Faik Ballanca – talent i rrallë, viktimë e diktaturës

 

Shpëtim Kodra*

Letërsia përbën një vlerë themelore në ndërtimin e një shoqërie humane e të emancipuar, ku të mbretërojnë liria, drejtësia, morali, e vërteta. Nga niveli i letërsisë vlerësohet kultura e një populli. Letërsia e mirë na mpreh mendjen, na zbut zemrën, na ndriçon shpirtin, na zgjon aspirata humane e fisnike, na largon nga banaliteti e vrazhdësia. Një autor që i përket një letërsie të tillë, F.Ballancën, analizojmë e përkujtojmë me nderim e respekt në 70 –vjetorin e tij të lindjes. Sot politika, media dhe sidomos drejtësia, na e dëmtojnë rëndë imazhin. Është letërsia që na përfaqëson e na integron në Evropë e në botë. Vepra letrare pozitive janë shkruar edhe në kohën e diktaturës. E tillë është vepra e prozatorit të talentuar Faik Ballanca, me vlera që s’duhen lënë në harresë. Edhe krijimtaria e tij përbën njëherësh një akt etik dhe estetik. F.Ballanca (1945 -77) i përkiste një familjeje intelektuale nga Dibra e Madhe, trevë e mirënjohur për traditat e shquara patriotike, kulturore, si dhe për virtytet e larta morale. I diplomuar për gazetari, punoi në gazetën “Zëri i rinisë” dhe në revistën “Nëntori”. Që në moshën 17 –vjeçare nisi të botojë tregimet e para, atëherë kur proza e shkurtër po niste udhën e saj të pjekurisë. Njeri me sedër që prekej e fyhej lehtë, natyrë e ndjeshme. Tipat e ndjeshëm e artistikë si ai, që luante dhe në kitarë, vuajnë më tepër. Ishte mjaft i kujdesshëm me kolegët, por shpesh i pëlqente vetmia e ftohtësia, që e mbronin atëherë kur mungonin të gjtha liritë themelore, si ajo e fjalës,  shprehjes,  votës,  besimit,  lëvizjes…Po të kalonte në Shupenzë, mund ta prekte aq afër me sy, mendje e zemër vendlindjen e prindërve, por s’arrinte kurrë të shkonte atje.

Atje ku ishte më e domosdoshme se kudo liria e fjalës, e shtypit, e gjykimit, pra në terrenin mediatik e letrar, pikërisht atje Sigurimi ishte më i pamëshirshëm e mizor, duke i kundërvënë dhe krijuesit njërin kundër tjetrit. Partia shtet i ndiqte shkrimtarët dhe artistët kudo. Media sot, në vend që të kërkojë nga politika transparencën dhe dënimin e krimeve të komunizmit, na servir xhelozimë ndërmjet 60 shkrimtarëve, duke ngjallur një lloj lufte të re klasore.   Ballanca ishte i heshtur, ndonjëherë i zymtë në ambjentet e gazetarëve e shkrimtarëve, ku ushqehej hipokrizia, servilizmi, demagogjia, prepotenca. Atë kohë ishte mjaft e egër lufta kundër shfaqjeve liberale. Partia kërkonte që shkrimtarët dhe artistët të ishin ndihmësit e saj në edukimin komunist të masave e Pegasin ta kthente, siç thotë V.Zhiti, në kalë karroce. Në novelat dhe në tregimet e tij hasim edhe nota melankolie, trishtimi. Në përshkrime përdoret shpesh ngjyra gri. Rrëfimi i shtruar, tërheqës e afronte me Kutelin. Ndërsa romani “Nomeja e largët” me vërejtje të rënda ideologjike, për shfaqje të huaja, për strukturë, ngjarje e personazhe, atipikë për socrealizmin, i kthehej tri herë. Kështu do të mbetej postume vepra që nuk kishte as partishmëri, as hero pozitiv e as optimizëm fals. Përkundrazi pasqyronte varfërinë, por edhe dinjitetin e njeriut në situatat e vështira ekzistenciale, parë nëpërmjet shfaqjeve psikologjike, gjë që e ngjasonte me Migjenin. Do të botohej pas vdekjes së tij tragjike që do të përbënte një humbje të madhe për familjen dhe për letërsinë shqipe, e cila priste shumë nga ai në të ardhmen. Për vetëvrasjen vlen shprehja e Jevtushenkos:”Nuk ka vetëvrasje, por ka vetëm vrasje”. Ndërsa Kafka thotë:”Fajtorë në këtë botë janë të gjthë, në një mënyrë a në një tjetër”.  Përmes përkthimeve nga italishtja, frengjishtja e gjermanishtja, ai njihej me vepra të ndaluara nga regjimi e që i shërbenin për të zgjeruar horizontin e tij kulturor me vepra të huaja kontemporane. Ishte natyrë e shumanshme. Si vizitor, gazetar, alpinist e gjuetar përshkoi gjithë territorin e vendit. Si shkrimtar, me pendën e tij të ndritur, përshkroi viset ku shkeli e njerëzit që takoi.

