Festivali i RTSH/ Kozeta Kurti: Ku ishin këngët?
Nga Kozeta Kurti
…sepse ky nuk ishte një Festival nën drejtimin e Alketa Vejsiut, por një show personal i Alketës ku kishin futur për kusur, edhe këngët e edicionit të 58-të të Festivalit të Këngës në RTSH. Unë s’jam kritike, por publik (kështu si publik shpresoj të llogaritem, meqë institucion kritike s’kemi.
Kështu tha skenaristja e Festivalit). Festivali nuk është vetëm një këngë, por është një institucion më shumë se gjysmë shekullor, i cili është në shërbim të publikut, jo të një individi (këtu nuk flas fare për prezantuesen, por për skenaristen e festivalit), i cili shndërron institucionin në shërbim të saj, duke e transformuar atë, (festivalin si institucion), në ca kopje patentash ndërkombëtare, ku Alketa shfaqet për shumë muaj, çdo javë rresht, duke nisur çdo kryerradhë me: “unë”.
Ëndrra ime, sakrifica ime, puna ime, djersa ime, mundi im… Tani, këtu jetojmë të gjithë dhe e dimë edhe kush kërkohet, edhe kush ofertohet. Shpresoj të ketë ndonjë ditë kohë dhe t’i vendosë kronometrin ligjëratave të veta, performancave të veta, sfilatave të veta dhe jam e bindur, se sikur edhe në heshtje, veç përballë vetes, do ta kuptojë që kënga në Festivalin e Këngës që drejtoi, nuk ishte as më shumë dhe as më pak, përveçse një aksesor në festivalin e monologjeve dhe performancave skenike.
Jam shumë e zhgënjyer që në këtë festival mungoi dueti midis Alketës dhe Eleni Foureirës, shkruan për Anabel Kozeta Kurti.
Këtë vit m’u duk sikur dyshja Grabocka-Vejsiu po kërkonte një “Këngë Magjike” dhe Gjebrea një festival ballkaniko-rajonalo-europiano-ndërkombëtar. Pastaj, nëse do t’i rikthehet edhe një herë me laps e letër përmbajtjes së ligjëratave, duke mbajtur shënime, tekstit që ndau në publik me ne, do të kuptojë që nuk është e keqja e kësaj shoqërie, kompensimi financiar jo dinjitoz i artistëve, por i të gjithëve: mjekëve, mësuesve, prokurorëve, gjyqtarëve etj.
Ndoshta në një situatë më të kontrolluar, nuk do e kishim institucionalizuar ryshfetin, qokën dhe gjobën. Ta nisë një herë nga vetja kompensimin e artistëve për show dhe spote publicitare, pastaj kushedi, i bëhen edhe të besueshëm monologjet. Si u tha, përveç të tjerash? “Meritokracia është kryefjala”?
Tani që gjithçka ka mbaruar, mund të pyes se në emër të cilës meritokracie, por flasim? Të mënyrës se si u “pranuan” këngët? Vetë, nga rradhët tuaja ka dalë (kush ka dyshime, ja provoj unë), që në festival janë lënë jashtë këngë “shumë të mira” (cit. njerëzit tuaj të besuar) dhe kanë hyrë këngë të pa mbaruara fare, madje shpesh inekzistente. U tha pështyma duke përmendur krijuesit, kolosët, e muzikës shqiptare, por në juri, kishte vetëm një kompozitor dhe edhe ai, i huaj.
Për cilën meritokraci po flasim? Për diferencimin që ju bëtë interpretuesve sonte në natën finale? E dini sa i keni demotivuar të gjithë të tjerët, pa përjashtim, duke “izoluar” në mjedise më personale Elvana Gjatën dhe Arilena Arën? Ndoshta s’e keni bërë ju, por ju e keni lejuar.
A shikojnë autorët televizor, përveç programeve që bëjnë vetë? Nëse po, nuk do ta kishin konsideruar hapjen e natës finale, siç e hapën, sepse vetëm shtatë muaj më parë, në po të njëjtën sallë, me po të njëjtën gjendje, u çel spektakli i bukurisë “Miss Universe”, vetëm se aty nuk këndonte Alketa, por Irma Libohova.
