Emocionuese, 11 kamionë me ndihma nga vëllezërit e Kosovës
Shqipëria është e gjunjëzuar pas tragjedisë së mëngjesit të 26 nëntorit. Tërmeti prej 6.4 ballësh, shkaktoi dhjetra viktima dhe la në mëshirë të fatit qindra njerëz. Në një kohë kur shqiptarët më shumë se kurrë kanë nevojë për njëri tjetrin, fondacioni “Fundjavë Ndryshe” ka qenë pranë të prekurve me çdo ndihmë të domosdoshme. Si ujë, rroba, dyshekë, veshmbathje, shtretër dhe ushqime të gatuara, janë dërguar në zonat e prekura.
Falë fushatës së madhe sensibilizuese, po ashtu nga Kosova ka ardhur një ndihmë shumë e madhe. 11 kamionë me mbi 200 ton ndihma kanë kaluar kufirin dhe kanë ndaluar pranë Qendrës së Solidaritetit, prej ku do të bëhet shpërndarja te njerëzit e prekur.
Astrit Panxha, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës shprehet se janë 7 biznese të cilat kanë ofruar produktet bazike më imediate.
“Për ne ka qenë një lajm shumë i hidhur dhe sapo kemi marr telefonatat, jemi mobilizuar që të ndihmojmë Shqipërinë. Kemi një numër të kompanive që janë anëtarë të Klubit të Prodhuesve të Kosovës. Disa prej tyre janë “Devolli Group” me pronar Blerim Devollin, është “Comodita Home” dhe “M&Sillosi” me pronar Shkëlqim Devollin.
Është “Frutex” me pronar Shaqir Palushin, “Fuildi” me pronar Fejzullah Mustafa, korporata “Rugove” me pronar Visar Kelmendin. Dhe “Flutra” me pronar Gojart Kelmendin. Ne kemi sjellë një sasi prej rreth 200 ton produkte, ushqime si qumësht, vaj, miell, lëngje, ujë. Por, edhe produkte të sanitarisë dhe numër të madh të dyshekve që mund të përdoren nga familjet që janë prekur nga tërmeti.
Por, në të ardhmen ne do të mobilizohemi prapë dhe kur të nisë procesi i ri-ndërtimit të shtëpive; do tentojmë të sjellim dhe materiale ndërtimi. Dhe pjesë të tjera që secila familje e cila është prekur nga tërmeti t’i kthehet normalitetit.”
Ndërsa, Arbër Hajdari drejtuesi i fondacionit “Fundjavë Ndryshe” tha se ndihmat do të grumbullohen në magazinën e Qendrës dhe menjëherë do të nisë shpërndarja kryesisht në Durrës e Thumanë.
“Vëllezërit nga Kosova dinë ta bëjnë mirë ndihmën e tyre dhe ka ardhur një sasi jashtëzakonsisht shumë e madhe ndihmash. Besoj se kjo ka qenë ndihma më e madhe që mund të ketë ardhur sot në Shqipëri. Ne kemi një program për shpërndarjen e ndihmave fill që pas tërmetit. Jemi të lokalizuar në disa pika, kryesisht në Thumanë e Durrës. Aty ku tërmeti ka bërë dëmet më të mëdha.
Por jo vetëm. Për shkak dhe të fluksit të madh të njerëzve do të bashkëpunojmë me instancat shtetërore. Për të bërë shpërndarjen që realisht çdo ndihmë të shkojë te ata njerëz që janë të mbetur pa shpresë, pa banesë. Dhe te ata që është më e rëndësishme, më të varfërit.”
Në fjalën e tij, Panxha shprehu mirënjohjen për fondacionin “Fundjavë Ndryshe”, për rolin e madh në sensibilizimin e gjerë të njerëzve. Me qëllim ardhjen në ndihmë të njerëzve të cilët sot janë në mëshirë të fatit, prej fatkeqësisë së tërmetit.
““Fundjavë Ndryshe”, ka luajtur një rol fantastik në sensibilizimin e qytetarëve për nevojat e shqiptarëve në Shqipëri. Po ashtu dhe media të tjera dhe është bërë një mobilizim i jashtëzakonshëm që t’i gjendemi pranë njëri-tjetrit.”
Hajdari tha se menjëherë pas rënies së tërmetit, në një kohë rekord është arritur një shifër më shumë se 1 milion dollarë ndihma monetare. Pasi njerëz të ndryshëm, të njohur, figura publike, njerëz të thjeshtë kanë dhënë kontributin e tyre.
“Ne kemi nisur një GoFundMe që ditën kur ndodhi tërmeti. Dhe për herë të parë në një kohë kaq të shkurtër, kemi arritur të grumbullojmë 1 milion dollarë. Dhe kjo ka qenë në bashkëpunim me rreth 16 mijë njerëz që kanë dhuruar përmes platformës online. Ka pasur një sensibilizim mbarë kombëtarë. Përfshi këtu njerëz të njohur, figura publike, artistë, njerëz të sportit që kanë kontribuar nga e gjithë bota. I gjithë ky fond që po vazhdon të krijohet do të shkojë për të ndërtuar shtëpitë për njerëzit që kanë mbetur pa banesë.”
/ TIRANA TODAY