Enton Panariti çel ekspozitën “Ngjyra dhe Vizione” në Muzeun Historik Kombëtar

Në Muzeun Historik Kombëtar është çelur ekspozita vetjake e piktorit Enton Panariti me temë “Ngjyra dhe Vizione”. Miq e dashamirës të artit ishin pjesë në hapjen e kësaj ekspozite. Ceremoninë e hapi analisti dhe miku i Panariti, Lorenc Vangjeli.

Pasi bëri një retrospektivë të shkurtër të jetës së piktorit, Vangjeli tha se, “kjo nuk është ekspozita e parë dhe nuk është natyrisht as hapi i fundëm i rrugëtimit të pikturës së tij mesdhetare”.

Ai shtoi se, “është thjesht një stacion i ndërmjetëm midis dy gjinive të tij të preferuara. Në grafikën e tij, përtej vizave të errëta dhe nervoze dallohet shpesh një mendim i dhunshëm filozofik. Diçka që afron kënaqësi përmes dhembjes dhe bindje se vetëm dhembja plot sakrificë mund të krijojë kënaqësi”.

Vangjeli tha se, “në pikturën e tij gjen lojën e ngjyrave të përthyera nga jashtë në brendësinë e tyre, duke rikrijuar kontraste fantastike, njëlloj si të ardhura nga botë fantastike plot dritë-hije, jo atë që shohim, por atë që ai na fton të shohim. Duke na dhuruar botë më të mira dhe duke vijuar në dhembje t’i afrojë më shumë mirësi kësaj bote”, përfundoi ai.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi tha për atsh se, kjo është një ekspozitë e një piktori të një brezi që ka mundësuar për të qenë diçka më tepër, për të thyer disa klishé në artin shqiptar dhe për të sjellë një kolorit ngjyrash, i cili vërtet befason”.

Ai shtoi se, “si historian do të thoja që e kuqja dhe e zeza e përdorur në pikturat e tij përfaqësojnë ngjyrat e flamurit kombëtar, por do të thoja që është pikërisht një përvijim i gjithë tonalitetit të ëndrrave të një brezi, i cili ka përjetuar formimin e vet në kohën e diktaturës”. Piktori Panariti falenderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe i ftoi të gjithë të ndiqnin ekspozitën.

Image may contain: 3 people, people standing

Image may contain: 3 people, people standing and shoes

Image may contain: one or more people, people standing and beard

 

SHKARKO APP