  Personazhet e tij janë njerëz krejt të zakonshëm që punojnë, vuajnë, dashurojnë, gabojnë e nuk janë as të përkryer, as të pagabueshëm e shkrimtari as i himnizon, as i anatemon. Edhe pa qenë heronj, ata pranojnë të vdesin për lirinë e për të vërtetën. Vepra e tij nuk ishte disidente, edhe pse kritikohej në atë mënyrë.  Disidenca, në kuptimin e manifesteve e veprave të tilla, nuk ekzistonte. Kadare:”Disidenca ishte një pozicion që askush nuk mund ta mbante, qoftë edhe për pak ditë, pa u përballur me skuadrën e pushkatimit”. Secili shkrimtar, që të botonte veprën, duhej t’i paguante një taksë sistemit. Në përshkrimin e qëndrimeve të ballistëve apo të klerit katolik nga Ballanca, fshihej taksa e tij ndaj sistemit. Shkrimtari i mirë konsiderohej armik natyral i diktaturës, edhe po të ishtëe kandidat partie si Ballanca, edhe po të ishtë anëtar partie si Kadare.

Gama tematike që trajton i përket bashkekohësisë e historisë, tek e cila kthehet përmes digresionesh të shpeshta. Luftrat, varfëria, gjakmarrja e paragjykimet, dinjiteti i njeriut, emancipimi i femrës, vetëmohimi e sakrificat e njerëzve të thjeshtë, në luftë e në punë, janë disa nga problemet e trajtuara. Arrin të kapë të veçantën tek e zakonshmja, e përditshmja. Anekënd prozës së tij bashkëjetojnë në harmoni ndjenja e mendimi. E përshkon atë dhe lirizmi që sjell freski, gjallëri e kënaqësi te lexuesi. Madje në tregimet “Isai martohet” dhe “Pranë nesh bëjnë dashuri” mbizotërojnë situatat komike dhe notat e një humori të këndhëm e tërheqës, Materiali i tyre të jep mundësinë t’i kthesh edhe në komedi. Kultivon të bukurën përmes formës artistike, stilit, elementeve të zgjedhura gjuhësore dhe estetike. Ndërsa përmes përmbajtjes , ideve, emocioneve na shfaqet si avokat i moralit, të drejtës e të vërtetës.Finesë artistike, gjuhë emocionale, figurative me metafora, krahasime e similituda të ndërtuara me elementë të natyrës. Romani “Nomeja e largët” u shkrua, pasi Ballanca jetoi tri muaj mes fshatarëve të fshatit Lekël, të krahinës së Rrëzës, në rrethin e Tepelenës. Njerëzit e thjeshtë, ata që s’e njihnin hipokrizinë, servilizmin e karrierizmin, do të ishin protagonistët e veprës së tij. Me ta ai ndihej mjaft mirë.

Pjesa I. Re në sytë e një adoleshenti. Nis subjekti pa përshkrime të tepërta. Veterani xha Gole, pijanik që i ri, i aktivizuar vetëm në fundin e luftës, këput ca të pavërteta që ia kundërshtojnë dëgjuesit e ai tërbohet. Irini i kundërvihet, kur rrëfen për Nestin e Markon. Plaku Gole të nxirrte nga shpella e Xhuxhumanit, të hipte në mushkë, të shpinte në Argjentinë e të hidhte në Greqi. Edhe tymi i duhanit nuk bënte aq kthesa e spirale. Tek ai nis deheroizimi i heronjve

  Ndrekoja, sekretari i partisë, i cili s’kish një dorë e as syrin e majtë, i thotë drejtorit të muzeut, të cilit i dilnin ndryshe gjërat në fshatrat Lug e Ujës:”Nuk shkruhet historia me pleq. Po i mblodhe bashkë, ka rrezik të zihen”. I sinqertë, atipik për socrealizmin dhe Ndrekoja, djali i xha Goles, kur thotë:”Kur babai ishte në Argjentinë, nëna këndonte: Pse s’vjen, more burrë, mos ardhsh kurrë”. Të ndershëm, të drejtë, të ndërgjegjshëm e plot temperament janë: Liloja, Myrtoja, Hiqmeti.

