Emrat e fëmijëve, ekspertët: Vendosini shqiptarë, s’po kuptojmë se në cilin shtet jemi

Faktorët politiko-historik duket se kanë ndikuar ndjeshëm tek prindërit shqiptarë në vendosjen e emrave të fëmijëve të tyre.

Sipas një vëzhgimi, gjatë viteve 1900 deri në 1940 rezulton se në vendin tonë mbizotëronin emrat me prejardhje turke si Fatime, Hajrie, Merjeme, Sanie dhe Skënder.

Në një intervistë për RTV Ora lidhur me këtë çështje, sociologu Gëzim Tushe u shpreh:

Ndikimet e pushtimit osman në Shqipëri kanë lënë një ndikim shumë të fortë në emrat të cilët i ndjejmë edhe sot. Edhe gjatë kohës së pushtimit në Shqipëri ka pasur çudi më të madhe emra që janë lidhur me sundimtarë të caktuar. Përshembull në Shqipëri ka pasur nga viti ’43 shumë nëna që kanë vënë emrin Hitler dhe pastaj e kanë kthyer Hito kur ra Hitleri dhe pastaj e kanë kthyer Tito.”

Tushe shpjegon se gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri ekzistonte një libër i detyrueshëm në Gjendjen Civile në lidhje me emrat që lejoheshin të përdoreshin.

Ai shton:

Atëherë ka pasur një libër, një libër që ka qënë doktrinar, një libër që ka qënë i detyrueshëm në Gjendjen Civile dhe për të vendosur emrin e një fëmije do të hapje fletët e atij libri, ku mund të gjeje emra shqiptarë, siç është i imi, Gëzim, Dëshira, Dashuri.”

Pas rënies së diktaturës, më konkretisht gjatë viteve të fundit, është vënë re që prindërit shqiptarë i vendosin fëmijëve të tyre emra të frymëzuar na personazhet e huaja si: Noel, Amelia, Ajla, Aron, Aria, Joel dhe Roan.

Tushe vijon më tej:

Prirjet ksenocentrike të qytetarëve shqiptarë janë shumë të shprehura, veçanërisht në radhët e emrave. Parapëlqim për emra të huaj, largimi gjithnjë e më shumë nga emrat shqiptarë ka bërë që nga viti në vit të mos e kuptojmë se në cilin shtet jemi, sa herë që takojmë një fëmijë, një të ri, një të re të lindur në këto 30 vitet e fundit. “

Sipas ekspertëve prindërit shqiptarë duhet të tregohen më të kujdesshëm në vendosjen e emrave për pasardhësit e tyre.

SHKARKO APP