Fatura e përshpirtshme e muajit

Nga Xhevair Lleshi-
Një faturë tatimore e ujit e një muaji (prill 2018) është një tabelë me shumë zëra. Dhe kjo të bën të mendohesh mirë. Ju do të donit të dinit zërat: Uji i pijshëm në m3 3, 65 lekë, shuma me TVSH 234 lekë; Uji i përdorur (100%)(!) 39.60 lekë; Tarifa e shërbimit (edhe tarifa e shërbimit me TVSH ?!); Vlerë ujëmatësi, aksesorë (hë për hë 0 lekë); Vlera e kundërvajtje (tani për tani 0 lekë); Vlerë libreze (po ashtu sot për sot 0 lekë); Vlera e faturuar për UKT, totali 510 lekë. Kësaj liste i shtohen taksat vendore për çdo familjar: Tarifë pastrimi në muaj 420 lekë (pa TVSH), Taksa për ndërtesën në muaj 100 lekë; Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore !!! 150 lekë (!), Taksa të tjera 0 lekë, Kompensim/Subvencion 0 lekë… Shuma totale 1180 lekë. Shtesa e pensionit 0 lekë! Shtesa pagash 0 lekë!…
Këtu s’ka asgjë të re. Të gjithë familjarët shqiptarë e njohin mirë këtë faturë. Vini re «Uji i përdorur» është një TVSH e dytë dhe nuk dihet pse shënohet! Ndërsa taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore 150 lekë është e padrejtë, shkelje ligjore – derisa arsimi në Republikën tonë është falas!
Të kesh një shtëpi të madhe ose edhe të vogël duhet të paguash. Le ta kesh ku të duash, le të jesh edhe i zoti apo praktik, nuk pi ujë fare; ti thjesht je popull dhe kjo s’pi ujë fare, ndonëse flasin në emrin tënd dhe vënë taksa me emrin tënd. Taksat tona të tjera ato duhet të shkojnë tek infrastruktura shkollore, që kullon nga rrjeta e grisur e buxhetit të shtetit. Taksat s’kanë të bëjnë asfare me atë që të del në krahë, as me numrin e fëmijëve që ke… Taksa është një: e ujit! E ujit që të fut në burg. Plus taksa e pastrimit! Plus taksa e banesës! (E pse edhe e banesës? A nuk janë pjesë e banesës, të gjitha: uji, pastrimi, energjia?…) Ky është një turp i madh, është grabitje!
Gjithçka i del dhe i tepron shtetit. Po atëherë pse i duhen kaq shumë pará?
Por instinkti i shfrytëzimit është i pagabueshëm. Ne e shohim me sytë tanë që i bëjnë rrush e kumbulla, ndonëse nëpër letra shkruajnë libra, ekspozita, rrugë, pastrim (lukunia e njerëzve të panumërt në pastrim-gjelbërim!).
Na duket sikur i kemi zgjedhur jo për të na zgjidhur halle e për të na bërë punë, por thjesht pë të na zhvatur e për të shtuar dhjamin e tyre…

SHKARKO APP