 Tip origjinal e mjaft simpatik është Pecoja, një trim i dalluar në luftë. Kur i propozuan për drejtor, ai nuk pranoi:”Unë mezi shkruaj emrin tim. Dikujt natyra i dha lapsin e ai bën historinë. Dikujt tjetër i dha pushkën e ai bën luftën. Pesë plagë kam në trup. Tri po t’i jap ty, Selim, se nuk ke me çfarë të mburresh. Plagët i shërova në pyll. Atje rrija e po rri; nuk më pëlqejnë kolltuqet. Kam dëgjuar se popujt do të shkrihen e s’do të ketë shqiptarë a kinezë. Më duket e ka thënë Marksi”. Nga goja e fshatarit të thjeshtë, Marksit i atribuohet ideja e zhdukjes së identiteteve kombëtare”.

  Bendoja si protagonist na shfaqet enigmatik. Ndoni, adoleshent, por mjaft i zgjuar, mendonte:”Pse mërmëriste me vete e ish kaq i tronditur Bendoja”? Më pas pyeti xha Golen:”Përse nuk i jep fshati nuse Bendos”? Xha Golja:”Thonë se nuk mban mend asgjë nga e kaluara e tij; nuk ka as njerëz, as kujtime. Ishte luftë. Ndeshej greku me italianin. U gjend një oficer i dhemshur që nuk kishte fëmijë. E mori Bendon me vete. Djali e mësoi, kur u rrit e u kthye në Shqipëri”. Ndrekua:”Babai shpik legjenda. Bendua është goditur nga një predhë në kokë e s’mban mend asgjë. Është ushtar i huaj, i harruar. Nuk dihet se ç’ushtar është. Bendua nuk njohu as nënë, as baba. Lufta e la pa kujtesë e pa atdhe”. Bendua natën komunikon me yjet, dialogon me qenin, Korbecin. “Koha ishte monotone e pa ngjyrë për Bendon” – nënvizon pesimizmin e tij autori. Bendua e kish bërë plagë me thika përcorin, ngaqë nuk i japin nuse. Ishte përçori që do të shkonte në veri me tufën e bagëtive. Siç shihet, të varfërit do të ndihmonin akoma më të varfërit. Novela “Katër orë larg shtëpisë” ka shërbyer si bërthamë rrezatuese për romanin “Nomeja e largët”.

Gjithsecili tregon nga një histori. Romani është ndërthurje, alternim kapitujsh klasikë, linearë, me histori anonime. Kompozicion simetrik. Ky nëntitull përmban histori, ndodhi, kujtime e biseda, në paralelizëm me bashkëkohësinë. Dy linjat paralele artistikisht i bashkon ideja e përbashkët: njerëzit e thjeshtë janë promotorë të punës e të luftës. Flitet për krimet e shovinistëve grekë përmes komandant Latranit. Për krimet e çetnikëve. Alush Tahiri me të shoqen u mbyllën në kullë e luftuan kundër fashistëve. Figura trimërore e Selitanit në hasmëri me bejlerët e Tepelenës, që e vranë atë, varën më pas dhe të birin, Bashon. Një tjetër trim është Stefani, i cili vrau djalin e beut për hasmëri,por e vranë dhe atë. Donin t’i prishnin varrin. Fshati s’i lejoi.  Kanuni si kod zakonor, juridik, i vjetër lidhet me rendin fisnor patriarkal, kur s’kish polici e gjykata të rregullta. Sot Kanuni s’mund të veprojë më si një drejtësi paralele që sfidon shtetin ligjor. Gjakmarrja si një plagë e rëndë shoqërore është trajtuar në roman e në disa tregime. F.Ballanca ka botuar 45 tregime e 4 novela. Vëllimet me tregime e novela:” Rrëmbimi”, “Pasdite të lagura”, “Katër orë larg shtëpisë”-“Shtigje me helm”-“I fundit”, “Letra anonime”, “Pritësit e rrufeve”, “Tregime të zgjedhura”, “Kënga e fundit e Marko Bocarit”, “Mbama pak pallton, çun”.

