Erik Lloshi: Suksesi i një artisti nuk ka nevojë për çmim

Intervistoi: Albina Gjergji

Suksesi i një artisti nuk ka nevojë për çmim, sepse nëqoftëse je i aftë dhe di të zgjedhësh e ke me vete çmimin e publikut kudo të shkosh”. Ky është mendimi që këngëtari i njohur, Erik Lloshi, ka mbi treguesit e vërtetë të suksesit që gëzon një artist. Sepse sipas tij, ajo që vlen në fund të fundit është fakti që kënga të mbetet tek publiku. “Nuk ka asnjë vlerë nëqoftëse kënga që ke marrë pjesë në festival nuk ngelet tek publiku. Ka ndodhur shpeshherë që shumica e këngëve, të cilat janë vlerësuar kanë humbur shumë shpejt”, pohon ai lidhur me një fakt të tillë. Duke vijuar më tej, edhe me vlerësimin e tij për paraqitjen e këngëtares Elhaida Dani në “Eurovizion”. “Elhaida është një këngëtare shumë e mirë dhe perfomanca e saj ishte e mirë. Në finale kam përshtypjen se do të jetë akoma më e mirë”, thotë ai për “Koha Jonë”.

 

 

Intervistoi: Albina Gjergji

Keni surprizuar publikun me këngën e re, e cila s’ka shumë ditë që është hedhur në treg. Na tregoni diçka mbi pritshmërinë e saj në publik.

– Është diçka ndryshe, më popullore se çdo projekt tjetër që kam bërë unë dhe kolegët e mi Anxhela, Aureli dhe Blerina. Për të katërt ne është hera e parë që paraqitemi në ekran me këtë rrymë muzike. Faktikisht, ka dhënë shumë rrezultat dhe është pëlqyer shumë.

Një bashkëpunim ky me këngëtarët më të lakuar të momentit në tregun muzikor. Si erdhi ky bashkëpunim mes jush?

– Të katërt ne punojmë me njëri-tjetrin në një club me emrin ‘Fari’. Është hera e parë që midis kolegëve që punojnë në një vend pune, të bëhet një bashkëpunim dhe çdo gjë ka qenë krejt e rastësishme dhe shumë e shpejtë. Kënga dhe klipi janë realizuar për vetëm dy javë.

A mund të themi që ishte një bashkëpunim i mirëmenduar nga ana juaj, për të qenë pjesë e koncerteve?

– Po, patjetër që e bëmë këtë gjë dhe për pjesën e koncerteve verore, sepse fundja përtej pasionit, ne e kemi edhe profesion këtë gjë. Është edhe puna jonë.

Fabula dhe mesazhi i këngës cilat janë, sepse dihet që çdo këngë supozohet të përcjellë një mesazh.

– Në këtë këngë përcillen momente të ndryshme të jetës dhe në refren përmbledh çdo gjë, gëzimin dhe harenë.

Jemi mësuar të të shohim solo dhe në zhanrin e muzikës së lehtë. Në fakt, ku ndihesh më komod?

– Normalisht që ndihem më komod në zhanrin e muzikës së lehtë, por dhe muzika popullore më pëlqen. Nuk duhet të harrojmë që ne jemi vend ballkanas dhe muzika popullore na rrethon kudo. Përderisa unë di të këndoj shumë mirë dhe muzikën popullore, nuk asnjë arsye përse mos ta këndoj.

Erik Lloshi është një emër mjaft i dashur për publikun shqiptar, ka marrë disa çmime të rëndësishme në festivale, por akoma çmim të parë. Si i shikoni festivalet shqiptare Erik, flas në gjykim vlerësimi… opinioni juaj?

– Festivalet shqiptare janë shumë të rëndësishëm për çdo artist dhe pavarësisht çmimeve të tjera duke përfshirë dhe çmimin e parë, nuk kanë asnjë vlerë nëqoftëse kënga që ke marrë pjesë në festival nuk ngelet tek publiku. Ka ndodhur shpeshherë që shumica e këngëve të cilat janë vlerësuar kanë humbur shumë shpejt.

A janë çmimet tregues suksesi sipas jush?

– Absolutisht që jo. Suksesi i një artisti nuk ka nevojë për çmim sepse nëqoftëse je i aftë dhe di të zgjedhësh, e ke me vete çmimin e publikut kudo të shkosh.

Ndonjë këngë të re në projektet e tua?

– Shumë shpejt do të vij në treg projekti më i ri në bashkëpunim me ‘Threedots’ dhe Kledi Bahitin. Këtë herë do të jetë diçka verore dhe jo baladë.

Këto ditë mbahet festivali i këngës europiane në Austri. Si ju duk performanca e Elhaidës?

– Në një skenë aq të madhe besoj që kushdo mbytet në emocione dhe është shumë e vështirë që të përballosh 100% atë peshë të madhe mbi supe. Elhaida është një këngëtare shumë e mirë dhe perfomanca e saj ishte e mirë. Në finale kam përshtypjen se do të jetë akoma më e mirë. I uroj suksese pa fund!

Nga disa elementë që përbëjnë këngën në tërësi, ku do ndaleshit ju, cilët elementë e bënin më të veçantë këngën tonë sipas jush?

– Kënga jonë në përgjithësi është një produksion i arrirë dhe shumë melodioz. Mbi të gjitha do të veçoja që është hera e parë që ne paraqitemi në formë moderne në këtë festival dhe ky ështe një nga elementët krysesorë që e bën të veçantë. Gjithashtu, nuk do të lë pa thënë që dhe vokali dhe paraqitja artistike e Elhaidës janë elementë të rëndësishëm.

Përveç Shqipërisë, cili shtet tjetër ju pëlqeu në përfaqësuesen e saj?

– Rusia dhe Greqia më pëlqyen shumë në çdo detaj dhe çdo element.

Keni menduar ndonjë bashkëpunim me Anxhela Peristerin, apo Blerina Brakën?

– Çdo gjë mund të ndodhë. Për momentin nuk kemi asgjë në duar, por gjithmonë e kemi menduar për të bërë diçka të tillë, si me Blerinën ashtu edhe me Anxhelën.

Përveç muzikës, me se merreni tjetër Erik?

– Shumicën e kohës e merr muzika, se dhe ditën punoj në studio për të sjellë gjëra sa më të mira për të gjithë fansat. Gjatë ditës mundohemi që të mbajmë dhe pak trupin në formë me palestër dhe me pak futboll.

Synimet, qëllimet artistike në të ardhmen?

Qëllimi im është që në një të ardhme të lë gjurmë të thella në artin shqiptar dhe pse jo, të sjell ndryshimin që duhet në këtë gjë. Muzika nuk ka fund dhe unë gjithmonë do mundohem që mos t’i zhgënjej kurrë njerëzit që më duan.

 

 

SHKARKO APP