Festivali Folklorik i Gjirokastrës “Argjirofest-on” 2015

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e festivalit folklorik të Gjirokastrës “Argjirofest-on” 2015:

Ju kërkoj ndjesë, por e kam të pamundur që ta çel fjalën përshëndetëse për këtë festë të shpirtit të kombit tonë, pa iu kërkuar të gjithëve që në emër të këtij shpirti që na lidh me njëri-tjetrin që kur ekzistojmë, të mbajmë një minutë heshtje për jetët e pafajshme të të vrarëve në tragjedinë e Kumanovës.

Faleminderit me mirënjohje.

E dashur Gjirokastër e bukur e mikpritëse, fort ë dashur miq të ardhur sot këtu, shqiptarë dhe miq të Shqipërisë,

Për shumë ditë e netë më radhë, në këtë skenë do të rrahë zemra e madhe e kombit; do të derdhet shpirti i tij i thellë; do të shpaloset mendja e tij e lartë. 

Me mijëra njerëz kanë zbritur në djepin e gurtë të Shqipërisë dhe me qindra mijëra të tjerë janë ulur përpara ekraneve, për të soditur madhështinë e monumentit të madh shpirtëror mbarëkombëtar, folklorit tonë. 

Si krijim artistik, ai është dritësim mbi thellat e pafundme të shpirtit të popullit, që është i bukur siç janë të bukura këngët e poezitë e tij, siç janë të bukura kostumet e vallet, meloditë dhe rrëfimet, mitet dhe legjendat, dialektet dhe të folmet e veta. Është kjo dritë e së bukurës që admirojmë dhe shpesh na qëllon ta dashurojmë për të mos e harruar dot më kurrë te baladat, te isot, te kabatë, vajet e ninullat. Një drite që na përpin dhe e përpijmë brenda nesh, si pjesë e energjisë që na krijon e rikrijon si popull, duke krijuar dhe rikrijuar identitetin tonë në pafundësinë e gjeneratave që ikin e vijnë, të lidhura me njëra-tjetrën përmes kësaj drite.

Një festival folklorik na mundëson të ndjehemi pjesë e kësaj pafundësie kohore, teksa shohim si në një pasqyrë të stërmadhe shpirtin e popullit të cilit i përkasim. Edhe një pjesë e gjithsecilit prej nesh do të shfaqet doemos aty atë pasqyrë, e njehsuar me tërësinë po edhe krejt e dallueshme për sytë e shpirtit tonë, përmes spektaklit të pashembullt të ngjyrave, zërave, tingujve, ritmeve dhe lëvizjeve. Për secilin nga ne do të ketë me siguri një moment kur papritur diçka do të zgjohet për të jetuar së brendshmi si në një ëndërr të madhe, duke na bërë të ndjehemi pjesë e një të tëre shpirtërore, e një thelbi akohor e të pakufizueshëm, që pikërisht pse kurrë nuk iu është përgjigjur plotësisht ligjësive të historisë dhe së përditshmes ia ka dalë e do t’ia dalë gjithmonë të na mbajë bashkë si shqiptarë. Ligjësitë e këtij thelbi janë të pashkruara dhe intuitive, shprehen ndryshe, ecin përmes improvizimit, kontrastit, dinamizmit, konçizitetit dhe ndërtojnë vijimësisht një kulture sa komplekse e të larmishme, aq unitare dhe identitare për nga natyra e saj. 

Prej këtij thelbi u ngjizën dhe këtij thelbi i mbeten të devotshëm, Rilindasit tanë të mëdhenj, që e ndjenë se gjithçka që do t’u fliste dhe do t’u këndonte shqip shqiptarëve ishte brendësuar të Folklori i tyre, i trashëguar me fanatizëm, me përkushtim njerëzor dhe me një zell artistik të përcjellë brez pas brezi. Ashtu siç u kishte trashëguar tokën bijve të vet, kombi u kish mëkuar edhe kujtesën e tij. Jo vetëm përmes datash e dokumentesh që i flasin mendjes, por përsëpari përmes ligjërimesh, tingujsh, formash e ngjyrash, që i bëjnë hyzmet jetës së shpirtit, kujtesë urtësie e mençurie dhe mbi të gjitha, kujtesë gjenetikisht estetike. I qenësishëm dhe i përkorë, mbizotërimi i bukurive të shpirtit në Folklor u bë për Rilindasit, fytyra e re shpirtërore e kombit, modeli estetik dhe konceptual mbi të cilin veprat e tyre madhore u ngritën si kolonat e reja të një kulture të lirë e moderne. Të dala natyrshëm nga themelet e thella të krijimit popullor, si thesar dhe dokument absolut i shqiptarësisë sonë, ato vepra u bënë ndriçim dhe shpëtim kombëtar në kohëra të zymta sterrë për shqiptarët.