  Tregimet me temën e së kaluarës historike. Këto tregime zgjojnë ndjenjën e krenarisë, dinjitetit dhe identitetit tonë kombëtar. Te “Mësim i përgjakur” rrëfimi për gruan që mbante nagantin e zi, si relike e burrit të vrarë. Heroina Shote Galica kish për fëmijë 9 bijt e saj të çetës, të cilëve u ishin vrarë prindët në luftë. Xherahu, tek i hiqte plumbin kryeluftëtares që udhëhiqte një cetë burrash, djersinte. E krahasonte atë me Zhana d’Arkën. Një figurë mjaft frymëzuese është dhe robina që nuk iu dha pashait, por tentoi edhe ta mbyste, ndërsa ai e goditi më pas me thikë në bark. Në një tjetër tregim theksohet dhunën e padrejtësia e të fuqishmëve në fshatrat malore.

  “Pritësit e rrufeve” flet për përpjekjet e turqve për t’i përçarë shqiptarët, duke i nisur reformat pjesë –pjesë. Vendosmëria e Zenel Gjolekës:”Nuk dua të jap xhelep. S’dua të shkoj nizam në dhe të huaj. Dua të jem i lirë me delet e mia”…Gjylja ra 30 m. larg tyre e kish bërë një gropë të thellë. Rrapushi vrapon. Sharkun e lagur ia hodhi sipër e ra vetë mbi të, që t’ia zinte frymën e ta mbyste si qenie të gjallë. Kur gjylja mbulohej shpejt me bërrucën e lagur, fitili shuhej për mungesë oksigjeni dhe gjylja nuk shpërthente. “Uturimat e predhave vinin si rrufetë që zbresin nga qielli. Janë të rrallë burrat që presin rrufetë” –përfundon autori.

  “Dehje”. Thanas Vaja i dinte mendimet e fshehta të vezirit plak. E dinte se ai po shkonte drejt shkëputjes së plotë nga Porta e Lartë. Dervishët e leckosur e nisnin ziqrin me ulërima e vringëllima jataganësh. Trupat e tyre gulçonin, djersinin, avullonin. Fjala “Allah” tingëllonte si Padishah. Sheh Isufin e ndoqën jashtë Janinës. Ishte i rrezikshëm.

  Figura e Ali Pashës , “Bonapartit mysliman”, kishte fituar admirimin e Bonapartit, Hygoit e Dymasë, i cili në veprën e tij merr si personazh Haidenë, vajzën e Aliut. Albert Lotzing ka kompozuar operan me një akt “24 orë nga jeta e Ali Pashës”, ku rolin e Aliut e interpreton baritoni Gëzim Myshketa. Një komb nuk vlerësohet nga numri i popullsisë, por nga numri i njerëzve të shquar.

  “Kënga e fundit e Marko Boçarit”(novelë).  Noti Boçari, ungji i Markos:”Pesë breza rrojtëm këtu të lirë. Do të fitojmë ose të vdesim”. Nipi i Ali Pashës, Hyseni kish luftuar si burrat. Markoja i shkroi letër Bajronit. Pastaj mori kitarën e këndoi një këngë të vjëtër. Ushtria turke po vinte si një lumë shumëdegësh. Kampi turk na mbështillte si gjarpër. Prisnim që ata të shfaqeshin si batica. Për të tre pashallarët turq, kush shtinte në dorë Markon, kishte “thesin e erërave” si dikur Uliksi. Leka Markos:”Si gjen kaq forca e sakrifikon për një vend të huaj”? Markoja:”Unë luftoj po atë armik që ka shkelur vendin tim. Unë i shërbej lirisë. Gjaku i vendit tim rrjedh në Evropë, ku ngre krye liria”…Omer Vrioni:”T’i hedhim shqiptarët kundër njeri –tjetrit. Po të lidhen, nuk ka forcë t’i përmbajë. Toskët kundër gegëve”.(Kujtoj fjalët e Kutelit:”Të huajt na pakësuan, na ngjeshën në një cep të Ballkanit, ndonëse qemë zotër të moçëm të një vendi të madh”). Markoja u sul përpara. Shtatë bejlerë mbetën të vrarë në këmbët tona. Markoja u plagos rëndë. Tha:”Armët i kam pranë e s’luftoj dot. Kitarën e kam pranë e s’këndoj dot”.

