Enkel Zhuti, shqiptari që bashkoi gjithë Italinë

Enkel Zhuti lindi më 11 Maj të 1968 në qytetin e Korçës. Pasi përfundon studimet në Akademinë e Baletit në Tiranë me profesor Pëllumb Agalliun në vitin 1988, nis punën në Teatrin e Operës dhe Baletit (TOB) deri në fund të 1990. Interpreton të gjitha rolet solistike të repertorit klasik. Transferohet në Itali në janar të vitit 1991 për një kurs specializimi. Perfeksionimi i Zhutit vazhdon të avancojë falë punës këmbëngulëse dhe profesorëve të njohur Deborah Weavere America Ballet Theatre, e Jorge Esquivel e Balletto nazionale di Cuba. Zhvillon aktivitet të gjerë në shumë teatro të rëndësishëm në Itali, duke interpretuar rolet e para të repertorit elitar klasik, por edhe vepra artistike të gjinive të tjera të baletit modern e kontemporan. Ka kryer role të rëndësishme interpretative si ajo e Jezu Krishtit. Ka zhvilluar dhe vazhdon të zhvillojë aktivitete bashkëpunuese në shumë shtete, si Austri, Zvicër, Gjermani, France, Angli, Çeki, Maltë.

REPERTORI
Si solist i parë i trupës së baletit, ai e vazhdon karrierën duke shëtitur Europën me shfaqjet e Teatrit Kombëtar Shqiptar e në vitin 1991 transferohet në Itali. Në Mantova, ku ai vendoset për herë të parë, specializohet në danza Jazz me Catherine Campbell të “American Ballet Theatre” si dhe në baletin klasik me Jorge Esquivel të kompanisë së “Balletto Nazionale di Cuba” dhe Deborah Weaver (balerinë e parë soliste e “New York City Ballet”. Më vonë, ai kërcen si balerin i parë në Teatrin e Ri të Torinos, në teatrot “Donizetti” të Bergamo-s, në “Civico” të Vercelli-t, në “Romolo Valli” të Reggio Emilia-s, në teatrin “Smeraldo” të Milanos, në role kryesore si te baleti “Don Chisciotte”, “Carmen”, “Giselle”, “Schiaccianoci”, “La bella Addormentata” si edhe në prodhime shfaqjesh të baletit kontemporan e Jazz. Që prej vitit 1996 ai kërcen me kompaninë “Danza Viva”, duke punuar pranë personaliteteve të tilla artistike si Alessandro Quasimodo (aktor i njohur teatri si dhe i biri i poetit të famshëm), Lanfranco Cis, drejtor artistik i festivaleve të mëdhenj ndërkombëtarë të baletit si “Oriente-occidente” si dhe pranë regjisorit teatral, Roberto Marafante. Në vitin 1998 Enkel Zhuti aplikoi idenë e „baletit për të gjithë”. Patentë e cila e bëri emrin më të përfolur në të gjithë Italinë. Nismë e veçantë dhe unike e organizimit të olimpiadave ku angazhohen rregullisht gati të gjitha shkollat e baletit (Rassegnia della danza) si dhe shkollat publike joprofesionale (olimpiada della danza) të Italisë qendër dhe veriore Bolzano, Trento, Rovereto, Verona, Vicenza, Padova, Mantova, Brecia,Salo, Crema, Milano, Torino,Genova, Reggio Emilia, Bolognia, Forli, Cesena, Rimini, Pesaro, Senigallia, Ancona, Roma. Vetëm në 2016 organizon 90 shfaqje duke përfshirë rreth 45 mijë të rinj që donin t‘i afroheshin gjinisë së baletit. Sallat e shfaqjeve janë gjithmonë plot, publiku dhe shtypi ndjekin dhe çmojnë më interes Shqiptarin, i cili mundësoi bashkimin e të gjithë Italisë pa dallimet apo racizmat precedentë. Vazhdon aktivitetin si kërcimtar në teatër duke interpretuar padede të ndryshme të të gjitha stileve me partnerë e balerinë nga më të përgatiturit në Itali e jo vetëm. Zhuti jep mësime dhe seminare për të rinjtë e shkollave të Italisë së veriut. Gjatë kësaj periudhe ka kërcyer si i ftuar në Shqipëri (5 herë) në TKOB dhe Akademinë e Arteve në Tiranë, Durrës, Elbasan. Të gjithë që e rrethonin e dinin se do bëhej i tillë. Bashkëpunimet me trupën e baletit të Milanos duke u aktivizuar në rreth 150 shfaqje, i dhanë eksperiencën e munguar për të përqafuar të reja ide që i flinin. “Danza viva” është kompania e baletit me të cilën ai bashkëpunoi fillimisht.Top of Form Është nderuar shumë herë me çmime “Artisti më i mirë i vitit” në Itali. Emri i tij është jo vetëm i njohur, por një kartë suksesi për të rinjtë aspirues. Ideatori i “Rasegna della Danza” dhe “Olimpiadës së Baletit”, dy aktivitete të mëdha artistike, që kanë marrë përmasa edhe në vende të tjera të Europës.