Ndaj është e pamundur të mos përmendim sot me nderim dhe në këtë skenë, emrat e mbledhësve të palodhur të folklorit, që nga sprova e parë e Frang Bardhit (1635) dhe “Bleta Shqiptare e Thimi Mitkos” te Spiro Dine e Stavro Frashëri, te Palokë Kurti e Gjon Kujxhia, te Thoma Nasi e Kristo Kono, Vinçenc Prenushi e Shtjefën Gjeçovi.  

Sikundërse është e pamundur të mos përmendet sot, emri i një De Rade e Naim Frashëri, Zef Skiro e Gjergj Fishte, Ernest Koliqi e Mitrush Kuteli, Lazgush Poradeci e Musine Kokalari, bija e mençur e këtij qyteti, Ali Asllani dhe Çajupi, njerëz të ndritur të kësaj toke që ditën të na e përcjellin për merak, atë mrekullim shpirtëror e mendor që përjetuan vete prej magjepsjes se shumëfishtë të folklorit. Këtë magjepsje, vetë biri më i famshëm i këtij qyteti, Ismail Kadare e rishkroi mjeshtërisht për të gjithë ne, nga balada në baladë, duke na dhënë jo vetëm neve, por edhe mbarë botës mundësinë e rezonancës estetike me madhështinë e brishtësinë tragjike të fateve njerëzore që Kadareja zbuloi në labirinthet e pafundme të folklorit tonë. Shumë nga këto vepra të Kadaresë, në zemrën e të cilave pulson teksti e kënga e përsosur folklorike, janë sot pjesë e trashëgimisë letrare botërore, ashtu siç ky qytet i jashtëzakonshëm për nga arkitektura, jeta dhe zemra e vet është trashëgimi botërore e shpallur dhe përkujdesur nga UNESCO. 

Kjo skenë, ky festival, me emrin e bukur “Argjiro Fest-on” është sot për ne një “trashëgimi” që shpaloset po mbi një “Trashëgimi”. Është festa jonë e bukur dhe e madhe e së bukurës mbarëshqiptare, me grupe që vijnë nga çdo trevë e hapësirë ku këndohet shqip, jo vetëm nga Shqipëria e Kosova, Mali i Zi e Maqedonia, por edhe arvanitas e arbëreshë, edhe shqiptarë të Turqisë e shqiptarë të Zvicrës, sepse e tillë është harta e madhe e shpirtit të këtij kombit të vogël që diti të jetojë me këngën dhe gjuhën e vet, përtej çdo hartografie historike e politike. “Kangë e gjeta e kangë e kndova” thotë vargu brilant i Kangëve të Kreshnikëve. Dhe kështu do të ndodhë vërtetë në këtë skenë e në këtë qytet, teksa artistët tanë më të mirë popullorë do të përcjellin përmes shpirtrave e trupave të tyre pikërisht atë çka kanë trashëguar më të mirë dhe më të qenësishme nga vija e dritës që i lidh me etërit e me etërit e etërve të etërve me radhë, lart në histori për t’ia përcjellë bijve e bijve të bijve më tutje në rrugën drejt të ardhmes. Dhe do të na befasojnë sot, siç i kanë befasuar dikur të parët e tyre udhëtarë, diplomatë e studiues të huaj që nuk reshtën së dëshmuari admirimin e thellë që ndjenjë për larminë dhe veçantinë mahnitëse të veshjeve popullore të shqiptarëve, që nga xhubleta ilirike te fustanella e bardhë (dikur) mbarëarbërore, që nga kostumi i qëndisur i Lunxhërisë te tirqet burrërore të Malësisë; për plastikën marramendëse e impulsive të valleve tona epike dhe elegancën, përkorjen e fisnikërinë e atyre lirike; për mjeshtërinë e lartë të lojës e dijes muzikore dhe harmoninë e rrallë mes zërave e timbrave.

