Festivali i 55-të i RTSH-së me disa risi

Të gjithë këngëtarët vendas, të cilët kanë ndarë mendjen që të konkurrojnë në edicionin e pesëdhjetë e pestë të Radio Televizionit shqiptar, kanë mundësi që këngët e tyre t’i paraqesin deri më njëzet e katër tetor në këtë platformë artistike.

Që kënga të jetë e vlefshme në këtë garë ajo duhet të ketë: skenar, regji dhe skenografi.

Pesë producentë të kësaj ngjarjeje të madhe muzikore gjatë një konference për media të martën pasdite në Prishtinë inkurajuan këngëtarët edhe të Kosovës që të bëhen pjesë e këtij Festivali prestigjioz.

Alfred Kaçinari, Florent Boshnjaku, Shpëtim Saraqi, Gent Rushi dhe Bojken Lako, do të jenë baza e juries, të cilët në këtë garë do të përzgjedhin njëzet e katër këngë, ku katërmbëdhjetë prej tyre do të kalojnë në finale, ndërsa si gjithnjë kënga fituese do ta prezantojë Shqipërinë në “Eurosong”, që këtë vit mbahet në Kiev të Ukrainës.

Njëra prej risive të këtij Festivali ku dominon zhanri pop, do të jetë ajo që këngëtarët të cilët do të renditen më këngët e tyre në vendin e dytë dhe të tretë do jenë pjesë e ekipit të Shqipërisë në Eurovision.

Kënga fituese e Festivalit të Radio Televizionit shqiptar, kryesisht është shoqëruar me kritika, por për t’iu ikur polemikave drejtuesit kanë vendosur që trekëndëshi: juri, media dhe shikues të jetë përcaktuesi i këngës triumfuese.

Edicioni i pesëdhjetë e pesë i RTSH-së, edhe këtë vit pritet të mbahet në muajin dhjetor.

YouTube player

SHKARKO APP