kërkime në Greqi), 1854 dhe
  • “Travels in Northen Greece” (Udhëtime në Greqinë e Veriut) në 4 vëllime, 1835.

Përveç studimeve të thelluara albanologjike, Liku është autor dhe bashkautor i disa veprave të tjera leksikologjike, si:

  • Skicë gramatikore e gjuhës shqipe (b/autor me Vithkuqarin);
  • Fjalor greqisht-shqip-anglisht (b/autor me Vithkuqarin);
  • Fjalor greqisht-arumanisht-bullgarisht-shqip (duke i shtuar edhe pjesën anglisht të veprës së Dhanil Haxhiut- pa ia përmendur emrin).

Në veprën e parë, përveç materialeve të ndryshme me karakter ekonomiko-shoqëror dhe politik me interes për Shqipërinë, jep edhe shënime mbi gramatikën shqipe në bazë të një punimi të hartuar nga mësuesi Evstrat Vithkuqari dhe mbi një fjalor të gjuhës shqipe. Në veprën e dytë, ai sjell materiale përshkrimore më të pasura, sidomos për ekonominë, shoqërinë dhe gjendjen politike të Shqipërisë Jugore nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës, si dhe për vendgjetjet arkeologjike.

Duhet theksuar se përveç paraqitjes emblematike të jetës e veprës albanologjike të Likut nga FESH, lexuesi mund të gjejë një shtjellim më të gjerë nga prof. Xh. Lloshi, në hyrjen e përkthimit prej tij të veprës “Kërkime për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe”, e cila ka të dhëna të plota për jetën e albanologut, marrëdhëniet me Ali Pashën, Arkivat angleze, veprat e botuara, Analizë e librit të parë, Gjuha shqipe dhe shqiptarët, Alfabeti, Gramatika e shqipes, Fjalori trigjuhësh, Ushtrime në pesë gjuhë, Vështrimet rreth tij (Likut) dhe Leximi shqiptar.

            Ndër të tjera, Liku shkruan: Gjatë gjithë rrjedhës së historisë së Greqisë, që nga dokumentimi  më i hershëm e deri në rënien e Perandorisë së Kostandinopojës, ndeshemi me një popull të dalluar prej grekëve si racë e si gjuhë, i cili banonte në anën veriperëndimore të vendit dhe shtrihej përgjatë vargmaleve të kufizuara me bregdetin ose që ecin paralelisht me të. Me sa duket ai popull arrinte drejt jugut deri në gjirin e Ambrakisë, sepse Skylaksi e gjykon këtë gji, si kufirin verior të Greqisë nga ana perëndimore, ndërsa Tukiditi, Amfilokët, të cilët banonin në malësitë mbi gjirin, i quan barbarë; me këtë fjalë, ai nënkuptonte se ata flisnin një gjuhë të ndryshme prej greqishtes. Po si historian e përdor fjalën ‘barbar’ edhe për banorët në bregdetin e Epirit, përballë ishullit Sybota; kurse Straboni na njofton se fiset epirote ishin të përziera me ilirët dhe flisnin dy gjuhë, e me këtë kuptonte ose se, njësoj si pjesa më e madhe e shqiptarëve të sotëm, ata përdornin si greqishten, ashtu edhe gjuhën e tyre amtare, ose se epirotishtja ishte e dallueshme prej gjuhës ilire, e ndoshta ishte një dialekt tjetër i gjuhës, e cila flitej nëpër gjithë Maqedoninë e në vendet fqinje, përpara se shkrimi dhe qytetërimi i Greqisë të shtrihej mbi këto provinca.

            Mund të dalë se në Greqi dhe në atë pjesë të Ilirikut, që më pas u quajt Epiri i Ri, ky ndryshim asnjëherë nuk arriti në atë shkallë aq të madhe, sa ndodhi në Thesali e në Maqedoni, kurse malësitë e larta dhe ashpërsia e skajshme e kësaj pjese të vendit në të gjitha epokat, u kanë dhënë vendësve rrënjës një strehë të sigurtë kundrejt pushtuesve. Kjo hamendje mbështetet në një masë të madhe nga mbetjet e një gjuhe të veçantë, e cila përbën bazën e shqipes së sotme. Është diçka që vihet re, se të gjitha fjalët, të cilat u ngjajnë atyre të huazuara prej gjuhëve të sotme të tjera, mund të quhet se vijnë për shkak të ngjarjeve, të cilat sollën aq shumë kombe të huaja në Shqipëri ose në afërsi të saj, ndërsa vetë këto fjalë të huaja do të shihet se gjenden në përpjesëtim të njëjtë me pasojat që kanë sjellë mbi këtë vend racat e ndryshme të të huajve.

            Nga fjalët greke që ndeshen në shqipen, një numër i vogël kanë gjurmë të brendshme se janë përshtatur përpara se gjuha të pësonte ndryshime; një pjesë më e madhe ruan dëshmi të njëjta se janë marrë prej greqishtes romake, si dhe ka mjaft të tilla, forma e të cilave meqë është e njëjtë si në greqishten e vjetër, ashtu edhe në të renë, nuk na lejon të japim një kohë të sigurtë të hyrjes.