Marko Bocari, prijës suliot që u shqua në mbrojtjen e Janinës (1821-22). Hero i luftës për pavarësinë e Greqisë(1823). U varros në Misolongji. Për M.Boçarin janë bërë skica, vizatime, tablo në vaj. Në vitet 20 -30 të sh.XIX emri i tij ishte kthyer në mit e sinonim të lavdisë dhe heroikës supreme. Vdekja e tij – një himn i vërtetë, i përjetësuar në shekuj. Turqit ia kishin prerë kokën e ia kishin çuar në Stamboll. Hygoi shkroi këngën e suliotit trim, në varrimin e të cilit mbajti një fjalim rrënqethës. Figurën e tij e ngre lart te “Viti i tmerrshëm”,ku e ve përkrah Leonidhës së Termopileve dhe Garibaldit. Është shkruar një skenar për film, po nuk është ekranizuar.

  Tregimet për Luftën e Dytë Botërore.“Gabimi i mitralierit”. Në një pritë mitralieri kish vrarë 9 gjermanë. I dhjeti, një 16 vjeçar, u dorëzua. Xhemali kërkoi ta vrisnim. Mitralieri e fali. Messersharfi u mësua me jetën partizane.. Fshatarët e nderonin, ashtu si Dinon e Alberton, italianët që luftonin në kompaninë tonë. Një ditë gjermani u arratis. Arrestonte fshatarët, digjte shtëpitë. Gjermanët ishin fshehur në Përroin e Thatë. Mitralieri vrapoi. U hodh nga maja e shkëmbit. E mbërtheu për gryke Messersharfin e ky ia derdhi plumbat në bark mitralierit që u vra. Vdiq dhe gjermani. Në një tjetër tregim vihet figura figura vetëmohuese e partizanit të ri që u vra në mbrojtje të civilëve nga predhat naziste. Babai i kish vdekur, shtëpia në Vlorë i ish djegur.

  “Pse s’qëllon kjo pushka ime”?  Burri plak ish fillikat. Babanë e djalit që e kish fis të largët, e kishin vrarë gjakësit pabesisht në mulli. Nëna e djalit ishte rimartuar. Djalin e rriti plaku. Në shehër kishin hyrë partizanët. Kishin vënë një bajrak të kuq në minaren e xhamisë e këndonin ca këngë që i kallnin datën hoxhës. (Nënvizohen këtu veprimet e padenja të partizanëve ateistë, të pafe). Djali, Ahmet Daci, në radhë pas luznakut, mori një pushkë dhe ngjeshi fishekët. Në pritë me luznakun, u ngrit, shkrepi armën e tha:”Nuk e di pse s’qëllon pushka ime! Arma e tij qe e nxehtë. Luznaku thirri:”ç’bën ashtu? Shtrihu!” Pas disa çastesh vdiq djali me shprehje hutimi në fytyrë. Luznaku e mori në shpinë. Asnjë nuk e njihte, po pati nëna që e qanë. Dibra digjej flakë.

  “Një çast harrese”.  Partizani i vjetër Selfo i kërkoi partizanit të ri Arif të ruante Muçin. Vetë shkoi të mblidhte fshatarët për t’i bërë gjyqin hajdutit që ish shtirur si partizan. Arifi:”Ne s’vrasim asnjë pa gjyq”.  Muçi:”Unë e di se do të më vrisni. Gjyqi është kot”. –“Nuk të vrasim ne, të vret populli”. Në emër të popullit hajdutët demaskoheshin e vriteshin pa mëshirë. (Plenumi i Beratit, 25-27.XI.1944 pohonte që gjatë luftës ishin pushkatuar pa gjyq e pa faj nacionalistë e komunistë).

