Faleminderit baba, faleminderit Tepelena jonë!

Nga Kristo MËRTIRI – Djepi shekullor i qytetit të vogël me histori të madhe, përkundet atje mbi Vjosën e urtë e të bukur, finoke e të sertë. Bashkë me kalanë e famshme. Kjo vatër e ky prag na nisën udhëve në jetë. Ç’ka parë e ç’ka dëgjuar ai lumë shkumëbardhë! Por në çdo festë Çlirimi, Vjosa sikur mban hapat dhe mërmërin ashtu e përgjëruar. Sepse tepelenasit kanë mbi 74 vjet që atë ditë gdhihen e ngrysen rrethuar nga këngët partizane dhe nga ligjërimet e krojeve labe. Në monizëm e në pluralizëm. Të majtë e të djathtë, të varfër e të kamur, nderojnë plot dashuri e dinjitet së pari vajzat dhe djemtë e nënave që prehen si yje të ndezur mbi qytet. Mal mbi male! Nderojnë dëshmorët e Lirisë e të Demokracisë së vërtetë, idealistët e pandreqshëm që luftuan e ranë për një Botë të Re. Për një botë pa pushtues e të pushtuar, pa shtypës e të shtypur, pa ujqër e çakej që bëhen zengjinë brënda natës me hënë e pa hënë…Kjo traditë patriotike, qytetëruese e humane lartësohet nga Bashkia dhe Këshilli i saj. Gati të gjithë janë vajza e djem levendë që nuk u dridhet qerpiku përballë ndonjë rrëkeje vreri e zeheri neokuisling nëpër median e shkruar e atë elektronike. Kësaj treve lavdimbuluar nuk i mungojnë kurrë brezat fisnikë e burrërorë që bien në gjunjë vetëm para Flamurit e Dëshmorëve të Atdheut. Përshembull, fisnikërinë prushndezur te Sulo Gërbi, Faslli Mullaraj, Bujar Sula, Qëndro Ciko , Bardhyl Saliaj, Krenar Progonati etj. , nuk e nderojnë thjesht veteranët e pasardhësit…

-“Në Tepelenë edhe ajri më flet e i flas…edhe guri e druri, edhe zogjtë e gjethet kuvendojnë ndryshe me njeriun, me historinë kapakkuqe”, thoshte shpesh babai juaj i ndjerë. Prandaj nuk e braktisi kurrë, si në ditët me mjegull a me erë egërshane dhe në vapën përvëluese. Ashtu modest e sedërqar, nuk i tundi e as i shkundi meritat në Luftën Antifashiste Nacionalclirimtare dhe në atë ndërtimtare. Dhe cuditërisht nuk kërkoi asnjë lloj shpërblimi zyrtar deri sa mbylli sytë në paqe me veten e të tjerët. Besonte shumë e dyshonte pak. Pa urrejtje, pa zili e ligësi. I prishej gjaku dhe e përbuzte me shpirt cdo lloj pyke a spice të ndryshkur krahinore e fetare. Vërtet këndonte rrallë xha Golja, por zëri i tij drithëronte degët e lisit, luleblirit e të trëndelinës në malin Golik. Dinte të gëzonte, por edhe të vajtonte me lotë të nxehtë për njeriun. Më dëgjo pak miku im, për punët e paqme dhe ndershmërinë e tij gati proverbiale në fushën e financave, në shoqëri e miqësi, më fliste plot dashuri ish partizani llagar Vangjel Vllaho…Tani që po na troket muzgu i jetës, unë e kuptoj më mirë atë pohimin dritëgjatë:-Këtu edhe ajri më flet e i flas…”. Dhe nuk la kurrë pas krahëve Tepelenën e tij, Tepelenën tonë. As kur derdhte shpesh vështrimin e meditonte thellë në vetmi te ajo ara e përgjakur përballë ish kullave të bejlerëve të Këlcyrës:”Zunë kambanat të bijnë/Me vaj e me ulërimë…/U vranë trimat, u vranë/Në Hije therën Karanë/Beut nuk i shkoi fjala/Neve na nderoi palla!”. Vetëm qeni i stanit nuk e tradhëtoi të zonë. Dy ditë e dy netë pranë tij. Nga kuisjet e të pagjumit e gjetën bashkëfshatarët, “kur edhe krojet flinin/ti bir i besës kur pabesitë nxinin”. Atë arë jo më kot peshtanakët e pagëzuan përjetësisht Ara e Kara Mërtirit. Një tabor me sejmenë nga ajo kullë zezonë, erdhi e i preu kokën atij trimi të çartur që nuk lëshonte asnjë pëllëmbë toke e kullote nga vendlindja e bekuar. ”Ku-ku”, qante a këndonte një qyqe rrotull njeriut me kokë të prerë?!. . . Historia nuk harron. As kur mori rrugë e pa rrugë në lule të djalërisë dhe u bashkua me antizogistët mëmëdhetarë në Fier, e më pas me Teli Ndinin në Vlorë !. . .