            Fjalët me prejardhje latine janë dy ose tri herë më shumë sesa të prejardhurat prej greqishtes, e megjithatë janë shumë më poshtë sesa përpjesëtimi në të cilin ndeshen në gjuhët e tjera të sotme të Europës. Pjesërisht kjo mund të shpjegohet me pozitën e veçuar dhe me zakonet luftarake të malësorëve shqiptarë, të cilët duke u mbrojtur që të mos nënshtroheshin, e kanë ruajtur gjuhën e tyre, po ashtu si ato të maleve të Pirenejve e Kantabre, që të mos merrnin një përzierje aq të gjerë të latinishtes, si dhe pjesërisht nga mësimi i latinishtes, e cila ka mbizotëruar me një shtrirje aq të madhe në Europën e qytetëruar që nga ringjallja e shkrimit.

            Ato pak fjalë me prejardhje gotike, që hasen në shqipen, do të kenë hyrë në përdorim në shekullin  e pestë, kur gotët e Alarikut u bënë zotërues të plotfuqishëm të pjesës më të madhe të dy Epireve, e sidomos në veri, ku më pas i gjejmë disa nga pasardhësit e tyre se janë ngulur si zotërues të qetë të një pjese të vendit dhe një prej tyre quhej Sidismundi, ai që kishte bërë aleancë me Teodorikun e Madh, kur në fushatën e tij kundër romakëve të Perandorisë së Lindjes hyri në Maqedoni dhe ata nëpërmjet një stratagjeme, ia dolën që ta kapnin qytetin e Dyrrahiumit për t’ja dorëzuar atij. Gjithashtu duket se gotët kanë pasur forca të mëdha në Dalmaci në atë kohë, aq sa perandori, Justiniani i Parë bëri luftë kundër tyre dhe e ribashkoi atë provincë të Perandorisë.

            Sipas Xhevat Lloshit, Martin Liku, gjuhën shqipe e jep zakonisht me fjalën përkatëse angleze: Albanian. Me mjaft mprehtësi ai e sheh prejardhejn e kësaj fjale në gjuhët evropiane, të lidhur me emrin e vendbanimit të shekullit të dytë: Albanoit, të përmendur nga Ptolemeu në shek. II, një e dhënë e cila sot është e pranishme në çdo shkrim tonin. Prej këtej në gjuhët evropiane vjen edhe emërtimi i banorëve, të cilin në mesjetë e sheh se nga një trevë e ngushtë është shtrirë për gjithë malësitë e Epirit e të Ilirosë. Nga një ngjashmëri e rastit, e quan Albanonin edhe Albanon, rrjedhimisht e gjen gabimisht vendndodhjen e tij në Elbasan. E vlen të nënvizohet veçan, se Liku ka meritën që ka dhënë në librin e tij emrin e Shqipërisë e të shqiptarëve. Kavalioti dhe Dhanili para tij nuk e kanë emrin e gjuhës në çfarëdo trajte shqipe, por e kanë vetëm greqisht. Kurse Liku e ka përfshirë emrin e vendit edhe në Fjalor, ku nuk ka emra të tjerë të përveçëm. Megjithatë kur vjen puna për gjuhën, diçka ka ngecur në mënyrë kureshtare: Emërtimi i shqipes është historikisht përpara emërtimit të banorëve e të vendit, ndryshe nga emërtimet e gjuhëve të tjera, të cilat përkundrazi, ne i ndërtojmë si të prejardhura nga emri i vendit, ose i banorit. Deri në fund të shek. XIX ka mbizotëruar ndajfolja “shqip”, kurse ‘gjuha shqipe’ ose ‘shqipja’ janë bërë të zakonshme në shekullin XX. Deri edhe në Abetaren e Shoqërisë së Stambollit del ndajfolja: gjuhës shqip (jo: gjuhë shqipe). Në këto rrethana nuk është krijuar “shqipërishtja” nga emri i vendit, as “shqiptarishtja” nga emri i banorit siç janë të zakonshme anglishtja (nga Anglia), ose baskishtja (nga baskët). Ndërtimi i fjalës ‘shqiptarike’ (Shkipetaric or Albanian) paraqet disa veçanti. Para së gjithash është shkruar me “sh”, ndryshe nga alfabeti i pranuar prej tij. Së dyti është nën ndikimin e prapashtesës së greqishtes, si te fjalët “romanik, arvanetik”. Së treti është nisur nga tema e emrit të banorit ‘shqipetar’, ndryshe nga emërtimi ynë, i cili prandaj dallohet nga emërtimet shqipe të gjithë gjuhëve të tjera. A është përdorur nga shqiptarët rreth e rrotull Likut, apo është një noelogjizëm i tij për analogji, duke u nisur nga emri i banorëve?

Arsyeja fshihet te fakti se Liku është nisur nga greqishtja dhe nga mbizotërimi i emërtimit greqisht në rrethanat e shpeshta të komunikimit të tij me shqiptarët e Greqisë dhe me grekët.

Prejardhjen e shqiptarëve, Liku e ka vështruar në planin historik dhe gjuhësor. Që nga burimet më të hershme të historisë greke, ai e thekson se gjejmë një popull të dallueshëm prej grekëve nga raca e nga gjuha dhe e mbështet këtë me referime nga autorët antikë grekë.

 

SHKARKO APP