  “I fundit” (novelë). Në spitalin partizan kishte shumë të plagosur. Mihali kish shoqëruar të plagosurit e brigadës, mbi të cilët kishin hapur zjarr. Më pas ishte zvarrisur gjatë në dëborë. E sollën. Mjeku, kur pa këmbët e tij të enjtura, mavi e pa shenja jete, tha:”S’ka më shpresë. I janë kalbur të dyja këmbët”.Mihali që dikur u kallte tmerrin armiqve, tani duhej transportuar ose të zvarrisej. Përmes digresioneve flitet për hasmërinë e tij me bejlerët e Rokshanit. Mihali, dikur komit që kërkonte drejtësi, kishte vrarë Cal Prengën. I vëllai Gogoja kish vrarë Ali Rokshanin e kish 6 plagë. Me zgjuarësi Mihali mposhti dhe Isa Toskën. Mihali me armët ngjitet në baxhon e vogël. Qëndron dhe çelua. Të dy vriten. Kur kthehen, partizanët, kati i sipërm qe djegur.Mjaft pozitive dhe figura e infermieres Vera, aq të dhemshur e të përkushtuar. Autori thotë në tregim se “nuk kishte nisur ende hapur lufta me Ballin”.( Pra indirekt pohohet që më pas do të niste lufta civile. Në qarkoren e 1 tetorit 1943 urdhërohej lufta e hapur me Ballin).

Tregime me temën e Pasluftës.

  “Kush e dogji mullarin”?  Ky tregim nis me natyrën inkandeshente që përgatit tensionin e lartë dramatik të ngjarjes, e mjaftueshme për një dramë të mirëfilltë. Një përshkrim mjeshtëror i natyrës, i peizazhit të gjelbër të Valbonës e  që u bë i zymtë, i errët. Një shtëpi e vjetër. Digjet mullari i Prelës, në fytyrën e të cilit duket një dëshpërim i thellë, i mbytur. Kush e dogji mullarin?  Kur digjej mullari, do të thoshte se dikush ishte turpëruar në shtëpi. Vite më parë kriste pushka. Iu kujtuan historitë e hidhura. Vëllezërit kishin vrarë zjarrvënësin, ishin vrarë dhe ata. Kish mbetur Prela. Në kuvend djali tha:"U njohëm në hekurudhë. Dua të martohem me Senkën, baca na pengon. –Është ende fëmijë. –Kur u martua në djep ishte e madhe? Krenaria  plakut iu thye. Vjen një bari. Thotë:”Mullari që u dogj mbrëmë? E dogji rrufeja”. Askush s’e mendoi këtë zgjidhje

 “ Mbasdite të lagura”. Xhemili i krijon një takim Didikos me një kushërirë, e cila mund t’u nënshtrohej prindërve, por ndërgjegjësohet për padrejtësinë e tyre. Mirëkuptohen të dy të rinjtë që duhet të vendosin vetë. I natyrshëm shtjellimi, po aq e natyrshme dhe zgjidhja objektive.

  Në tregime të tjera pikturohen me ngjyra të gjalla mjaft personazhe pozitivë, të individualizuar bukur përmes gjuhës e veprimeve të tyre. Xhenjerët që rrezikojnë jetën në shuarjen e zjarrit te pusi i naftës. Sulo Kandrrëa, njeriu i ndershëm që dha kaun e vetëm për të ushqyer fëmijët jetimë. Të rejat që dashurojnë, por edhe mbrojnë dinjitetin e tyre përballë mashtruesve ordinerë.Cetka e fyer nga qëndrimi i prindërve që nuk përfillin ndjenjat e mendimet e saj. Marta  që prish fejesën e imponuar e shkon në aksion. Mbrojtësit e kufirit, si Halili. Veterinerët e përkushtuar në punë si Luçi apo Zaharia. Fshatarët që dyshojnë për vlerat e kolektivizimit. Saliu i vetmuar, një peshkatar i rrallë. Gjuetari i thëllëzave. Përgjuesi i orteqeve që mbron fshatinKudo spikat poezia e punës, dashuria  për profesionin, simpatia për njeriun e thjeshtë. Ndërsa çdo personazh që përfaqëson ndonjë post, jepet më i zbehtë, ose përshkruhet me penelata negative.