INTERVISTA
Nuk punoj me balerinë kapriçoz
1- Nisur nga eksperiencat tuaja si solist dhe organizues olimpiadash kërcimi, cili është gjykimi juaj për konceptin e “balerinit të vërtetë”? Për gjykimin tim, termi “balerin shumë i mirë” nuk ekziston. Balerinët e vërtetë janë ata që studiojnë seriozisht duke u impenjuar çdo ditë, pa limite kohore për ta perfeksionuar artin e tyre, duke sakrifikuar gjithçka nga kënaqësitë që njeriut i ngrenë krye instinktivisht. Sakrificë, e cila dhuron emocion te ndjekësit e artit tonë. Balerin i vërtetë mund të jetë edhe ai i cili ka talent, por më shumë ka frymën e bashkëpunimit në grup, korrektesës, këmbënguljes dhe jo vetëm egoizmit dhe interesit të ngushtë personal. Unë do të punoja e ripunoja me shumë kënaqësi me një balerin më pak të talentuar por që i përcjell emocion spektatorit, se sa me një të “përkëdhelur” kapricoz. Ky balerin është gjithmonë aty kur grupi punon, ul kokën dhe nuk priret vetëm nga interesat e tij të vogla. Kjo nuk do të thotë se balerini, të cilin të gjithë e trajtojnë si “gjigand” nuk është një “balerinë i vërtetë”. Por, nëse do të zgjidhja se me cilin do të bashkëpunoja më shumë… unë do të preferoja dhe respektoja më shumë punën e bukur të këtij balerini. Me të do të bashkëpunoja e projektoja karrierën time.
2- Si ka evoluar baleti në këto dekadat e fundit? Të parët janë një shembull, të dytët vijnë të vlerësuar për atë çka i dhurojnë skenës. Baleti si të gjitha profesionet evoluon. Në vendet e zhvilluara, mund të bësh balet vetëm në nivel profesional. Teatrot kombëtare janë vendet më të rëndësishme që lëvrojnë baletin e një niveli të lartë. Në vendet perëndimore baleti ishte përhapur edhe në nivele diletantësh. Janë shumë të rëndësishme teatrot, por mund të bëhen të rëndësishme edhe kompanitë ose iniciativat private. Në vendet e zhvilluara, nëse bëheshe një artist ishte e konsiderueshme pasi kjo ishte privilegj i një pjese të limituar. Nëse në perëndim ky profesion, është i vlerësuar vetëm për ato personazhet, të cilët janë të famshëm, sepse ata që ndjekin dansin për pasion janë të shumë në numër. Në të dyja rastet dikur kishte më shumë kujdes ndaj rregullave. Sot, falë komunikimit apo publikimit rregullat, janë më të sfumuara, pasi numri i pretendentëve për t’u bërë artist është më i madh. Në realitet vetëm pak munden t‘ia arrijnë, pasi kërkon shumë sakrifica. Kudo kriza ka bërë që fondet për kulturën të ngushtohen nga viti ne vit dhe si rrjedhojë edhe ëndrrat janë shumë herë më pak të realizueshme. Megjithatë rruga për të mundësuar ëndrrat ekziston. Varet gjithmonë nga kapacitetet personalë, si dhe fati.
3- Si janë raportet me Shqipërinë dhe si e sheh TKOB (Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit)? Kam mbi 25 vjet që jetoj në Itali. Kthehem në Shqipëri vetëm për të takuar prindërit ose ndonjë ftesë të marrë nga TKOB a Instituti i Lartë i Arteve, Durrës dhe Elbasan (gjithsej 5). Të gjithë artistët duan të shohin një teatër të një niveli të lartë. Nisur nga eksperiencat e shumta si dhe talentet që kanë dalë nga ajo skenë, mendoj se dinjiteti i këtij teatri varet nga politikat që do të ndiqen nga drejtoria si dhe punonjësit për këtë institucion. Problemi është se angazhimet e mia nuk më kanë lënë shumë hapësirë të jem i informuar për teatrin apo drejtuesit, ku dikur edhe isha pjesë e saj. Ndaj nuk kam një përgjigje të saktë. Le të shpresojmë që ky institucion të bëjë më të mirën.
4- A janë të realizuar balerinët shqiptarë në Itali? Balerinët shqiptarë që ndodhen ne Itali dhe vazhdojnë të ndjekin dansing, janë të vlerësuar. Shoh se shkolla shqiptare e baletit çmohet. Balerinët shqiptarë duke punuar fort, dhurojnë e transmetojnë emocion gjatë performimit të tyre. Edhe ata që drejtojnë shkolla private dhe që janë pjesë e mësimdhënies, kanë kontribuar ndjeshëm për të rritur talente të reja italiane. Kjo të bën të ndjehesh mirë.
5- Nëse ju do të drejtonit, TKOB çfarë do të bënit? Nëse do të ma kërkonin të drejtoja, nuk do të pranoja. Së pari, nuk ma kanë kërkuar( qesh), e dyta, unë jetoj që prej 25 vjetësh në Itali dhe ajo që kam ndërtuar me mund ka marrë dimensione kombëtare dhe ka nevojë që unë të jem gjithmonë prezent. Nuk do ta braktisja për asnjë çmim këtë që kam arritur këtu.
6- Raportet me politikën si i keni? Nuk kam asnjë lidhje. Gjërat që kam arritur janë bërë me mund, djersë dhe aftësi. Përkundrazi, shumë politikanë në Itali vijnë gjatë shfaqjeve të mia sepse pallatet e sportit dhe teatrot janë plot. Çmojnë, flasim mirë, por unë nuk para kam besim. Boll që të kem mundësi të punoj, objektivat e mia do t‘i realizoj pa ndihmën e politikës.
7- Cila është sfida e radhës? E ardhmja me siguri do të dhurojë shumë kënaqësi për mua, por edhe për shumë artistë të përfshirë në evenimentet e mia. Janë rreth 700 bashkëpunëtorë të cilët prej vitesh angazhohen në realizimin e ideve që kam krijuar. Gjithashtu, shumë të rinj të tjerë do të afrohen me artin, me baletin, dhe shumë të tjerë do të vijnë e do të mbushin skenat për t‘i dhuruar kënaqësi vetes dhe artistëve siç është edhe sfida e radhës.

/Gazeta Shqiptare

SHKARKO APP