Festivali në RTSH. Adi Krasta: Nuk do pranoja ta drejtoja nëse…

Pasditen e së premtes u mbajt në sallën “Vienna” në Hotel Rogner, konferenca për shtyp, mbi Festivalin 56-të  të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Të pranishëm në këtë konferencë ishin drejtuesit  e festivalit  të cilët prezantuan risitë e ngjarjes muzikore më të madhe në vend,  përballë artistëve në sallë dhe përfaqësuesve të mediave.

Këtë vit ngjarja më e madhe e muzikës së lehtë shqiptare, Festivali i 56-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar  i besohet kolosëve  të artit në Shqipëri.  Adi Krasta rikthehet pas disa vjetësh në këtë skenë të madhe të muzikës në rolin e drejtuesit, duke u shprehur në këtë konference se: “Nuk do të pranonte të ishte pjesë e festivalit pa qënë perfekt në dinjitet dhe korrektësi. Garantojmë një festival  të ndershëm dhe të bukur”…

Regjia, një ndër elementët më përfaqësues të festivalit, i besohet një ndër emrave më me  kontribut në fushën e regjisë në Shqipëri, regjisorit Pali Kuke. Në fjalën e tij zoti Kuke  vuri theksin tek garancia e suksesit të këtij festivali. Në parantezë të komunikatës së tij ai theksoi se ky festival guxoi të mos ndalonte kurrë. Në 56 vite krijimitari festivali i fundvitit tregoi se ishte i pa trembur duke mirëpritur çdo vit, emrat më në zë të muzikës së lehtë shqiptare, dhe duke i bërë ballë vështirësive ndër vite.

Drejtori artistik i festivalit, Sokol Marsi vlerësoi cilësinë e këngëve, ndërsa kujtoi se krahas këngëtarëve të rinj, në skenë do të rikthehen emrat e mëdhenj të muzikës së lehtë, pjesë e këtij festivali prej vitesh, i konsideruar si emblema e muzikës së lehtë shqiptare. Rikthimi i emrave më në zë të festivaleve ndër vite, ata që krijuan themelet e këtij institucioni, janë tashmë pjesë e festivalit të 56-të të këngës në Rtsh.  Ky festival do të mirëpres 22 këngë konkuruse, të përzgjedhur në mbi 70 krijime të tjera muzikore, nga ku 11 do të prezantohen natën e pare të festivalit dhe 11 këngë të tjera në natën e dytë. Këngëtarët të cilët konkurojnë në festivalin e 56-të të këngës në Rtsh janë:

  1. Artemisa Mithi
  2. Bojken Lako
  3. David dhe Genc Tukiqi
  4. Denisa Gjezo
  5. Elton Deda
  6. Ergi Bregu
  7. Evans Rama
  8. Eugent Bushpepa
  9. Grupi “Akullthyesit”
  10. Grupi “Lynx”
  11. Grupi “Na” & Festina Mejzini
  12. Inis Neziri
  13. Lorela Sejdini
  14. Manjola Nallbani
  15. Mariza Ikonomi
  16. Orgesa Zaimi
  17. Redon Makashi
  18. Rezarta Smaja dhe Luis Ejlli
  19. Stefi dhe Endri Prifti
  20. Tahir Gjoci
  21. Voltan Prodani
  22. Xhesika Polo

Magjia e skenës së Pallatit të Kongreseve  i besohet skenografit Albi Çifligu. Festivali 56-të i këngës do të ndërtohet mbi një skenë magjike, efektet e së cilës nuk janë hasur më parë në prezantime të tilla. Le të ndihemi si në sallën “Ariston”, u shpreh  Adi Krasta në fjalën e tij në këtë konference për shtyp. Skena do të projektohet e tillë, ku publiku të ndjejë të bukurën dhe qasjen elitare të eventit.

Nuk mund te mungojë Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, aksesori më i rëndësishëm në këtë ngjarje të madhe të muzikës së lehtë,  ajo e cila me profesionalizëm do të jetë krah cdo krijimi muzikor.

Elton Deda këtë vit do të jetë Drejtuesi i Orkestrës, duke besuar se do të jetë një mbështetje e madhe për të sjellë art të mirëfilltë në këtë kompeticion. Qellimi i organizatorëve është se artistët nuk duhet ta përjetojnë si një konkurim, por në thelb të përjetojnë të bukurën dhe të shijojnë pjesëmarrjen në eventin më të rëndësishëm në vend. Skena me madhështinë e saj do të bëj bashkë zëra të njohur, me një qëllim të vetëm, artin!

Organizatorët gjithashtu theksuan se ky vit do të sjellë risi në konceptimin e tij, ndër to janë prezantimi i këngëve konkuruese jo vetëm në tri netët e festivalit, por më përpara neteve të mëdha, në Radio dhe Tv, për ti dhënë mundësi kështu promovimit dhe njohjes së këngëve nga publiku.

“Post-Festival” do të jetë gjithashtu pjesë integrale e festivalit, ku ndryshe nga vitet e tjera theksohet se  do të jetë analitik, duke i mëveshur edhe tema të ndryshme mbi aktualitetin shqiptar, duke pasur kështu dëshirën për të qene sa më pranë publikut. Këto dhe shumë surpriza të tjera do na mirëpresin në festivalin e fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar, Fest 56 !

SHKARKO APP