Fakte për zgjedhjet në Korenë e Veriut dhe 30 Qershorin e Ramës
Për shkak se 29 qershori, sipas KQZ, është heshtje zgjedhore dhe Partisë Socialiste që garon e vetme i ndalohet propaganda elektorale, po ju sjellim disa shembuj sesi zhvillohen zgjedhjet në vendet e tjera të botës.
Koreja e Veriut ka një praktikë elektorale që në çdo raport ndërkombëtar tregohet si modeli më i keq. Pra, modeli sesi nuk duhet të zhvillohen zgjedhjet në një vend normal.
Në Korenë e Veriut mbahen zgjedhje për dy pushtete, lokal dhe qëndror. Koreanoveriorët votojnë për Asamblenë Supreme Kombëtare (parlament) një herë në pesë vjet dhe për Asamblenë Lokale Popullore (zgjedhjet vendore) një herë në 4 vjet.
Të gjitha vendet në Asamblenë Kombëtare dhe Asamblenë Lokale i fiton vetëm Fronti Demokratik për Ribashkimin e Atdheut. Për Korenë e Veriut ka keqkuptime, pasi thuhet se atje është vetëm një parti. Në fakt, ky është një mashtrim, Koreja e Veriut ka tre parti. Fronti Dekomkratike paraqitet si një koalicion, ku ka brenda saj Partinë e Punëtorëve që merr 98 % të Asamblesë dhe dy parti të tjera që marrin nga 1 % të rezultatit. (Për ta kuptuar më mirë shqiptarët; fronti funksionon njëlloj si Partia e Punës me Bashkimet e Pavarura Profesionale gjatë komunizmit. Për atë që s’kanë jetuar në komunizëm, Fronti është siç janë sot PS, Bindja e Astrit Patozit dhe PUK-u i Idajet Beqirit).
Zakonisht pjesëmarrja është rreth 100% dhe rezultatet janë po 100% për Frontin.
Në çdo zonë elektorale ka vetëm 1 kandidat!! Fronti cakton kandidatët sipas zonave, në bazë të numrit të banorëve.
Votimi është i fshehtë, por edhe nëse qytetarët duan ta shpallin votën në komision, kjo nuk quhet shkelje. Në fund ka dhe një komision elektoral shumë serioz që ligjëron rezultatin, fiks pas një jave.
Në raportimet e mediave të këtij vendi, për zgjedhjet e fundit shkruhet: “Sukses i madh, nga 99.97% e votuesve këtë vit janë pro frontit në masën 99.99%, ndërsa 0.1% janë të pavlefshme”.
Edhe pse ka vetëm një kandidat, fushata elektorale lejohet gjerësisht në Korenë e Veriut. Kandidati i zonës del në televizionin kombëtar, mund të nxjerrë postera, afishe dhe të mbajnë mitingje për demokracinë popullore. Fjalimet asnjëherë nuk duhet të jenë kundër linjës së Partisë së Punëtorëve të Koresë.
Çdo ngjashmëri fakteve të këtij shkrimi me Shqipërinë nuk është e rastësishme.
M.Xh