“Eshtë bujqësia, o idiot“

Nga Ervin Resuli –

Kjo është një frazë e huazuar nga slogani i famshëm “It’s the economy, stupid” – Është ekonomia, o idiot (fushata që solli Bill Clinton në krye të Shtëpisë së Bardhë në përballje me figurën më të fuqishme të politikës amerikane të 50 viteve të fundit, George H.W. Bush).
“Është bujqësia, o idiot”, mund të ishte slogani kryesor në ‘luftën’ e Edi Ramës për të fituar mbështetje të gjerë popullore dhe për ndryshime të ndjeshme në ekonomi. Por Edi Rama vazhdon luan me lojërat e ERTV-së, portalit ‘Shqipëria që duam, kazanin mediatik të tij, luan me fushatat e PR-it, të kthyera tashmë në propagandë, për të bërë lavazh truri, verbuar e nëpërkëmbur këtë popull.
“Është bujqësia, o idiot”… Njerëzit po vdesin për bukë… Fshati po lëngon nga varfëria… Nuk ka investime… Nuk ka vizion… Nuk ka strategji… 100 fshatrave të tu, që u ke bërë aq reklamë janë vetëm projekte në letra për t’u bërë nder një grusht njerëzish… Ku janë subvencionet? Hidhi sytë vetëm rreth e rrotull, nga Maqedonia e në Kosovën shtet të ri, dhe e kupton sa e thellë është përbuzja jote për fshatin, bujqësinë dhe blegtorinë …
Çfarë u bë me vaditjen?
Çfarë po behet me certifikatën e pronësisë në fshat?
Ku janë subvencione për krerë lope, dele, etj.?
Sa sipërfaqe sera dhe tokë bujqësore subvencionohet sot?
Ku janë strategjitë e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për mbrojtjen dhe zgjerimin e tokës bujqësore … apo, më falni Z. Kryeministër, ata janë tepër të zëne me kronika ‘suksesi’ për ERTV-në tuaj?
Sa është çmimi i naftës për traktorin e fermerit?
Sikur të mos mjaftonin këto, ti ndërhyrë tek ajo që solli pak ‘dritë në fund të tunelit’ për formalizimin dhe zhvillimin e bujqësisë, ia ule vlerën e rimbursimit të TVSH-së nga 20 – 6 % fermerit për të gjitha produktet primare bujqësore… i dhe shtytjen e fundit për ‘në humnerë’ bujqësisë shqiptare.
Babai im dhe mijëra fermerë të tjerë shqiptarë, që nuk shohin ERTV, një gjë e kuptojnë me siguri, që bujqësia shqiptare ka marrë tatëpjetën, zero vëmendje ndaj fshatit, zero investime për fermerët.
E pra, kjo është ajo që qeveria po bën për 60 % të popullsisë që jeton në fshat, strategjia për bujqësinë shqiptare, e cila i sjell mbi 20% të GDP-së këtij vendi.
Ky është ‘suksesi’ i vërtetë përtej reklamës së ERTV-së, kulmi i paaftësisë së qeverisjes dhe ministrisë së linjës.
Nëse edhe opozita e këtij vendi nuk e kupton këtë realitet të dhimbshëm dhe nuk ofron alternativë të besueshme është më mirë që mos i qasen fare 60% të votuesve që jetojnë në fshat. Ata duhet të ofrojnë një platformë që do të reformojë e do të zhvillojë fshatin, që do të vërë dorë aty ku ‘i dhëmb’ më shumë bujqësisë, të zgjojë interesin e të rinjve për fshatin dhe ta bëjë bujqësinë një aktivitet tërheqës mjaftueshëm për brezin e ri, që ata të mos shkojnë të punojnë si argatë në fermat e gjermanëve por të trashëgojnë dhe zhvillojnë krenarisht aktivitetin e prindërve të tyre.
Nëse kjo nuk ndodh, keqardhje, por në të ardhmen e afërt, edhe unë do të zgjedh të iki si shumica e shqiptarëve…

SHKARKO APP