Ai nuk hodhi kurrë dy gurë prapa shpine as kur pushtuesit ia dogjën e shkrumbuan me kulm e themel shtëpinë mbi Kroin e Madh. Shtëpinë që hapi dyert e zemrat për Çlirimtarët. Në ato vithima ku lofatat me lurushk dhe shega e fëminisë vesojnë si pika loti sot e gjithë ditën. As kur fashistët dhe kapotmbajtësit e tyre e rrëmbyen egërsisht dhe e prangosën te Ura e Bënçës më 10 maj 1939. Prangosën atë djalë të fuqishëm që guxoi e doli në krye të revoltës punëtore me grushtat lart dhe lëshoi atë thirrjen gjëmimtare:-Poshtë fashizmi, shqiptarët nuk shiten për 5 lekë !. . . Të kishin gojë e të flisnin ata gurë e drurë! Nuk u thye i ligështuar as pasi u syrgjynos në qelitë e burgut të tmerrshëm në kalanë e Gjirokastrës, as kur e dënuan dhe e internuan në Shëngjin të Lezhës juristët kolaboracionistë. Ndërsa nëna juaj e sapofejuar priste ëndrrandezur ditën e martesës! Priti jo pak si “Vajzë e valëve”, jo në Bregun e Detit, por mbi brigjet e Vjosës e në gjunjët e grisur të Golikut përballë Trebeshinës. Të vërtetat rrojnë shumë…Mirëpo dheun e nahijes së shenjtë nuk e braktisi as kur nazistët gjermanë me kallauzët e tyre i torturuan, masakruan e pushkatuan të atin dhe e vërvitën plot urrejtje e lemeri në greminën mbi Buzën e Savës. Të vetmin burrë nga 30 vetë që vunë përpara grykëve të armëve?!(Emrin e tij të paharruar, sot e mban ti, miku im). Ishte kulmi i Operacionit armik të Dimrit. Vetëm shpirti i xha Goles dhe i kunatës së rrallë Katerinë mund të rrëfenin ato orë tragjike, kur e groposën me duart e tyre anës Vjosës, në Carahuar! Sepse në Peshtan ishin ende ushtarët hitlerianë, nuk pipëtinin as zogjtë përmes breshërive të armëve e flakëve në gërmadha. “Peshtani lagje Parisi/Vaj medet, lufta ç’e prishi…”. Plot 74 herë është ndërruar bari te Buza e Savës! Tani vonë, në atë rrugë të vjetër kalojnë rrallë veç kopetë e bagëtive dhe barinjtë në shtegtim. Por mua në Tiranë e gjer në mërgim, më djeg malli kur vjen prilli. Atje hedh shtat edhe një vatër pylli i imët ku gjallon një shkurre me lëvore të kuqërreme në të murrme, me gjethe të vogla si të shkozës së bardhë: Mëlleza. Thonë se erdhi në jetë gjatë vitit të madh të Çlirimit. Kur ktheheshim nga Tepelena, të vetmin pushim të shkurtër e bënim atje. Nëpër vite kështu. Pasi ulej, babai nxirrte të vetmen cigare të blerë në qytet, e ndizte dhe kridhej në mendime…Vonë e mësova të vërtetën e asaj ndalese – kujtesë ku do buronte më tej kërshëria pa cak e moshës. E thosh bukur Xhelua i të gjithëve: Luftëtari e patrioti i vërtetë nuk i tregon kollaj plagët e veta!

As kur nisi lufta tjetër për rindërtimin e Shqipërisë së Re e kur urija shuhej me ca kokrra misri, Tepelenën nuk e ndau nga sytë e zemra. As kur piu kupën tjetër me helm për Frosinën(fëmijën e parë!), pas asaj gjëme familjare që përcëlloi fort Gurin e Shkallës dhe pikëlloi e çau qiellin mbi varrezat e Shën Marisë. Toponimia e fshatit u pasurua hidhur nga një tjetër emër: Buza e Çoços !. . . Ra duke mbledhur dafina me shoqet. Iku me shaminë e bardhë si bora mbi Golik e Trebeshinë dhe…nuk priti të bëhej Doruntinë. Honet e Piligrisë do rënkojnë gjatë. Iku pak orë pasi la të vetmen dëshmi në celuloid atë fillimgushti: Një foto e shkrepur gati 60 vjet më parë te Manastiri i Kodrës përtej urës së Dragotit. E ruajti deri vonë në pleqëri në sepeten e nusërisë, Evanthi Laçi në Tepelenë…