Me këngët fituese në festivale s’jam marrë kurrë, sepse mendoj që ato janë edhe shije personale, por për korrektesën që duhet ta shoqërojë procesin, në mënyrë absolute, po. Ka ndodhur veç pas fitores së Linda Halimit, për të cilën, midis të tjerash, pata shkruar në një artikull:
“A ju thashë se Linda Halimi do të fitonte Festivalin?” Nuk dua të keqkuptohemi… nuk kam asgjë me këngën, këngëtaren apo autorët e saj, por e kisha thënë këtë shumë muaj më parë, përpara se ta dëgjoja këngën e interpretuar prej Lindës.
Dhe e dini pse? Sepse të gjithë thonë që është Festivali i Këngës, ndaj merruni më shumë me këngën se me detaje të tjera, por nëse do ishte Festivali i Këngës, dy vjet më parë, nuk do çonin me pahir këngëtaren në Eurovizion. Besoj se nuk ka njeri që nuk e mban mend që Elhaida Dani u prezantua në Eurovizion me një këngë të re e jo me atë që fitoi Festivalin e Dhjetorit. Pas tërheqjes së kompozitorit, lista ka të tjerë emra poshtë fituesit.
Të jesh në Festival, patjetër, është shumë kënaqësi, por është edhe përgjegjësi dhe kjo përgjegjësi reflektohet jo vetëm me të thëna, por edhe me të bëra. Sonte m’u duk sikur pashë Festivalin e I- rë të Këngës, sepse: “ne jemi më të bukurit, më të mirët, më spektakolarët, më gjigandët, më hyjnorët, më qiellorët, më diellorët”, më bëri të dyshoja çfarë kam parë këto afro tridhjetë vjet. Lum kush shfaqet modest, përveçse shprehet.
Të ishte kështu, përpara fillimit të transmetimit televiziv, nuk do t’i kërkonin publikut të ftohtë, “protokollar” të bënte “nxitëset e tifozëve” e të duartrokisnin me pahir kundra vullnetit të tyre numra artistikë a materiale që njërëzve s’u thoshin asgjë.
Këto manovrohen me lehtësi me të qeshura artificiale, që hynë si kontribute nga regjia, duke na kujtuar një epokë të largët të televizionit në Shqipëri, që nuk sjell tjetër, veçse regres. Le që ç’reagim natyral mund të marrësh, kur provon të bësh humor me politikën, në një situatë kaotikë të politikës së jashtme e të brendshme, për më tepër, me një figurë që po kundërshtohet vazhdimisht për vendimarrjet e tij që s’është hiç më pak se kryeministri i vendit dhe dy figura të tjera që për këtë vend, nuk janë më shumë, përveçse dy “ish” që s’thonë më asgjë.
Të gjithë rreshtat e mësipërm, i kam shkruar duke qëndruar ulur, ndërsa tani, do të ngihem në këmbë, siç bëj çdo vit, kur zë me gojë, njerëzit më të bukur në RTSH, bandën dhe Orkestrën, për të cilën shpresoj dhe uroj, të mos jetë kaq “pushim” në festivalet e ardhshme, sepse ata janë të vetmit, që çfarëdo të ndodhë, do ta bëjnë këtë festival, të pa krahasueshëm me iniciativa të tjera. Çdo iniciativë e përafërt, do ishte thjesht një kopje e tij.
Midis atyre që do të lexojnë këto rreshta, me siguri do të ketë edhe prej atyre që do më etiketojnë si ‘xheloze’, sepse kam qenë pjesë e festivalit me një skuadër tjetër, por edhe për ata, e kam një përgjigje. Unë s’kam qenë pjesë e festivalit më të paparë në planet, unë kam qenë kjo, mëngjesin e parë, pas atij edicioni: “Këtë vit Festivalin e pashë që në fazën e bluarjes së tij; ky nuk është festivali më i mirë i të gjitha kohërave, ruajna zot të themi që si ky festival nuk ka për të ardhur më, se i bie t’i vëmë drynin për aq kohë sa s’ka kulm mbi kulm…”