Larmia cilësisht e dallueshme e këtij folklori përbën një tipar të rrallë që vërteton jo vetëm rrethanat që e krijuan, por edhe një prirje të natyrshme në zemër të kolektives, për një respekt dhe kërkim të përhershëm e të brendashkruar vlerave tona më të mira, për të njohur e çmuar ndryshimin dhe të ndryshmen. Përvoja dhe cilësitë etike më të mira të shqiptarëve na kanë mësuar e garantuar në shekuj, kuptimin dhe pranimin e tjetrit si pjesë e domosdoshme e jetës. Ndaj vjen natyrshëm dhe harmonishëm në këtë festival folklorik, edhe ajo pjesë e jona që na është pasuruar prej vlerave të tjetrit, vijnë elemente të folklorit dropullit, maqedonas, arumun, goran, egjiptian dhe rom, me këngët, vallet, meloditë e kostumet e tyre, në Festivalin e tyre, me pasurinë e çmuar pa të cilën ne nuk jemi dhe nuk mund të ndjehemi të plotë. Teksa bartim me vete këtë trajtë të hijshme e të trashëguar diversiteti, ndjehemi po aq modernë sa çdo europian sot. 

Ky shkëmbim mes popujsh e bashkësish, kulturash e traditash është fytyra e vërtetë e Ballkanit. Askund më tepër se këtu, historia e përbashkët dhe bashkëjetesa e gjatë nuk kanë gdhendur tipare antropomorfike, psikologjike e komunikuesve të ngjashme. Kemi shkëmbyer mes dashurisë dhe urrejtjes, ashtu siç dimë vetëm ne, lëndë gjuhësore e kulturore, legjenda e balada, përfytyrime e mite, të cilat kanë rrugëtuar së bashku me popujt e Ballkanit për të mbërritur sot, përmes vitalitetit të skajshëm që na karakterizon, po së bashku, në një nga shprehjet më interesante të identitetit tonë ballkanik. Nga thellësia e së shkuarës sonë të lashtë, aty ku zu fill vetë emri Europë, visari i çmuar i folklorit mbarëballkanik na jep krenarinë të pohojmë “Po, unë jam ballkanas”, ashtu siç jam shqiptar, ashtu siç është një grek, një turk a malazez, ashtu siç jemi bashkërisht europianë e qytetarë të botës. 

Qytetarë të një botë që ecën përditë e më shpejt, ndoshta edhe me një nxitim të madh, por të një bote që bëhet gjithashtu përditë e më e ndërgjegjshme për rëndësinë dhe vlerat e pamohueshme të trashëgimisë kulturore jomateriale të njerëzimit. Vlerat identitare të folklorit, roli i tij në historinë e kombeve, por edhe në bashkëkohësinë tonë, ekzistenca e tij si një kulturë e gjallë, me fuqinë e traditës por edhe me brishtësinë e tejskajshme të trajtave të veta, i kanë shtyrë institucionet mbarëbotërore të përkujdesen me përkushtim të veçantë. Butrinti, Gjirokastra dhe Berati janë pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s përmes historisë dhe arkitekturës së tyre unike, ndërsa iso-polifonia jonë e mrekullueshme është përzgjedhur njëzëri si një ndër 50 trajtat më tërheqëse jomateriale në trashëgiminë shpirtërore të popujve të botës. E kush nuk u mrekullua nga një polifoni labe apo gjirokastrite, kush nuk u drithërua nga “Janinës ç’i panë sytë” dhe nuk u magjeps nga harmonia tronditëse e këngës “Te Rrapi në Mashkullorë"?! Performanca e mistershme e grupeve tona polifonike është e denjë për çdo skenë botërore. 

Dhe suksesi në të tilla skena, asnjëherë nuk u ka munguar. Por në këtë festival, në “Argjirofest-on” 2015, diçka e përkundërt do të ndodhë. Artistë relativisht të rinj e të mirënjohur në skenat botërore do të ngjiten në këtë skene për ta bërë talentin dhe përformancën e tyre artistike pjesë të pasurisë folklorike. Dhe e bëjnë me nderim e përulësi, ashtu siç e bënë artistet dhe artistët më të nderuar të botës sonë muzikore, Tefta Tashko dhe Marie Kraja dhe më vonë, Mentor Xhemali, të cilët ngritën në stade të panjohura, por gjithnjë thellësisht burimore, pjesët më të arrira të pasurisë sonë folklorike.

Sepse popujve që u këndon zemra janë popuj të bukur dhe ne shqiptarët jemi një popull i bukur, sepse na këndon zemra. Le të na këndojë pra zemra në ditët e netët e këtij Festivali dhe le t’u këndojë edhe më fort zemra, bijve e bijave të këtij populli që do të ngjiten në skenën e këtij Festivali, për t'i kënduar Shqipërisë që ishte, është dhe do të bëhet!

SHKARKO APP