Fevziu përballet me enveristët që i dogjën librin

Publicisti Blendi Fevziu, i cili ndodhet në Prishtinë për promovimin e librit të tij për Ahmet Zogun, është përballur në sallën e Bibliotekës Kombëtare me një grup enveristësh, që i dogjën atij librin biografik për Enver Hoxhën.

Ndërsa Fevziu po fliste, një nga ata është ngritur në sallë, duke deklaruar se “Enver Hoxha është çështje e kombit”.

Në fund të vitit 2011, një grup përkrahës të “Frontit popullor për kultivimin e veprës revolucionare të Enver Hoxhës” në Ferizaj dogjën librin e publicistit.

Sipas tyre, “ky libër nuk përfaqëson asgjë tjetër, por një propagandë të egër kundër Enver Hoxhës”.

Profesori i filozofisë, Remzi Hasani, në cilësinë e kryetarit të Frontit, paraqiti para të pranishmëve dy libra, njërin të shkruar para 30 viteve nga 12 gazetarë të Tanjug-ut me titull “Shqipëria e Enver Hoxhës” dhe librin e shkruar nga Fevziu.

“Dallimi qëndron në atë se para 30 viteve për Enverin shkruanin ata të cilët e konsideronin si armikun numër një për shtetin jugosllav, ndërsa tash po bëhet nga një autor, i cili është ushqyer me propagandë dhe urrejtje për këtë figurë të ndritshme të kombit. Dallimi qëndron në atë se ky i dyti është shqiptar dhe është nipi i Esat Pashë Toptanit”, deklaroi Hasani, raporton Mapo.

Takimi në Prishtinë organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Fevziu është i dyti në radhën e kësaj serie forumesh pas Mustafa Nanos.

Forumi kordinohet nga shkrimtari Albatros Rexhaj.

SHKARKO APP