Festivali i Kërcimit për Fëmijë “Ne Jemi Bota” 3, sjell rreth 500 talente në skenë

Edicioni i 3-të i Festivalit të Kërcimit për Fëmijë “Ne Jemi Bota” me temë “Udhëtim në galaktikë” ishte aktivitetiti i organizuar nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, Teatri i Kukullave, Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit dhe Sportit, të cilat me anën e këtij bashkëpunimi arritën të ngjisin të martën mbrëma në skenë rreth 500 fëmijë të grupmoshave të ndryshme.

Mjaft shkolla 9-vjeçare publike dhe jopublike të qytetit të Tiranës, Qendra Kulturore Artistike, apo edhe disa studio baletesh private, ishin disa nga institucionet që konkuronin midis tyre nëpërmjet numrave artistikë të përgatitur me këtë rast.

Aktiviteti i zhvilluar në ambientet e sallës së Universitetit të Arteve në Tiranë, ishte një organizim i cili erdhi edhe kuadrin e festimeve të Ditës së Verës.

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë, Monika Lubonja, pasi ka falenderuar të gjitha shkollat pjesëmarrëse në “Festivalin e Kërcimit për Fëmijë”, u shpreh se “Skena e Universitetit të Arteve u mbush me talentet dhe pasionin e këtyre fëmijëve që performuan në mënyrën me të shkëlqyer”. “Integrimi dhe aktivizimi i fëmijëve me dhënien e një kontributi modest për përmirësimin e pozicionit të tyre në jetën shoqërore, si edhe përkrahjen për zhvillimin e talenteve në fushën e kërcimit”, u shpreh nga ana e tij udhëheqësi artistik i aktivitetit, Fatjon Sulstarova.

Të gjithë konkurrentët në fundin e aktivitetit u pajisën me diploma dhe çmime nga juria e festivalit, e cila ishte e përbërë nga specialistë të fushës së baletit. Kjo e fundit vlerësoi me çmimin e tretë grupin artistik nga Prizreni “Studio hellix allegro”, atë të dytë “Star dance Albania” dhe çmimi e parë grupin e quajtur “Balet sprint”.

 

SHKARKO APP