Fëmijët e vetëm në kampin në Siri, daja apelon për ndihmë nga shteti
Daja i dy të miturve Endrit dhe Eva Dumani i kërkon shtetit të ndërhyjë për riatdhesimin e nipit dhe mbesës që ndodhen prej 6 vitesh në zonën e luftës në Siri. Xhetan Ndregjoni thotë se vetëm shteti mund të kryejë riatdhesimin e tyre por prej vitesh nuk kanë zgjidhur asgjë.
Endrit dhe Eva Dumani janë dy fëmijët e mitur nga Tirana, të cilët prej rreth 6 vitesh ndodhen në zonën e luftës në Siri.
Prej shumë kohësh për ta është kujdesur gjyshja e tyre Mentije Dumani, por ajo ndërroi jetë pak ditë më parë në kampin Al-Holn.
Daja i dy të miturve, Xhetan Ndregjoni, për Ora Neës kërkon ndihmë për kthimin e tyre pasi sipas tij fëmijët janë më të rrezikuar se asnjëherë.
“Nuk e di se kush i ka në kujdestari fëmijët dhe se në duart e kujt janë. Kemi pasur vetëm disa komunikime të shkurtra me audio.”
Ndregjoni thekson se ka 6 vjet që shteti thotë se po punon për rikthimin e fëmijëve në atdhe, por deri më tani asgjë nuk është bërë.
Për këtë arsye ai shprehet se gjithë kontaktet që kanë gjetur, i janë ofruar për ta ndihmuar, por kërkohet prej tyre një komunikim nga shteti shqiptar.
“Kemi pasur kontakt me të gjithë institucionet. Po punojmë po punojmë, po kjo fjala na ka lodhur pasi nuk po shohim atë që duam”.
Me lot në sy ai tregoi se sa shumë mungojnë dy nipat dhe akoma më shumë motrës së tij. Ata kanë komunikuar vazhdimisht me vajzën por sëfundmi dhe komunikimi me të është ndërprerë.
“Me telefon kemi komunikuar me një numër nga Maqedonia që ma përcjellin mua. Më parë kemi komunikuar me një numër të zakonshëm”.
Dy fëmijët u larguan me të atin Shkëlzen Dumani i cili gënjeu të shoqen, mori autorizimin e saj dhe bashkë me fëmijët iu bashkua luftës së shtetit islamik.
Ai vdiq gjatë luftimeve të grupit islamik, ndërsa tashmë pas 6 vitesh familjarët shpresojnë që ata të kenë fatin e Alvinit, i cili tashmë ndodhet pranë familjes. /Ora News