“Ëndrra ime 2015″, Rama: Kjo garë krijon besim tek të rinjtë

 

Kryeministri Edi Rama shpalli pasditen e sotme nga ambientet e kryeministrisë, fituesit e projektit ‘Ëndrra ime 2015”, e cila sipas tij, duhet të na shërbejë si një bërthamë për të krijuar besim tek të rinjtë e tjerë.

Rama tha se, “ajo që unë dëshiroj të realizoj me këtë projekt është që të gjithë ju, të rinjtë, të jeni një skuadër e gatshme, në mënyrë të tillë që eksperienca juaj që nga shprehja e dëshirës deri në aplikimin nëpërmjet një projekti, të jetë një model për të rinjtë e tjerë”.

Sipas tij, për të krijuar një rrjet të gjerë komunikimi, ka gjithmonë një rrugë për të realizuar ëndrrën. Nëse ëndrra është të bësh atë që do, të fitosh atë që do, të ndihmosh ato që do, rruga për t’ja arritur është që të jesh i aftë që ëndrrën të mund ta kthesh në projekt.

Ndërkaq, Rama tha se “është shumë e rëndësishme për të përcjellë mesazhin për një djalë apo një vajzë që shikon një ëndërr me sy hapur, duke u thënë që ëndrra është e realizueshme vetëm nëse ka ide, përkushtim dhe këmbëngulje”.

Kryeministri shtoi se “është e rëndësishme të përhapim që në shkollën tetëvjeçare kulturën e projektit, të kuptojmë që bota ku jetojmë është një botë e konkurrencës së madhe ku dija mbizotëron. Kultura e projektit, aftësia për të shkruar një projekt janë ato që bëjnë diferencën.

Duke përmendur Norvegjinë, Rama vuri në dukje rëndësinë e kulturës dhe të shkruarit të projektit. “Norvegjia është një ndër vendet më të pasura për shkak të asaj që ka, pasi ka pasuri nënujore. Ndërkohë që, Shqipëria, sipas kësaj llogjike i bie që të jetë e pasur. Por, jo. Ne jemi kështu siç jemi, pasi ne nuk dimë të shfrytëzojmë pasurinë tonë”, tha ai.

“Vendet nuk dallohen për shkak të asaj që kanë, por për shkak të asaj që bëjnë. Nuk të dalllon askush për atë që ke, por për atë që di”, nënvizoi Rama.

Ndërkaq, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë shpjegimit të projekteve të të rinjve, vuri në dukje rëndësinë e përfshirjes të të rinjve dhe krijimin e mundësive të tyre për punësim.

SHKARKO APP