  “Mbama pak pallton, çun”.  Nis menjeherë rrëfimi për ditën e parë të punës së një tekniku në byronë teknike. Dy kolegët inxhinierë, më të mëdhenj, ia mbanin pallton shefit. Ai e quan të padrejtë. Kur babai i flet për plumbin në damar të shefit, turpërohet, nuk fle natën, pret të gdhijë dita. Thjeshtësi, lakonizëm, qartësi në zbulimin e luftës së brendshme shpirtërore të djalit

  “Zjarri midis majave me dëborë”. Ecnin drejt majave të Jezercës. Majat e pishave rëndonin nën peshën e dëborës. Qielli ishte nxirë sterrë. Me Sazanin ishim shokë vegjëlie.(Ai i kish nxitur dëshirën për alpinizëm).Ishte shumë zemërbardhë. Sazani rrëshqiti në pjerrësi. Shqetësimi. Maja e Palukës përcillte thirrjen majave e majat klithnin në kor.(Figuracioni, në këtë rast metafora e hiperbolizuar, përforcon bukur romantikën dhe vështirësitë e alpinizmit plot sfidae adrenalinë).Kur u gjet, i dukej fytyra e gërvishtur, e gjakosur, por sytë i shndrisnin.

  “Njerka”. (Lakonik e i kuryer në fjalët që përshkraujnë ngjarjen). Babai po rimartohej. Njerka erdhi. Për darkë. Ishte dhe xhaxhai me të shoqen. Të gjithë pinin. Xhaxhai nga gezimi. Unë me Dianën nga hidhërimi. Ajo çalonte pak. Të gjithë më vështronin. Sytë e njerkës ishin të turbullt, të shqetësuar. U sula në dhomën tjetër. Erdhi Diana, dhe njerka. Qau si unë. Mbështeti faqen e saj në timen. Lotët u përzien. Njerka tha:”Mjaft e dashur. Pse po qan”? Thashë:”Nuk mund të shtirem. Kjo është e rëndë”.- E di. Ashtu është edhe për mua e babanë. Po do të mësohemi”.( Një njerkë njerëzore, e ndjeshme, ndryshe nga paragjykimet). Temë universale, e përhershme. Filmi “Darka”, mbi bazën e këtij tregimi, me skenarist Guy Mousset, me regjisore Suela Bako dhe aktorë Romir Zallën e vajzën 10 vjecçare çmim të parë si film me metrazh të shkurtër.

  “Letra anonime”(novelë). Prej 6 muajsh punoja në atë qytet të vogël. Lajmthirrje telefonike. Nëna:”Qëkur ke vendosur të martohesh atje”? Thashë:”Njihem me një vajzë, por s’kemi folur për martesë”. Kisha për të shkruar një reportazh. Një letër nga nëna:”Mos u marto me atë grua që është më e madhe se ti dhe ka një fëmijë ilegal”. Një padrejtësi e poshtërsi e fshehtë. Drejtori më tha:”Një letër anonime për ty”. Lexova:”Flet tërë qyteti se ju bëni dashuri me mjeken Izvini Pleja. Ajo ka pasur lidhje me një farmacist që e la shtatzënë. Barra u zhduk. Babai i fëmijës që ka nuk njihet. Jepini! Ju lumtë”! Takova mjeken që më tha:”Isha e martuar. Më vdiq burri, me të cilin pata këtë fëmijë. U njoha me farmacistin, po familja e tij nuk ishte dakord”.

  Takova Dallëndyshen, e cila pranoi që i kishte shkruar ajo letrat anonime. E kish shtrenguar xhaxhai, Hyseni, të cilin e takova më pas e i thashë:”Shoh sa të ndyrë jeni! Ajo mjekja i vuan ende pasojat e shpifjeve tuaja. Asaj i prishe jetën”. Shihja turbull, si nëpërmjet një xhami kur bie shi. Kisha për të bërë reportazhin. Mbase kjo do të qe”Kronika e fundit e një qyteti të vjetër, të mbytur”. (Për shkak të hidrocentralit që po ndërtohej). Novela mund të shërbejë si  skenar filmi.

V.Hygo:”Shpifësit gjakpirës kanë një lumturi të zezë”. Kurani:”Shpifja  është një krim më i rëndë se vrasja”. Faik Konica:”Ndër ne shqiptarët shpifja dhe përbaltja janë armët më të suksesshme të ligësisë njerëzore”. E sipas Borhesit janë “e vetmja monedhë që shkon në tregun mediatik”. Me shpifjen janë ambjentuar politikanët, por nuk e tolerojnë dot  qytetarët e thjeshtë, të ndershëm e të moralshëm, të cilët përshkruhen me aq simpati e dashuri nga F.Ballanca. Letërsia mbush boshllëkun moral të shoqërisë e shërben si kontroll moral për politikën.

Studiues letërsie

 

SHKARKO APP