-Për karaktere të tillë stërralli, mos nguro të shkruash, vëlla! Ashtu siç ligjëroi Xhevahir Spahiu i rrallë. Ashtu siç këndoi kokë më kokë me xha Golen në shtëpi Dritëroi ynë i paarritshëm: Te plep i Bilishtit/Dy martina ranë… U rrinte larg marazeve provinciale. Dhe ja postulati i tij i paprekshëm: Vetëm burimit nuk i mbahet mëri, atje ulim kokën të gjithë! As kur jeta nuk harroi ta qëllonte me gurë edhe në barakën-banesë në kërthizë të qytetit deri në prag të pensionit. Por idealet e pastra të Luftës Çlirimtare nuk ia vranë dot. Ishte nga ai brumë “të cilët as u korruptuan, as vodhën, as u inkriminuan, por luftuan si idealistë asketë për një shoqëri humane”. Kryedëshira e tij : Të arsimohen fëmijët e të mos ua hajë qeni shkopin në jetë !…Sot disa të rinjve (sidomos në qytete)mund t’u duken përralla a “leksione morali”. Sepse fjala vjen, si mund ta perceptojnë në qytet qoftë edhe një copëz të tillë:-Parafytyroni një nxënës që ka mbaruar shkollën fillore dhe në shtator i qepet me këmbë malit të diturisë. Më shkoqur. Pa rënë mirë agu i ditëve të hëna mbi Peshtan, pa u shkrirë vesa apo kënga e gjelit të parë, do bënte gati 20 kilometra rrugë për të kapur orën e parë të mësimit në Tepelenë!Në llohë e në vapë. Te ura e Dragotit, (të cilën e shpëtuan partizanët e komandant Asafit, që sa qe gjallë shprehej se “është edhe merita e Goles me shokë peshtanakë, mezhgoranas e kodrallinj të çetave territoriale”), do kaloje patjetër nën të si në një shteg dhish. Por Vjosa po sillte kërcunj e përmbytje. Parafytyroni ata shkëmbinj të murrmë mbi këmbën e urës dhe dy njerëz që ngjiten barkas e këmbadorazi me trastat plot libra, fletore e ca ushqime javore në kurriz. Pa folur për pasarelën e gjatë të Ali Pashës që lëkundej si kaike mbi egërsinë dimërore të dy lumenjve. Babai do shkonte në punë. Unë do hyja në klasë…”(Madje vëllai im i madh kur filloi punë si mësues gjimnazi, jetonte në barakë. Kur gati tërë nxënësit dhe kolegët ishin nëpër pallate e shtëpi shtetërore!). Por sakrifica e babait do të thahej shpejt, po të mos ishte edhe djersa e nënës në fshat. S’thotë kot i mënçuri: Pa gratë burrat do të ishin të mangët. Mëma jonë përjetësisht mandilezezë e zemërhambar!. . .

A e dini kur mësova diçka për qëndresën antifashiste të Urës së Bënçës? Gole Gjoka(Tarifa) më është lutur nëpër vite ta thoshja në media, por ndoshta një dhimbje e veçantë më ka frenuar. ”Kur ti po mbaroje 8 vjeçaren, një ditë erdhi në Tepelenë kushëriri Sevo. Interesohej për pasurimin e muzeut të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të qarkut Gjirokastër. Fjala ngau fjalën. Befas më tregoi e pyeti për babanë tuaj si nxitës e organizator i revoltës punëtore, nga të parat në Shqipëri. Mirëpo kur më pyeti se a është gjallë ky burrë, me të cilin unë qaja hallet gati përditë, u skuqa i tëri dhe mu mblodh një lëmsh në grykë. Ç’ti molloisja më parë? Xha Golen e kishin pushuar prapë nga puna!. . . Sevua më dëgjoi në heshtje. Por mora vesh se nuk heshti kur vajti tek të bëjshmit(drejtuesit) e rrethit. Sepse e drejta nuk vonoi…

Të kuptohemi mirë. I theksova shkurt këto pak episode, jo thjesht për të zbehur “modestinë e tepruar” e të gjatë dhe as për të rrëmbyer ndonjë “status” në demokracinë e ekonomisë së tregut, siç kanë bërë dje dhe sot jo pak pehlivanë. Madje, po të ish gjallë babai, nuk do më lejonte të shkruaja për të. Megjithse peshtanakët mendjehollë më thonë shpesh se e folura shkon e tretet, e shkruara hedh rrënjë e mbetet. Jam i sigurt se as Josifin e Fotos aq të zgjuar e plagëshumë dhe as Aljoshën e Milos së dashur e fjalëpakë, nuk do ua zinte në gojë rivendosjen e pllakës përkujtimore te Ura…Veçse në këtë botë andrallashumë, nuk paska nderim më të lartë sa ai i vendlindjes. Të nderuarit dinë të nderojnë luftëtarët kundër nazifashizmit apo edhe ishkomunistët e thjeshtë e të ndershëm. Kur botova në “Dita”një shkrim zemre për mosnëpërkëmbjen e Partizanëve të Lirisë, dikush thartoi buzët. Punë e madhe! Shërbëtorët e djeshëm e të sotëm të shumë zotërinjve, janë disa minare më poshtë nga karakteret e vërteta që nuk u thyen as në monizëm e as në pluralizëm. Të tillë njerëz i japin shkëlqim rinisë e pleqërisë. Shkurt, vlerat reale nuk peshohen dot nga ata që mund të kenë para me thasë dhe asnjë gram dinjitet. Mirënjohja është e patharë: Faleminderit baba, faleminderit Tepelena jonë !. . .

SHKARKO APP